×

Warning

JUser: :_load: Unable to load user with ID: 44

Guta, sëmundja e meshkujve, ja si ta trajtojmë

E mërkurë, 06 June 2018 13:18

Guta është sëmundja më e shpeshtë inflamatore e artikulacioneve dhe prek kryesisht meshkujt. Njihet ndryshe si mbreti i sëmundjeve ose sëmundja e mbretërve, ndërkohë që dokumenti i parë për këtë patologji vjen nga Egjipti, 2600 vjet para Erës së Re dhe e përshkruan atë si një artrit të gishtit të madh  të këmbës.

Mund të paraqitet klinikisht në disa forma, por më e shpeshta është ajo me fillimin e një artriti rekurent inflamator, me skuqje, dhimbje të forta, nxehtësi lokale dhe enjte në artikulacionin metatarsophalangeal në bazën e gishtit të madh të këmbës. Ndërkohë që shenja të tjera si temperaturë, dobësia trupore janë më të rralla.

Prof. Dr. Argjend Tafaj, mjek reumatolog pranë Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’, në një intervistë për gazetën “Shëndet +”, tregon shkaqet e sëmundjes, ku në 80% e rasteve ajo lidhet me faktorë si obeziteti, mbipesha e theksuar trupore, por mund të jetë edhe pasojë e lindur i një deficiti enzimatik të metabolizmit të purinave, disa sëmundjeve kronike të gjakut, të vihet re në sëmundje të rënda të veshkave si dhe favorizohet nga përdorimi i disa barnave që pakësojnë sekretimin e urateve.

Më tej, duke folur për mënyrat e trajtimit ai ndalet të theksojë edhe rëndësinë e dietës ku tregon se është shumë e rëndësishme që këta pacientë të ruajnë një peshën optimale trupore, të bëjnë aktivitet fizik, të modifikojnë dietën e përditshme, të reduktojnë marrjen e sasive të alkoolit, të pakësojnë yndyrnat, të konsumojnë 2-3 litra ujë në ditë, të dinë se cilat ushqime kanë më tepër urate etj.

Çfarë është guta dhe nga se shkaktohet?

Guta është një çrregullim i metabolizmit të purinave dhe ndodh kur metaboliti final, acidi urik kristalizohet në formën e urateve të monosodiumit të cilat percepitojnë dhe formojnë depozita në artikulacione, tendine dhe në indet përreth. Është pra produkti përfundimtar i metabolizmit të proteinave.

Termi guta vjen nga fjala latine “gutta” që do të thotë pikë (ose lëng) dhe i referohet nocionit të Hipokratit “humors”, një material që shkakton sëmundjet që rrjedhin  nga gjaku në artikulacione .

Njihet si sëmundje që në antikitet dhe emërtohet si mbreti i sëmundjeve ose sëmundja e mbretërve (ose sëmundja e njerëzve të pasur).

Dokumenti i parë për këtë patologji vjen nga Egjipti 2600 vjet para Erës së Re, që e përshkruan këtë patologji si një artrit të gishtit të madh të parë të këmbës.

Çfarë përhapje ka?

Guta prek 1-2 % të popullatës dhe është  sëmundja më e shpeshtë inflamatore e artikulacioneve tek meshkujt. Tek femrat  sëmundja është e rrallë para menopauzës. Meshkujt që vuajnë nga kjo patologji në përgjithësi  janë më të rinj në moshë se femrat. Pas menopauzës numri i femrave të sëmura rritet dhe rreth  moshës 60 vjeç, risku është i njëjtë  për të  dy sekset por pas të 80-tave  guta është më e shpeshtë tek seksi femër.

Mosha e fillimit të atakut të parë ka rënë dhe mosha mesatare e këtyre të  sëmurëve sot është 43 vjeç  (23 % e këtyre të sëmurëve ju fillon ataku i parë përpara moshës 30 vjeç) dhe tek gratë në 20 vitet e fundit incidenca është dyfishuar, por gjithmonë niveli i rritjes së acidit urik në përgjithësi  është më i ulët se tek meshkujt. Numri i rasteve me guta në periudhën 1990-2010 është pothuajse  dyfishuar me një trend gjithnjë në rritje edhe në ditët e sotme. Në meshkujt mbi 30 vjeç dhe tek femrat  mbi 50 vjeç, prevalenca e saj është rreth 2%.

Shkaqet e rritjes së rasteve me guta janë të shumtë por ato më të rëndësishmet janë:

Rritja e jetëgjatësisë (popullatat e moshuara preken më shpesh).

Epidemia e përbotshme e obezitetit.

Rritja në ditët e sotme rreth 6 herë e prevalencës së sindromit metabolik, etj.

Cilët janë faktorët favorizues të kësaj sëmundje?

Guta mund të jetë pasojë e një deficiti enzimatik të lindur të metabolizmi të purinave, mundet të jetë pasojë e disa sëmundjeve kronike të gjakut, të vihet re në sëmundje të rënda të veshkave si dhe favorizohet nga përdorimi i disa barnave që pakësojnë sekretimin  eurateve nga veshkat  siç janë: diuretikët, cyclosporina, tacrolimus, etambutol, pyrozinamid, aspirina etj.

Rreth 80% e rasteve me guta kanë si shkaktarë faktorë të tjerë si obeziteti, mbipesha e theksuar trupore (veçanërisht në rini, pirja e alkoolit në sasi të madhe, veçanërisht birra dhe pijet e forta, ushqimi i pasur me kalori, me karbohidrate e purina, pijet e ngarkuara me fruktozë, mishi i kuq, prodhimet e detit, peshku etj.

Cilat janë shfaqet klinike të gutës?

Guta mund të paraqitet klinikisht në disa forma, por më e shpeshta është ajo me fillimin e një artriti rekurent inflamator, me skuqje, dhimbje të forta, nxehtësi lokale dhe enjte në artikulacionin metatarsophalangeal në bazën e gishtit të madh të këmbës. Ky artikulacion preket i pari në pothuajse gjysmën e rasteve, por mundet që kriza e parë të fillojë dhe me prekjen e artikulacioneve të tjera si talokuralët, gjunjët, radiokarpalët dhe gishtat. Kriza e dhimbjeve fillon në përgjithësi në orën 2 deri në  4 të mëngjesit. Kjo ndodh kryesisht sipasojë e temperaturës më të ulët të trupit gjatë natës, që favorizon perceptimin e kristaleve të acidit urik.

Shenja të tjera si temperaturë, dobësia trupore janë më të rralla. Ataku i parë i krizës së gutës paraprihet nga një periudhë asimptomatike gjatë së cilës niveli i acidit urikështë i rritur në

serum, por pa u shfaqur dhimbjet (faza e hiperuricemisë asimptomatike). Pas atakut të parë krizat përsëriten në mënyrë të vazhdueshme ku distancat  kohore të qetësisë ndërmjet krizave vijnë e zvogëlohen.

Në rastet kur hiperuricemia persiston për një kohë të gjatë, mundet të shfaqen simptoma të tjera si: formimi i tofuseve të cilat janë depozitime të kristaleve të acidit urik, qe jane formacione të forta të padhembshme të cilët mund të shkaktojnë shpesh herë artrite kronike me erozione, pra me destruksion kockor. Persistenca e rritur e acidit urik mundet të  çojë në precipitimin e kristaleve në veshka dhe me pasojë formimin e gurëve në to.

Si vihet diagnoza/ ekzaminimet?

Guta mund të diagnostikohet thjesht nga të dhënat klinike nga një specialist i cili merret më këtë patologji,duke parë artritin tipik në gishtin e madh të këmbës. Në rastet kur situata është e dyshimtë diagnoza përfundimtare vihet duke bërë identifikimin e kristaleve të urateve, që realizohet me një mikroskop të veçantë, me dritë të polarizuar. Kristalet evidentohen në lëngun sinovial të artikulacioneve  të sëmura. Ekzaminim tjetër që jep informacion për diagnozën, por veçanërisht në rastin e artriteve kronike është dhe ekzaminimi radiologjik, pra radiografia e artikulacioneve. Specialisti, mjeku reumatolog merr informacion për ecurinë kronike të artriteve nëpërmjet këtij ekzaminimi. Sonografia është një tjetër ekzaminim (eko) ku mjekë të kualifikuar mund të japin informacion me vlerë për saktësinë e diagnozës. Mundet të evidentojë me anë të ekos depozitimin e kristaleve në cipën sinoviale të kristaleve të acidit urik. Hiperuricemia është shenjë klasike e gutës, por rreth gjysma e të sëmurëve në momentin e krizëse kanë atë në nivele normale, sipasojë e rritjes së klirencit renal të acidit urik gjatë  inflamacionit akut. Për më tepër tek meshkujt hiperuricemia është e shpeshtë, por pjesa më e madhe e tyre nuk shfaqin asnjëherë kriza të gutës. Për këtë arsye matja e acidit urik për qëllime diagnostike ka vlerë të kufizuar.

Hiperuriciemia ka si kufi për meshkujt 7mg/ dl dhe për femrat 6 mg/dl. Mbi këta shifra quhet hiperuricemi dhe duhet marrë në konsideratë.

Ekzaminime të tjera që bëhen për këta pacientë për tëevidentuar inflamacionin janë eritrosedimenti, numërimi i leukociteve, elektrolitet, funksioni renal. Leukocitet dhe eritrosedimentimund të jenë të rritura gjatë fazës akute.

Si realizohet mjekimi i gutës?

Guta ka disa faza siç e përmendëm më lart. Është faza e gutës asimptomatike për të cilen në përgjithësi nuk merret ndonjë mjekim i veçantë. Nuk ka indikacion për të marrë medikamente në këtë fazë, aq më tepër që kjo periudhë mund të kalojë pa u zbuluar/pa e diagnostikuar mjeku. Me fillimin e fazës akute që karakterizohet nga shenjat që thamë më lart me dhimbje, me skuqje, me nxehtësi lokale, pamundësi për të lëvizur edhe këmbën, dhimbjet janë aq të forta sa pacienti nuk duron dot as çarçafin të takojë sipër.

Fillohet me kolkicinë e cila jepet 0.5 mg 3 herë  në ditë.  Ky mjekim vazhdohet aq ditë sa zgjat dhe kriza. Mund të injektohet kortizonik intraartikular në kyçet e inflamuar. Mundet të shtojmë antiinflamator josteroid si: voltaren, brufen, naproxen, indomethacinë të cilat kanë efekt potencues së bashku me kolkicinën.

Ky mjekim duhet filluar sa më shpejt të jetë e  mundur. Mjekime të tilla janë me rezultat kur fillohen menjëherë sapo i sëmuri ndjen që po fillon kriza. Kur inflamacioni arrin kulmin me shenjat karakteristike që kemi përmendur më lart, fillimi pas kësaj faze i këtyre medikamenteve nuk është aq i suksesshëm për  kalimin e kësaj krizës akute.

Përveç mjekimit të fazës akute një nga qëllimet për mjekimin e gutës është dhe ulja e nivelit të urateve duke përmirësuar tretshmërinë  e kristaleve për të parandaluar formimin e tyre. Kjo  arrihet duke mbajtur në serum nivelin e acidit urik nën kufirin e pikës maksimale të saturimit, më pak se 6 mg për gratë dhe më pak se 7 mg/dl tek meshkujt. Fillimi terapisë për uljen e acidit urik nuk duhet të fillohet në periudhën e atakut akut, duhet pritur të paktën 1-2 javë pas  përmirësimit të krizës. I sëmuri duhet të jetë totalisht i qetë që të fillohet mjekimi për uljen e acidit urik. Doza e medikamenteve duhet filluar e vogël dhe rritet në mënyrë graduale. Gjatë fillimit të mjekimit për uljen e urateve shpesh herë i sëmuri mund të ketë kriza akute të gutës, kriza të cilat imitojnë ose ngjasojnë me një krizë si ajo e fillimit. Në asnjë mënyrë nuk duhet ndërprerë mjekimi me barna që kemi filluar, por për trajtimin e krizës duhet të fillohet përsëri mjekimi siç thamë më sipër për mjekimin e gutës akute.

Terapia për uljen e nivelit të urateve është e indikuar në pacientët me atake akute të përsëritura, shpesh ato më artrite kronike, ato që kanë tofuse dhe ato që kanë ndryshime radiologjike në artikulacione. Fillohet në përgjithësi Allopurinol100 mg në ditë, duke rritur dozën gradualisht çdo 2 deri në 4 javë me nga 100 mg deri në dozën ditore 300 mg/ditë. Në rastet kur Allopurinoli ka kundërindikacion, siç është toksiciteti ndaj tij, fenomene alergjike  etj, mundet të përdoren febuxostat (adenurik)me 80 mg në ditë. Përveç barnave të cilët frenojnë formimin e acidit urik, mundet të përdoren edhe barna urikozurike të cilat kanë efekt tek veshka për të përshpejtuar eleminimin e acidit urik. Barna të tilla janë: probenecid, sulfinpyrazon, brenxpromaron. Një numër barnash të reja janë në eksperimentim për mjekimin e gutës si: anakinara, canakinumab, rilonacept, rasburicase etj, të cilët kanë kosto shumë herë më të lartë se ato që janë përmendur më herët. Aktualisht sot janë në eksperimentim.

Këshilla?

Shpenzimet direkte dhe indirekte për gutën janë të konsiderushme, barra finaciare është shumë më e lartë po të marrin më konsideratë ato që behën për sëmundjet që bashkëshoqërojnë gutën. Siç e thamë më lart guta shoqëron shpesh të sëmurë të cilët janë obezë, mbipeshë më yndyrna të larta, me hipertension që për pasojë kanë dhe komplikacione të këtyre patologjive siç janë infarkti i miokardit, aksidentet cerebrale vaskulare etj. Shpenzimet për trajtimin e këtyre patologjive janë shumë të mëdha dhe janë barrë e rëndë edhe për shoqëritë e zhvilluara, qoftë në aspektin social ashtu edhe atë ekonomik, prandaj merr prioritet edukimi i këtyre të sëmurëve. Edukimi i këtyre pacientëve bëhet nga mjeku i përgjithshëm ose nga mjeku reumatolog dhe ka impakt pozitiv sepse përmirëson efikasitetin e mjekimit. Të sëmurëve duhet me ua shpjeguar natyrën e sëmundjes, ndërvarjen e saj me nivelin e rritur të urateve. Që sëmundja duhet mbajtur në kontroll me medikamente dhe me  zbatimin e rregullave për një jetë të shëndetshme. Tu shpjegohet të sëmurëve dallimi ndërmjet një krize akute dhe terapisë mbajtëse që përdoret për uljen e uricemisë, tu shpjegohet të sëmurëve që duhet vazhdimisht të mbajnë nivelin e uricemisë nën shifrat e normës, pra nën shifrat 6 për femrat dhe 7 për meshkujt. Tu shpjegohet që terapia do të jetë gjatë gjithë jetës. Sëmundja nuk shërohet pra. Që të sëmurët nuk duhet të ndërpresin barnat që ulin nivelin e acidit urik në qoftë se ata kanë një atak akut. Rezultate të mira në trajtimin e kësaj sëmundje janë vënë re dhe kur në edukim përfshihen dhe familjarë të sëmurëve me guta.

Të sëmurëve ju këshillohet të ruajnë peshën optimale trupore, të bëjnë aktivitet fizik, të modifikojnë dietën e përditshme, të reduktojnë marrjen e sasive të alkoolit. Pija më rrezikshme është birra, qoftë me alkool qoftë pa alkool, pijet  e forta, pijet e ëmbla që janë të saturume me fruktozë, duhet të pakësojnë yndyrnat, u rekomandohet këtyre të sëmurëve të pijnë 2-3 litra ujë në ditë për të patur urinim të bollshëm, që mos të ketë percipitim të kristaleve të acidit urik në veshka dhe formim të gurëve. Të sëmurët duhet të njohin dhe të dinë se cilat ushqime kanë më tepër urate.

Këto ushqime janë; mishi i kuq, të përbrendshmet e bagëtive (zemra, shpretka, mëlçia, mishi i kokës, truri, të gjithë llojet e mishrave, mish lope, mish viçi, mish derri, mish qengji, peshku, të gjithë llojet e peshkut, prodhimet e detit me guackë, midhjet, frutat e detit, sepja, oktopodi. Të gjithë këto ushqime kanë shtesë të purinave dhe shtojnë uratet dhe për pasojë kristalet e acidit urik. Të gjithë këto duhet të merren por në sasi të moderuara, të përcaktuara, pa kaluar në sasi të mëdha.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...