Gjithëfeja  ‘67

Tuesday, 19 May 2020 16:08

Nga Qemal SAKAJEVA

Le të vështrojmë një territor vendor  të ngushtë,  në të cilin tetë fshatra qenë organizuar në një kooperativë bujqësore me 1700 ha, qendër  e të cilës ishte Fiersemani  i Lushnjës. Ajo hapësirë thuajse rrethore, një fushëtinë tejet prodhuese e ndërthurur me kodra të buta e pyje të përzjerë, qarkohej nga  gjashtë kisha, një xhami dhe një teqe. Gradishtës i jepte hijeshi Kisha e Shën Thanasit mes një korie selvishë të larta, m’u në majë të kodrinës, ndër më të bukurat e Myzeqesë. Në shpinë të fshatit,  ngjitur me Mëhallzën dhe përkundruall pyllit me nam të Gropës së Kallmit, nën një xhufkë lisash të moçëm, m’u në majë të majës së kodrës, gjendej Kisha  e Shënlliut,  që shquhej që nga Lushnja e më larg, vetëm nga shenja e kurorës së dushqeve të mëdhenj. Në Shëngjergjin përballë, ku nis udhëtimin për kah Manastiri i Ardenicës karvani i ndërprerë kodrave, mbi një thuajse bregore, gjendej Kisha e Shëngjergjit. Prej aty, drejt perëndimit, gjithkund buzë Dellit ose Lumit të Vdekur, m’u në mes të Fiersemanit, humbur selvishë qiellore ushqyer nga toka ledhishtë, ngrihej  Kisha pullazgjerë e Shënedielës, thuajse gjithmonë e hijezuar. Përtej, më në perëndim, në fshatin Gungas, edhe atje qe një kishë.  Në fund të rrjedhës kënddrejt të Dellit, përballë shkollës fillore dydhomëshe të Babunjës, ngrihej xhamia, me sallë dhe galeri, një minare me shkallë në bosht plumbi, si dhe pjesa e përparme, e gjerë e nën çati, ku qe dhe dera e hyrjes. Diku më tej, qe ullastra e vjetër e teqesë, që gjelbëronte qyshkur, aq kohë sa  kurrkush nuk e mbante mend, me zgure e gunga e vrima, e trashë sa tre burra  krahëhapur mezi  ia pushtonin trungun. M’u në rrëzën e trungut zgrabullonjë, natë për natë drithëronte flaka e një kandili me vaj të mirë. Shërbimin e kryente pa përtesë familja e Kajëve, aty afër. Në vijë të drejtë me xhaminë dhe teqenë, as treqind metra  larg, në lakoren e madhe të  Dellit, buzë rrjedhës thuajse të padukshme  për kah këneta e Karavastasë,  ishte Kisha e Shëmërisë, me këmbanë, një arrë gjigande në të hyrë dhe plotë shegë rretheqark një varreze të vjetër e të re. Në mes të gushtit, aty mblidheshin nga kahmos, një pjesë tregtonin te sheshi përjashtë, një pjesë blinin ndërsa plotë besimtarë luteshin dhe kalonin natën brenda kishës.

Kjo copëz jete në pikturën e vendit, me shpejtësi mori të zbehej, të vyshkej e thahej, siç bimët përfshihen nga zjarri shkrumbues a thatësira shkretuese. Në shkurt të vitit 1967, me letrën “Mbi luftën kundër fesë dhe pragjykimeve fetare” të Enver Hoxhës, u shënua fillimi i zhbërjes së pashembullt, duke e keqpërdorur rininë si mburojë njerëzore në luftën e komunizmit kundër fesë. Xhamia e Babunjës së Vjetër së pari u përdhos: kur hoxha niste ezanin në minare, mësuesi në shkollën përballë u thosh nxënësve, “a e dëgjoni, po pëllet gomari!” Pak më pas, Hoxhës së Gurit ia morën çelësat dhe brenda futën libra për ta kthyer në bibliotekë. Dikur, nga që s’shkonte kush të lexonte, aty futën thasë me drithë, ndërsa në pjesën e përparme, vendosën një trior për pastrimin e grurit, që gjithë ditën kërciste potershëm si kallashnikov. Pak më vonë e shkatërruan xhaminë dhe, me gurët e saj ngritën themelet e stallës, ndërsa varrezës së madh i vunë plugun e thellë me një vesh dhe toka  e përmbysur u mboll pambuk. Ullastrës  së teqesë i lidhën kavo çeliku, dhe ajo u shkul me rrënjë nga një traktor stalinjec sovjetik. Pastaj, trung e degë,  u sharruan dhe u shkurtuan për furrën e pjekjes së bukës. Edhe kishën e Shënmërisë pak më tutje e shëmbën, ndërsa meremetin e përdorën për të përfunduar stallën. Shegët i prenë, varrezën e pluguan dhe tokën e mbollën me grurë. Kishën e Shënedielës të Fiersemanit, pasi ia sharruan selvishten, e shëmbën përtokë. Kishës së Shëngjergjit ia rrukullisën gurët teposhtë kodrës dhe aty hapën brezare në të cilat u mbollën ullinj dhe vresht. Kishës së Gradishtës ia shëmbën vetëm këmbanoren. Por nuk e prishën, ajo u kthye në depo për lloj-lloj sendesh, rrëzë së cilës nisi ndërtimi i zyrave qendrore të kooperativës, me idenë e sfidës dhe të fitores. Kurse Kisha e Shënlliut, mbi kodër dhe afër pyllit të Libores e të Gropës së Kallmit, nga Byroja Politike qe shënjuar për qejfet e vetvtes. Pasi e rrafshuan, mbi themelet e saj  ngritën një vilë të bukur, nën kurorën e lisave të mëdhenj që shihen nga kushedi se ku. Aty, herë njëri e herë tjetri anëtar byroje, por dhe dy e nga dy, së bashku me grupet shoqëruese, mbërrinin të veshur me kostume gjahëtari, me çifte e zagarë, të  vrisnin gjah në pyllin e Gropës së Kallmit. 

Asnjë objekt kulti nuk mbeti në këmbë përbe. Në atë shkretëtirë të krijuar, enkas për të çrrënjosur besimin fetar, ndërsa harmoninë e pashoqe fetare për ta shndërruar në “unitet të popullit rreth Partisë”, pakkush mund të shquante qartësisht se qe sjellë  një tjetër fe në vend të feve shekullore në Shqipëri. Pasi kujtuan se e kishin rrëzuar Zotin, zot u shpall “Katërzoti” Marks-Engels-Lenin-Stalin, që me fotografi të mëdha e të vogla, gjendeshin radhitur kudo, nga Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë deri te shtëpitë e më fanatikëve. I dërguar i Katërzotëve në Shqipëri ishte Diktatori, që nuk kishte lënë vend  a qosh pa u shfaqur. Dogma ishte marksizëm-leninizmi, me botime luksoze pa fund, ndërsa diktatori nxitoi të pasuronte dogmën, si i dërguar i Katërzotave, deri edhe me tundimin për t’u vetshpallur “Pesëzoti”. Feja e re diktoi mbledhjet, takimet, bisedat, urimet, ngushëllimet, mburrjet, kritikat, sepse të gjitha nisnin solemnisht me,“Sipas mësimeve të Partisë dhe shokut Enver”. Por fesë së re, në rrethinat e shtrirjes së saj, atje ku frymonin njerëzit e zakonshëm, për t’i bërë besimtar, i  mungonte objekti që duhej të ishte i rëndësishëm në gjithë vertikalen: Komiteti Qendror i Partisë, komitetet e  partisë së rretheve, byrotë e partisë të strukturave politike, ekonomik, të edukimit, të shkencës dhe kultures, të gjitha u përmbyllën me fundoren, që  u  shfaq me  emërtimin “Dhoma e Partisë”. Kjo dhomë u hap m’u në qendër të zyrave në Gradishtë, ngjitur e me dritare nga Kisha. Çelsat i  mbante sekretari i byrosë. Ajo kishte në ballë fotografitë e mëdha të “Katërzotave”. Përanash ishte fotografia e të dërguarit të tyre në Shqipëri. M’u në mes të sallës zgjatej një  tavolinë e rrethuar me shumë karrike, dhe e mbuluar gjithmonë dhe vetëm me një cope të kuqe, ngjyra e parapëlqyer e Marksit. Një gjysmëfaqe muri zinte biblioteka, e gjitha me veprat e tyre dhe të të dërguarit, buletinet që publikoheshin si shpallje të reja, bust allçie  dhe tabelë me emra besimtarësh të shquar që lavdëroheshin. Aty, në Dhomën e Partisë,  futej shumëkush, por jo kurdo e dosido. Më mirë ndjeheshin fanatikët, por pëlqeheshin e ftoheshin sidomos të rinjtë, që silleshin grupe-grupe, u lexohej dhe u flitej për dogmën. Aty bëheshin dhe pranime të reja, duke e mburrur secilin se kishte nxënë nga feja e komunizmit.Të tjerë, aty edhe qortoheshin, për ndonjë herezi të kryer. Larja e mëkatit  mund të bëhej vetëm me autokritikë të ndjerë dhe mision. Kur herezia nuk mund të falej, po aty bëhej përjashtimi. Aty, me orkestër të vogël, edhe këndohej, por vetëm këngë që lavdëronin fenë e komunizmit si, “Enver Hoxha, tungjatjeta”, “Me dyqind petrita”, “Revolucioni marshon”.

Përmbysja e plotë nuk kishte ndodhur vetëm me rrafshimin e kishave, xhamisë dhe teqesë. Fitorja më e plotë e përmbysësve qe shënuar vetëm atëherë kur, sapo futeshe në zyrat e mëdha të kooperativës bujqësore, ngjitur me kishën e zhbërë të Gradishtës, vështrimi të ndeshte në  tabelën e dukshme mbi derë, në të cilën lexohej ”Dhoma e Partisë”. Ato dhoma u krijuan nga  fryma, sepse të tri fetë e mëdha u ndalën përdhunshëm për të ngritur Gjithëfenë ’67 në vend të tyre. Gjithëfeja synoi që, çdo njeri i feve të ndryshme, të bëhej besimtar  dhe misionar i komunizmi. Gjithëfeja vërtetë nuk jetoi shumë, por as dhe pak,  mbi të gjitha me aq bëma e dëme sa që, brezat e ardhshëm do ta kenë të vështirë ta përfytyrojnë.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...