Barbara, më e reja e listës së PD: Si e prita vendimin për mandatet

Hënë, 25 February 2019 17:58

 Barbara Doda është më e reja e listës së kandidatëve të PD në zgjedhjet e qeshorit 2017. Vetëm 20 vjeçe në atë kohë, ajo spikati në protestën e çadrës në Bulevard, ku u angazhua shpesh dhe mbajti disa fjalime. Barbara sot po ndjek një master në fushën e saj të arkitekturës, në një vend shumë larg Shqipërisë. Ishte pikërisht në Shangai të Kinës, në rutinën e saj të përditshme, kur dëgjoi lajmin për djegien e mandateve. 22-vjeçarja, që ishte e renditur shumë pranë vijës fituese në qarkun e Tiranës, ra menjëherë dakord, dhe siç bën të ditur, e ka nisur me postë vendimin për dorëzimin e mandatit. Përveç këtij akti, përmes kësaj interviste për gazetën Mapo, ajo ka disa mesazhe për të dhënë për situatën në vend, dhe rolin e të rinjve në politikë.

 Vitin e kaluar, unë mora një nga vendimet më të vështira të jetës time. Vendosa të largohem nga Shqipëria për të vazhduar studimet për artitekturë dhe nuk dua ta mohoj edhe duke e menduar se në gjendjen në të cilën ndodhej vendi, mund edhe të mos kthehesha më. Por, në fund të vitit 2018 dhe në fillim të 2019 kanë ndodhur dy gjëra mjaft shpresëdhënëse për të rinjtë dhe qytetarët shqiptarë. Së pari, protesta e studentëve, e cila është ndoshta ngjarja më frymëzuese në këto 28 vite, pas lëvizjeve studentore të Dhjetorit 1990. Si studente nuk mund të mos ndjehesha krenare dhe e motivuar nga lëvizja e miqve dhe bashkëmoshatarëve të mi, të cilët protestonin për ato probleme që kanë detyruar shumë nga ne për t’u larguar nga vendi. Së dyti, ishte vendimi i guximshëm i Partisë Demokratike për t’i dhënë fund demokracisë fasadë në vendin tonë. Fillimisht, protesta e 16 Shkurtit dhe më pas vendimi për djegien e mandateve më krijuan bindjen se tashmë gjërat në Shqipëri po fillonin të ndryshonin.

Për t’u kthyer tek pyetja e juaj, pavarësisht distancës fizike nga Shqipëria, përpiqem që të informohem rregullisht mbi të gjitha zhvillimet në vend qoftë nëpërmjet medias online apo kontakteve të vazhdueshme me miqtë dhe të njohurit e mi. Në këtë mënyrë e mësova edhe propozimin e kryetarit Basha dhe më pas vendimin e grupit parlamentar të PD-së për djegien e mandateve. Sigurisht, që kemi të bëjmë me një vendimmarrje shumë kurajoze, të panjohur më parë dhe që mbart mbi vete risqe. Por, e vërteta është se në kushtet që ndodhej Shqipëria, kjo ishte e vetmja rrugëzgjidhje. Partia Demokratike në këto 6 vite ka provuar si asnjë opozitë tjetër çdo mjet dhe rrugë institucionale. Të gjitha këto përpjekje kanë rënë në vesh të shurdhër të një pushteti arrogant, kriminal dhe të korruptuar. Thënë këtë, vendimi i Partisë Demokratike për mua është krejtësisht i kuptueshëm dhe logjik në kushtet që ndodhet Shqipëria.

-A u mendove për një moment apo ishe e qartë për aktin që bëre?

Siç e shpjegova pak edhe më lart, djegia e mandateve ishte rruga e fundit dhe e vetmja që kishte në dorë Partia Demokratike dhe opozita shqiptare për të dhënë një mesazh të fortë. Dhe ky mesazh duhet dëgjuar drejtë nga të gjithë. Duke filluar nga qeveria, qytetarët shqiptarë dhe faktori ndërkombëtar. Kjo ka qenë bindja ime nga fillimi dhe vazhdon të jetë. Në këtë kuptim, nuk kisha asnjë lloj dyshimi për aktin tim modest, i cili shpresoj shumë t’i vlejë Shqipërisë dhe bashkëqytetarëve të mi për të nxitur një ndryshim sado pozitiv. Nga ana tjetër, unë nuk mund të pranoja kurrsesi që të ulesha në të njëjtën sale me njerëzit, të cilët më detyruan vitin e kaluar të lë vendin tim për të kërkuar një të ardhme më të mirë larg, shumë larg Shqipërisë. Por, edhe sikur ta bëja për veten time, nuk do të mund ta bëja për qindra mijëra miq e të njohur që kanë lënë Shqipërinë në këto 6 vite pasi vendi i tyre ju është bërë i huaj.

-Si mendon se është e ardhmja e të rinjve në politikë?

Më lejoni të kthehem pak, pas, në kohë, për t’iu përgjigjur kësaj pyetje. Në zgjedhjet e vitit 2017, lista e Partisë Demokratike ishte e mbushur me të rinj, përfshirë edhe mua si më e reja. Të rinj jo vetëm në kuptimin e moshës, por edhe të angazhimit apo qasjes së tyre ndaj politikës. Kjo përfshirje kaq e madhe e të rinjve në politikë dhe në nivelin më të lartë të përfaqësimit, sigurisht është shumë shpresëdhënëse. Dhe fakti që sot gjithë këta të rinj e të reja po heqin dorë nga mandati i deputetit, pa e menduar dy herë, e cila për shumë mund të përbëjë edhe një aspiratë të madhe, e bën edhe më sublim aktin e djegies së mandateve.

Ç’është e vërteta duket sikur ka një indiferencë tek të rinjtë ndaj politikës, deri edhe në injorim apo përbuzje të saj. Po të shihni protestën e fundit të studentëve, ndër parullat më të forta ishte “Jo politikë”, edhe pse kërkesat e tyre ishin thellësisht politike. Kjo indiferencë ose përbuzje, e shoqëruar edhe me disa stereotipe të krijuara nga shoqëria shqiptare, duke filluar nga kryeministri i vendit, i cili nuk ia përton t’i cilësojë të rinjtë të paaftë, dëmbelë, ngelësa, të palexuar etj., ka krijuar një distancim të rinisë nga politika. Kjo në mendimin tim është tepër e gabuar. Të rinjtë, që janë pjesa më vitale dhe e shëndoshë e çdo shoqërie, duhet të angazhohen në politikë. Jo për t’u bërë kopje të askujt, por për të sjellë modelin e tyre. Për t’iu dhënë jetë ëndrrave, ideve dhe aspiratave të tyre. Ky është mesazhi që kam për të gjithë të rinjtë që sot mendojnë t’i qëndrojnë larg politikës. Ndërsa për ata që janë sot në politikë dua t’u them nuk keni asnjë arsye të ndjeheni të turpëruar apo kompleksuar për angazhimin tuaj. Përkundrazi. Politika nuk është turp, por mënyra si bën politikë mund ta bëjë të tillë.

-Si është eksperienca që po kalon në Kinë?

Fillimet janë gjithmonë të vështira. Para se të nisesha nuk e kisha kuptuar se sa larg po shkoj. M’u deshën me tëpër se 24 orë dhe 4 aeroportë për të arritur në Shanghai. Nga një shtet i vogël me tre milionë banorë, të jetosh në një qytet me 25 milionë banorë është një ndryshim shumë i madh. Aq më tëpër, ndryshimet kulturore dhe në shumëçka tjetër që lidhet më mënyrën e jetesës, e bënë eksperiecën time në fillim të një sfidë të vërtetë. Por, në Shanghai dhe Kinë, çdo ditë është një mundësi më vete për të eksploruar dhe zbuluar gjëra të reja. Nga ana tjetër, mundësia për të takuar kaq shumë njerëz nga e gjithë bota është po aq emocionuese. Fjala vjen, kur takoj miq nga Mongolia që nuk e kanë parë kurrë detin, miq nga Panamaja që s’kanë qenë nëpër male, miq nga Karaibet që se dinin si është dimri, apo miq nga Siberia që s’kishin ndjerë ndonjëherë vapë, mendoja sa e bekuar është Shqipëria që aq e vogël, por të ofron gjithë këto mundësi që nuk t’i ofrojnë shtete me sipërfaqe jashtëzakonisht të mëdha. Tashmë ndjehem realisht mirë dhe mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur. Mapo

Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...