Njerëzimi “në vrimë të miut”

Tuesday, 17 Mars 2020 15:26

Nga Qemal SAKAJEVA

Këtë 14 mars të sivjetshëm, kur në mesditë e gjithë ditën, dy qytetet më të mëdha të festës së Ditës Verës në Shqipëri - Elbasani historik dhe Tirana pasuese - do të ishin përplot me njerëz gjithandej, rrugët e tyre dhe të qyteteve të tjera, që kur s’bahet mend,  ishin krejt të zbrazëta, pa frymë njeriu. Pikërisht, atë mesditë, kanali televiziv  britanik BBC, në programin “Our World”(Bota jonë) transmetoi dokumentarin me titull “Wuhan: Life under lockdown” (Vuhan: Jetë e ngujuar”, mbi shpërthimin e Koronavirusit  në Wuhan, të provincës Hubei në Kinën qendrore.Ishte  film dokumentar shokues.  Qyteti modern gjigant me rreth 11 milionë banorë, të kallte datën me zbrazëtinë e frikshme të rrugëve dhe ndalimin e çdo veprimtarie njerëzore, diçka e ngjashme si në filmin amerikan të viteve ’70 të shekullit të kaluar me titull “A day after”(Një ditë pas), sipas një skenari hollivudian, se si do të dukeshin SHBA pas sulmit bërthamor nga Bashkimi Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë. Atë pamje mori edhe Tirana e vogël,  krahasuar me madhësinë e Wuhanit, të Italisë-  e gjitha e kuqe në hartën e COVID-19, apo Spanjës me rrugë e sheshe të shkretuara. Por shtetet me radhë, deri dhe SHBA, presidenti i të cilave doli të premten e kaluar drejtpërdrejt në konferencë për shtyp, mes  një grupi figurash kryesore, dhe Donald Tramp shpalli emergjencën kombëtare, deklaroi mbylljen e kufijve të vendit dhe njoftoi për një përgjigje  të fortë ekonomike e masash të tjera administrative e sociale në luftë kundër Koronavirusit. Ndërsa shtetet përpëliten pas Wuhanit, thuajse si Wuhani, që ng Italia e goditur më së keqi, Irani me pasoja të rënda,  Gjermania e gatshme të mos pyes për financat duke akorduar një fond prej 500 miliardë eurosh, Franca me masa të shumta dhe një fond prej 300 miliardë eurosh, Spanja e alarmuar, Britania e Madhe po ashtu, pra e gjithë bota, që nga Lindja e Largët deri në Perëndimin amerikan, është e vendosur kundër sulmit pushtues të ushtrisë së padukshme të Koronavirusit, ndërsa kanalet televizive te globit, 24 orë pa pushim pasqyrojnë betejat me plot viktima, mijëra të infektuar dhe miliona e miliona të ndrymë nëpër shtëpitë e tyre si mënyrë vetëmbrojtje nga kjo luftë ende e pafituar. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar përfundimisht se COVID-19 është një pandemi, dhe kjo ndodh për herë të parë, ndërsa epiqendra, javë pas jave,  shtegtoi nga Kina në Europë. Miliona të ngujuar nëpër shtëpitë e tyre  vepruan ngjashëm si në luftërat e nxehta kur pas sirenave të alarmit njerëzit vrapojnë brenda strehimeve për t’u mbrojtur nga bombardimet ajrore.Këto dy-tri vitet e fundit, Papa Françesku, gjatë udhëtimeve nëpër botë, por edhe nga Selia e Shenjtë, ka përsëritur deklaratën tronditëse, që Lufta e Tretë Botërore ka filluar. Mirëpo njerëzimi, edhe pse i ka dëgjuar ato fjalë dhe merr çdo ditë lajme nga kjo lloj lufte e nxehtë e shpërndarë, nuk ka qenë i bindur se kjo vërtetë po ndodh. Një trembje pati pasur pas aksidentit të frikshëm atomik të Çernobilit në Ukrainë, prej përhapjes së resë së rrezatimit atomik gjithandej, duke përqasur jehonën e bombave atomike të hedhura në Hiroshimë e Nagasaki të Japonisë në fund të Luftës së Dytë Botërore. Por prapë nuk është aq reagues apo i tutur, edhe kur sheh përpjekje për zotërimin e armëve atomike nga shtete të papërgjgjeshme si Irani, provat me raketa të Kim Jong Un të Koresë së Veriut, apo luftën 10-vjeçare në Siri të cilën, kjo  botë e madhe nuk e ndalon as në një vend të vogël. Ngjashëm edhe ndaj  thirrjeve të shkencëtarëve më të famshëm, apo veprimtarëve për mbrojtjen e tokës, se njerëzimit po i kanosen pasoja të tmerrshme klimaterike. Vala e emigrimit është masive si një zhvendosje shtetesh, që nuk ndalohet dot  as me ligje, as me mure të lartë, as me gjerdhe me tela, as me forca ushtarake kufitare e as me plumbat vrasës  të policisë. Njerëzimi, edhe pse bën protesta andej - këndej, prapëseprapë  mendon siç në shqipe thuhet “Zot bëje ëndërr”. Plastika ka ndotur tokën, përrenjtë, lumenjtë, detrat, oqeanet, është futur deri në brendësi të organizmit të qenieve biologjike si mbetje e rrezikshme, por njerëzimi është i pafuqishëm për të ndikuar. Këto dukuri, derisa pa prekur secilin individ të veçantë si pasojë vuajtëse vetjake, për pjesën shoqërore më të zhvilluar të botës mbeten disi të largëta, si gjëra që ndodhin tek të tjerë.Kësaj here, me COVID-19 është krejt  ndryshe. Kjo është si Luftë e Tretë Botërore që zhvillohet  me armë biologjike nga një ushtri armike e padukshme, e cila e ka sulmuar mbarë njerëzimin, çdo kontinent, secilin vend, popujt më të mëdhenj e kombet më të vogla , çdo familje dhe individ, të pasurin e të varfërin, të diturin e të pashkollin, dhe gjithandej rreziku po emërtohet me fjalët betejë, luftë, shtetrrethim, e vështruar për nga vështirësia e përballimit, fronti i gjithanshëm dhe mundësitë e kufizuara. Edhe pse janë arritur zhvillime teknologjike të jashtëzakonshme, medikamenti i duhur mungon, armët që po përdoren për t’u mbrojtur janë si  ato të shekujve më parë: ngujohu në shtëpi, laj duar me sapun, mbaj distancë fizike e sociale nga tjetri, lidh maskë në fytyrë. Por pasojat janë të mëdha: ndalim i veprimtarive jetike, të ekonomisë, të tregtisë, mbyllje e shkollave, ndërprerje e transportit të gjithëfarshëm, shuarja e plotë e aktiviteteve kulturore e sportive, thirrje besimtarëve të mos futen në  institucionet fetare, madje dhe shtyrje e dasmave, ceremonitë mortore kryhen vetëm me praninë e  njerëzve të familjes që ka pasur fatkeqësinë, dhe kësisoj bota është shtyrë drejt një recensioni  thuajse të sigurt. Globalizmi ka marrë një goditje të jashtëzakonshme, të papritur e të pabesueshme ndërsa shtetet me shpejtësi u mbyllë brenda vetes si kërmilli në përpjekje për të përballuar të keqen. Kjo vërtetoi paralajmërimin  e  gjeniut të Microsoftit, Bill Gates, gjatë një fjalim në vitit 2015, i cili ka thënë  se “Kriza më e madhe nuk do të vijë nga bombat...,  por nga përhapja e një virusi”.COVID-19, siç po e përjeton secili, e ka futur njerëzimin “në vrimë të miut”, duke u shpallur gjithë shteteve një luftë të përbotshme me shumë të panjohura.

Modifikuar më Premte, 20 Mars 2020 16:27
Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...