Kloni dhe thirrja

Premte, 31 Janar 2020 15:03

Nga Qemal SAKAJEVA

Dy fate njerëzore shqiptare, të ngjashme me qindra mijëra shqiptarë të tjerë.

Në verën e vitit 2004, vogëlushja 6-vjeçare I.S., e shoqëruar prej  gjyshit,  u paraqit pranë zyrave të UNHCR në Tiranë, për të tërhequr pasaportën me vizë kanadeze e ardhur me postë, e  bashkëlidhur me një dokument të mbyllur brenda një zarfi, me mbishënimin për t’u hapur veçse në Zyrën e Emigrimit, kurdo që vogëlushja të shkelte në tokën e Kanadasë, vend ku prindërit  kishin emigruar ilegalisht qysh pesë vite më herët, duke e lënë fëmijën e tyre  11 muajsh e gjysëm në Shqipëri. Në aeroportin e Torontos, një oficer i Zyrës së Emigrimit, pasi e hapi zarfin dhe lexoi dokumentin, atëherë kontrolloi pasaportën dhe i tha vajzës në anglisht dy fjalë të pabesueshme: “Welcome home” (Mirë se erdhe në shtëpi). Vajza e vogël e atëhershme, tani vazhdon vitin e tretë të studimeve në Universitetin e Ottawa-s, kryeqyteti i Kanadasë.

Në mes të janarit të vitit 2020, mesoburri P.S. kreu atë që nuk kishte dashur ta bënte përgjatë shumë viteve. Para 22 vjetësh pati emigruar në Greqi dhe, duke shpresuar se Shqipëria do të bëhej mirë, nuk i mori gruan me dy vajzat në shtetin helen. Por në shtator të vitit 2019 hodhi hapin e pakthyeshëm: paraqiti dokumentet e nevojshme për bashkim familjar. Me lehtësira burokratike të zyrave greke, të gjithë pjesëtarët e familjes u bashkuan në Selanik brenda 4 muajve. Që të nesërmen e mbërritjes, pa  vëtirësinë më të vogël, të dy vajzat u pranuan në shkollë dhe nisën jetën normale atje.

Vështirë se gjen familje shqiptare, të mos ketë histori emigrimi. Por nuk gjen asnjë masë shtetërore shqiptare, për të kufizuar largimin e njerëzve nga vendi. Pikërisht për këtë, të bënin përshtypje të madhe dy lajme televizive në kundërkahje , më 15 janar 2020, që do të jehonin disi  çuditshëm në Shqipëri, nëse do të ishin theksuar për t’i vënë në pah. Mediat tona transmetuan krejt rrëshqitazi një lajm, që duhet të shkundë: qeveria e Hungarisë ishte shumë e shqetësuar sepse, gjatë 10 vjetëve të fundit, kanë emigruar nga vendi 100 000 vetë. Të habiste informacioni (kaq pak dhe shqetësohen?!), sepse Hungaria është shtet shumë më i madh se Shqipëria, ndërsa të gjitha statistikat kanë bërë me dije qyshkur, se nga vendi ynë të ikurit kapin shifrën  1 300 000 vetë. Dhe për të nxitur rregullimin demografik, përveç masave të tjera, qeveria u ofron falas çifteve trajtimin “in vitro” për shtimin e lindshmërisë në vend. Po atë ditë, sipas kanalit televiziv Channel One Russia, Presidenti Vladimir Putin paraqiti një program të gjerë demografik afatshkurtër, me masa të gjithanshme për shtimin e popullsisë dhe kufizimin e emigrimit.Te ne nuk ka asgjë të ngjashme, përveç ikjes masive tashmë edhe nëpërmjet formave “të padukshme”, siç janë ndjekja e studimeve në universitete të huaja (dhe nuk kthehen më), bashkimeve familjare duke ikur ligjërisht e tërë  familja, si dhe përmes kontratave të punës, magnet i fuqishëm i të cilave është  bërë sidomos Gjermania.

Emigrimi masiv ka qenë diçka e pritshme, që do të ndodhte qysh në  mundësinë e parë. Dhe ja një rast i hershëm, nga më të thjeshtët: në vitet ’70-të të shekullit të kaluar, në fshatin Babunjë e Re të Lushnjës, gjatë një bisede pas darkës në shtëpinë e Sahit Konjuhit - bujk i zoti, mjeshtër ndërtimi, bisedues tërheqës dhe këngëtar në oda - ai pati thënë: “ Sikur Shqipnia me i lanë kufijtë çelë, të tan ikin, asnja për be nuk rrin ktu, veç meje që po plakna”. Por asokohe kufijtë ishin me klon (rrethim i lartë me tela me gjemba, sinjalizime elektrike, karakolle për ushtarët roje dhe brezi i butë - një rrip toke i gjerë, i punuar me bel - për të mbetur  gjurmët e dikujt që përpiqej të arratisej). Këtij rrethimi metalik i bashkëngjitej një sjellje politike terrori dhe përndjekjeje: ai që hetohej tek kapërcente klonin, vritej mu aty te gardhi i teltë; ai që kapej duke u arratisur, gjykohej me shpejtësi nën akuzën e tradhëtisë ndaj atdheut; familja dhe të afërmit përndiqeshin gjithë jetën si armiq. Por lindjet e shumta - të stimuluara me propagandë dhe një numër dekorimesh për nëna me 10 fëmijë e pa cene në biografi - si dhe ndalimi i emigrimit me klon e dënime, e rritën popullsinë shpejt. Njerëzit gëlonin mizë lisi nëpër qendrat e  banuara, arave të kolektivizuara  duke punuar me shat, bel e lopatë për shkak të mekanizimit të pakët dhe në fabrikat me teknologji të prapambetur.

Kur u hapën kufijtë, populli shqiptar i mbetur i varfër, “çau ferrën” duke u ngjitur mizë lisi anijeve, pa e kthyer kryet pas. Përkeqësimi i gjendjes në vend, edhe pas ndryshimit të sistemit,  e ka çuar shpopullimin e Shqipërisë në cak tejet kritik. Sipas statistikave të OKB, pas rreth dy brezave njerëzor, pritet që Shqipëria të mos ketë më shumë se 512 000 banorë, domethënë më pak nga sa ka sot vendi pensionistë, dhe mesatarja e moshës do të jetë 61 vjeç! Këto statistika paraprirëse nuk janë këngë kukuvajkash që ndjellin keq. Këtë e beson kushdo që tani, sepse janë të paktë ata që në mendjet e tyre nuk u sillet emigrimi në çdo minut. Shqipëria nuk është në gjendje të marrë asnjë farë mase për të kufizuar largimin e të mbeturve ende këtu. E vetmja gjë që bie në sy është konstatimi statistikor i fatalitetit dhe e vetmja “masë” që shqiptohet është thirrja në shkretëtirë: Mos ikni! Por të gjithëve u ndërmendet  porosia e plakut të përrallës për bijtë, ku të kërkonin për florinjtë e fshehur, dhe domethënia e përjetshme e rrëfimit: “Nuk bëhet vreshti me urata, por me shata dhe lopata”.

Emigrimi i shqiptarëve dikur qe ndaluar me klon, me dënime dhe përndjekje. Jo me zhvillim.

Emigrimi i shqiptarëve në këto kohëra mund të kufizohet vetëm me zhvillim të shpejtë e të gjithanshëm. Kurrë nuk ndërpritet me thirrje.

Me që zhvillimi i vendit do shumë e shumë vite për t’u bërë bindës, Shqipëria do të vazhdojë të eksportojë emigrantë, ndërsa askujt nuk do t’i shlyhet nga mendja statistika fatale e OKB: Shqipëria e të nesërmes së afërt me 512 000 banorë, do të jetë sa Mali i Zi sot. Por hapësirat nuk do të mbeten të zbrazëta: ngjashëm si me një organizëm në gjendje kritike që ka humbur shumë gjak, Shqipëria do të pësojë një transfuzion demografik tejet dramatik me ardhje emigratësh nga kahmos!

Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...