Zëri i Amerikës: Mosfirmosja e shkarkimit të Bushatit, sinjal i Metës për Cakajn. E habitshme lëvizja e Ramës

Diel, 06 Janar 2019 09:33

Në Shqipëri, një ditë pasi kryeministri Edi Rama i dërgoi ndryshimet në kabinetin e tij qeveritar, presidenti Ilir Meta firmosi sot dekretet vetëm për një pjesë të tyre. Dy janë elementët që bien në sy në vendimin e Kreut të Shtetit. Fakti që nga 8 ministra që largohen ai ka fimosur shkarkimin e të gjithëve, me përjashtim të ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati. Po ashtu, nga 9 emrat e rinj, përfshirë postin e ri të Ministrit për Marrëdhëniet me parlamentin, ai ka dekretuar vetëm 4 prej tyre. Bëhet fjalë për zëvendëskryeministrin Erion Braçe, ministrin e Bujqësisë Bledi Çuçi, ministrin për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Eduard Shalësi dhe ministren për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali.

Përzgjedhje e tyre nuk duket aspak rastësore, pasi që të katër janë aktualisht dhe anëtarë parlamenti, dhe plotësojnë automatikisht kriterin për të qenë anëtarë të kabinetit qeveritar. Për emërimet e tjera, të cilat vijnë jashtë politikës, mesazhi i Presidentit duket të jetë i qartë. Për Genti Cakajn, si ministër i Jashtëm, Anila Denajn, si minister e Financave dhe Ekonomisë, Belinda Ballukun si minister e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Besa Shahinin si ministre e Arsimit dhe Elva Margaritin si ministre e Kulturës, kreu i Shtetit duket se do të shfrytëzojë kohën prej 7 ditësh që i jep kushtetuta, për të bërë verifikimet që ai mund t’i mendojë të nevojshme.

Mosfirmosja e shkarkimit të ministrit Bushati, duket gjithashtu një sinjal se për pasuesin e tij në krye të diplomacisë, Presidenti Meta do të mendohet edhe më shumë se për ministrat e tjerë. Në fakt lëvizja e zotit Rama shkaktoi jo pak habi dhe tërhoqi kritika të shumta. Nga njëra anë sepse ajo erdhi në një moment kur diplomacia gjendet përpara sfidave të rëndësishme, që nga ajo e integrimit europian, te drejtimi i OSBE-së në vitin 2020, ndërkohë që duke nisur nga viti i ardhshëm vendi do të jetë pjesë e Trojkës së kësaj organizate, e deri te procesi i dialogut që është hapur me Greqinë për trajtimin e një sërë çështjesh të mbetura pezull, përfshirë të ashtuquajturën Marrëveshje e Detit. Nga ana tjetër edhe emri i përzgjedhur, ai i të riut nga Kosova Cakaj, aktualisht zëvendës ministër i Jashtëm, është parë me skepticizëm, për shkak të moshës së re dhe mungesës së një eksperience të nevojshme për një nga postet kyç të një qeverie.

Megjithatë kryeministri e ka mbrojtur më këmbëngulje zgjedhjen e tij duke e cilësuar “si një ndër njerëzit më të ditur që unë kam takuar në jetën time, si një njeri i përkushtuar ndaj një pune shumë të vështirë, si puna që ka bërë duke mbuluar të gjithë procesin e integrimit, ku kam mundur të vlerësojë kapacitetin e tij edhe si drejtues i një procesi shumë të vështirë dhe patjetër, edhe si një djalë që është shumë pranë vizonit, programit, mënyrës së të parit të gjërave të familjes sonë politike. Historia e tij nuk është shumë e gjatë, sepse ai është djalë i ri, por i tregon të gjitha këto”, u shpreh pak ditë më parë zoti Rama./Voa.

Modifikuar më Diel, 06 Janar 2019 10:31

Lini komentin tuaj!

Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me fshirjen e komentit tuaj.

Lajmet e fundit

Teatri Kombëtar, kompania BIG e projektit nuk e mohon ndarjen nga Fusha.shpk

Aktualitet

Teatri Kombëtar, kompania BIG e projektit nuk e mohon ndarjen nga Fusha.shpk

Bjarke Ingels Group (BIG) ka konfirmuar se mbetet “i ngazëllyer” për “përfshirjen e vazhdueshme” në zhvillimin e ndërtesës së Teatrit Kombëtar në Tiranë, pa dhënë asnjë detaj në lidhje me...

Rinia e varfër e Ibrahim Kodrës

Kulturë

Rinia e varfër e Ibrahim Kodrës

Ibrahim Kodra, kur ishte 17 e pak vjeç, ishte “bursjer në kursin e dytë Daltë”. Për shkak të pamundësisë ekonomike, i lutet drejtorisë së Institutit Teknik “Naim Frashëri” në Tiranë...

Daniel Steel, shkrimtarja e pavlerësuar që hyri në librin Guinness

Kulturë

Daniel Steel, shkrimtarja e pavlerësuar që hyri në librin Guinness

Se shkrimtarja amerikane Daniel Steel ishte në një periudhë kohe një nga emrat më të dëgjuar të letërsisë, këtë e dinë të gjithë ata që kanë shkuar qoftë edhe një...

Sondazh

Nothing found!

Sondazh

Nothing found!