Covid-19/Pa koment, me dy komente  të vockla

E Enjte, 07 May 2020 16:12

Eden Babani, Bruksel

Me lejen që të bëj dy komente të vockla në fund të këtij shkrimi, po jap vetëm ndonjë shpjegim (për institucionet, kryesisht) dhe për rregullin e komunikimit të përditshëm të organeve përkatëse belge me popullatën gjatë krizës së pandemisë COVID-19. Po rendis gjithashtu disa të dhëna të ditës së djeshme (06.05.2020), si edhe interpretimin e zëdhënësit ndër-federativ për Mbretërinë, Prof. Dr. Yves Van Laethem, anëtar Institutit Superior të Shëndetit Publik (Sciensano), një ndër  epidemiologët më të njohur të vendit, i cili aktualisht punon në Qendrën Spitalore Universitare (CHU) Saint-Pierre, Bruksel.

Të tjerat po i lë hë për hë në dorë të lexuesit. Më së pari, ai të gjykojë dhe të komentojë. Me lejen e tij, edhe unë dyckë, por në fund.

* * *

Çdo paradite, Dr. Laethem mban konferencën e shtypit të radhës dhe jep shifrat që lidhen me hyrje-daljet nga spitalet, me të shëruarit e me të sëmurët në terapi intensive, me numrin e të infektuarve rishtas, me numrin e kiteve dhe të analizave, si edhe me numrin e vdekjeve. Jep edhe kurbën përkatëse, pa iu shmangur pyetjeve për luhatjet e mundshme.

Shumë domethënëse, lidhur me qëllimin e këtij shkrimi, ishin të dhënat e ditës së djeshme, 06.05.2020:

Hyrje në spitale 116. Dalje 290. Të shtruar 2849 (- 233 të një dite përpara). Me terapi intensive 646 (- 0). Raste të konfirmuara rishtas 272, nga të cilët 93 në azile. Të vdekur 339 (110 të një dite më parë + 229, shtuar në mënyrë retrospektive nga 24 marsi, deri më 10 prill).

Bash shtesa retrospektive, më dha shkas t’i hyj këtij shkrimi. Si shpjegohet, pra, shtesa?

Po sjell përmbledhtas interpretimin e zëdhënësit ndër-federal, Dr. Van Laethem:

* * *

Pas sondazheve që Sciensano bëri pranë spitaleve për diagnostikimin e COVID-19 në mesin e njerëzve që kanë vdekur, 229 vdekje nga COVID-19, u shtuan në mënyrë retrospektive në 5 maj të vitit 2020. Janë 71 vdekje për shkak të COVID-19 të konfirmuara nga skanimi i gjoksit, midis 24 marsit dhe 10 prillit. Një vdekje është klasifikuar gjithashtu si e konfirmuar. Midis 24 marsit dhe 4 majit, pati edhe 157 vdekje të tjera në ambiente spitalore nga COVID-19 "rast i mundshëm".

Vdekjet nga COVID-19 “rast i mundshme” përfshijnë pacientë që nuk morën një test diagnostikimi ose testi i të cilëve rezultoi negativ, por që plotësuan kriteret klinike të sëmundjes, sipas mjekut të spitalit. Vdekjet nga "rastet e mundshme" në spitalet e Belgjikës përbëjnë një pakicë, 2 deri në 3%. Këto  njoftohen nga spitalet dhe lidhen vetëm me vdekjet e COVID-19, të konfirmuara me testin PCR (test virologjie, nga fyti, i përdorur në Francë në mënyrë masive).

Vdekjet jashtë-spitalore (azile për të modhuar, shtëpi, vende të tjera) njoftohen nga autoritetet rajonale dhe përfaqësojnë vdekje të konfirmuara dhe të mundshme. Vdekjet për “raste të mundshme”  kanë të bëjnë me pacientët të cilët nuk u testuan për COVID-19, por që plotësuan kriteret klinike të sëmundjes sipas mjekut përkatës dhe që përbëjnë shumicën dërrmuese të njerëzve që vdesin jashtë spitalit.

* * *

Tashti, marr leje të bëj dy komente të vockla.

  1. Me sa kam lexuar në shtypin tonë, përfshi komunikatat që jep herë zëvendës-ministrja e shëndetësisë, herë një drejtor, herë një drejtoreshë, - specialiste ose jo, por gjithnjë në pozicion politik, - të krijohet përshtypja se njëri i bie gozhdës, tjetri potkoit. Në këto kushte, nuk mund t’i vë faj atij doktorit që nuk di ç’të thotë teksa shfaqet sa në një portal, në tjetrin, sa në një ekran televiziv, në tjetrin. M’ u dhimbs, kur e pashë t’i merrej goja te Çim Peka, në Syri.net, dhe të mos guxonte të thoshte një emër, ngase edhe vetë s’ishte i sigurt në kishte apo jo një kryetar i ashtuquajturi Këshill Teknik i Ekspertëve.

Ja sa thjeshtë e ka zgjidhur Belgjika, ku sundon ligji dhe jo Kryeministrja Sofie Wilmé, e cila s’është veçse një pjesëtare në Këshillin e Sigurisë, krahas do politikanëve të tjerë dhe shumë specialistëve të fushës. Dhe të mos harrojmë se Mbretëria e Belgjikës përbëhet nga tri njësi federative: Flandra flamanofone, Walonia frankofone dhe Brukseli-Kryeqytet dygjuhësh.

  1. Para do ditësh ndesha një opinion të dy mjekëve specialistë shqiptarë, Dr. Gëzim Xhepa dhe Dr. Renato Osmëni. Mbase gaboj, por që të dy e kishin fjalën përveç të tjerave edhe te “rastet e mundshme”, vërejtur nga imazhe të ruajtura nga skanimi i gjoksit, fiksuara përpara vdekjes të individëve përkatës.

Nuk e kam fjalën te kurba dhëmbë-dhëmbë dhe pa kurrfarë logjike e ecurisë së krizës epidemiologjike në Shqipëri. As te  pasaktësia e të dhënave të derisotme për krizën. Tashmë ato janë evidente, të denoncuara nga shtyp, nga opozita dhe nga specialistë kurajozë. E kam fjalën te koha kur ka hyrë COVID-19, në vendin tonë që, sipas dy specialistëve, duhet të jetë shkurti, në mos janari. Sikur të shtoheshin në retrospektivë “rastet e mundshme” të vdekjeve për shkak të COVID-19 nga ajo kohë deri sot, sikundër në rastin e Belgjikës, shifra do të ishte e llahtarshme, do apo s’do zoti Kryeministër, do apo s’do zonja Ministre e Shëndetësisë, duan apo s’duan anëtarët e të ashtuquajturit Këshilli Teknik i Ekspertëve.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...