Afera/ Kryemadhi: Veliaj duhet të merret në përgjegjësi penale që sot

E mërkurë, 27 July 2022 10:46

 

Ish-kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, në një prononcim për mediat ka vijuar denoncimet për inceneratorin e Tiranës.

Ajo ka bërë me dije detaje nga dosja shtesë që i ka dorëzuar SPAK. Kryemadhi tha se do i shkojë deri në fund të çështjes.

Ajo theksoi se Erion Veliaj duhet të merret që sot në përgjegjësi penale për procedurën e inceneratorit të Tiranës.

 

“Nga verifikimi i dokumentacionit të dosjes së Inceneratorit të Tiranës rezulton se:

 

1. Në 23.06.2016, me shkresën nr. 16/044 Shoqëria “Integrated Energy BV” aksionet e së cilës zotërohen nga shoqëritë “Energy Recuperator SPA”, “Paul Ëurth Italia” dhe “Integrated Technology Services”, kanë depozituar pranë Ministrisë së Mjedisit një “Letër Interesi”, me anën e së cilës ka paraqitur një propozim të pakërkuar për ndërtimin e vend-depozitimeve të reja, mbylljen e atyre ekzistuese, ngritjen e sistemit të riciklimit, përmirësimin e infrastrukturës për të mbajtur nën kontroll situatën ndërtimore, për Qarkun Tiranë. Shkresa Nr.16/044 i është drejtuar për dijeni edhe Bashkisë Tiranë.

Fakt i cili do të thotë se Bashkia Tiranë që në qershor të vitit 2016, thënë ndryshe “që në krye të herës” është vënë në dijeni të një propozimi të pakërkuar për ndërtimin e inceneratorit të Qarkut të Tiranës.

2. Me shkresën nr. 25796/1 prot, datë 01.09.2016 Bashkia Tiranë, në përgjigje të kërkesës së Ministrisë së Mjedisit për shqyrtimin të propozimit të pakërkuar, ka caktuar dy përfaqësues të saj si anëtarë të Komisionit të Dhënies së Koncesionit, dhe konkretisht Z. Taulant Tushe, Drejtor i Përgjithshëm i Bashkisë Tiranë dhe Namik Smixhiu. Ky Komision është përgjegjës për gjithë ecurinë e procedurës koncesionare, deri në firmosjen e kontratës.

Pra Bashkia Tiranë, jo vetëm është në dijeni të procesit që ka nisur, por tashmë është edhe pjesë e procesit duke u përfaqësuar në Komisionin e Koncensionit me dy drejtorë bashkie.

Ministria e Mjedisit kërkon miratimin e financimit nga Ministria e Financave, Financat i kërkojnë aprovimin e bashkive të Qarkut, miratimin e jep vetëm Erion Veliaj.

Me shkresën nr. 5474/20 datë 27.12.2016 Ministria e Mjedisit i ka kërkuar Ministrisë së Financave miratimin paraprak për financimin e projektit dhe, referuar studimit të fizibilitetit për menaxhimin e mbetjeve të Qarkut Tiranë, i ka paraqitur planin e Pagesave që nevojitet për financimin e këtij projekti nga ku rezulton se: Ky projekt do të financohet nga a) Qeveria në shumën 130,883,750 eurove dhe b) Bashkitë e Qarkut Tiranë në vlerën 91 mln euro për 30 vjet.

Ky fakt provon në mënyrë të qartë dhe shteruese se Bashkia Tiranë dhe kryetari i saj Erion Veliaj janë në dijeni të plotë të modelit financiar të inceneratorit të Tiranës dhe shumës konkrete që Bashkia Tiranë duhet të paguajë për 30 vitet e ardhshme.

3. Më datë 23.01.2017 me shkresën nr. 13188/3 prot., Ministria e Financave, i kthen përgjigje Ministrisë së Mjedisit, duke e refuzuar miratimin e financimit të projektit të Inceneratorit të Qarkut Tiranë, duke evidentuar disa problematika për të cilat ka kërkuar sqarime shtesë;

4. Në datë 21.02.2017, me shkresën nr. 5474/25 prot., Ministria e Mjedisit rikërkon nga Ministria e Financave miratim për projektin e ndërtimit të inceneratorit të Qarkut Tiranë, duke sqaruar problematikat e evidentura nga Ministria e Financave;

5. Në datë 02.03.2017, me shkresën nr. 13118/7 prot., Ministria e Financave, i kthen përgjigje Ministrisë së Mjedisit, duke kërkuar nga kjo Ministri që, meqenëse financuesi dhe përfituesi kryesor i këtij projekti është Qarku Tiranë, të merrej miratimi me shkrim nga ky Qark, referuar modelit financiar të propozuar në studimin e fizibilitetit.Nga kjo shkresë qartazi rezulton se ky projekt koncesionar mund të vihet në jetë vetëm nëse Bashkitë e Qarkut Tiranë (5 bashkitë përbërëse) do të miratojnë financimin e këtij projekti, pasi ato do të jenë përfitueset e projektit të incenerimit të mbetjeve sigurisht kundrejt një tarife të caktuar.

6. Në datë 28.02.2017, me shkresën nr. 5474/26 prot., Ministria e Mjedisit (shkresa e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm Z. Alqi Bllako) kërkon vetëm nga një Bashki e Qarkut Tiranë dhe konkretisht vetëm nga Bashkia Tiranë dhënien e miratimit me shkrim për vazhdimin e procedurave koncesionare, referuar modelit financiar të propozuar në studimin e fizibilitetit; Abuzim i pastër me detyrën, pasi Ministria e Financave kërkon dakordësi nga 5 Bashkitë e Qarkut Tiranë, ndërsa Bllako (sigurisht i koordinuar) ja dërgon vetëm Bashkisë Tiranë.

Në datë 27.03.2017, me shkresën nr. 8275/1 prot., Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, pa mbledhur Këshillin Bashkiak dhe asnjë parashikim në projekt buxhetin e Bashkisë, i kthen përgjigje Ministrisë së Mjedisit, duke u shprehur parimisht dakord përsa i përket rolit të saj në këtë projekt koncesionar me modelin financiar të paraqitur në studimin e fizibilitetit. “Unë në emër të Bashkisë me një milionë banorë them vetëm jam parimisht dakord dhe pastaj kaloj në Këshill Bashkiak”.

Shkelje flagrante e ligjit për Vetëqeverisjen Vendore pasi Kryetari i Bashkisë ka zero tagër ligjor për të vendosur për miratimin e buxhetit të Bashkisë Tiranë. Kjo është kompetencë ekskluzive e Këshillit Bashkiak.Vlen të theksojmë se në të paktën dy projekte të tjera koncesionare ku rezulton se financuese dhe përfituese kryesore e projektit është Bashkia Tiranë, vendimin për dhënien e dakordësisë në parim apo qoftë edhe miratimin e draft kontratës e ka dhënë vetëm Këshilli Bashkiak i Tiranës,” tha Kryemadhi.

“Pasi ka refuzuar për muaj rresht dhënien e dakordësisë për miratimin paraprak të financimit të projektit të Inceneratorit të Tiranës, Ministria e Financave është mjaftuar vetëm me dakordësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë për t’i çelur rrugën prokurimit dhe konkretisht, në datë 06.04.2017, me shkresën nr. 13118/9 prot., Ministria e Financave, i kthen përgjigje Ministrisë së Mjedisit, duke u shprehur pa komente për vijimin e projektit për sa kohë kërkuar që përfituesi kryesor dhe financuesi i këtij projekti është Bashkia Tiranë (pra Qarku Tiranë është zëvendësuar me Bashkinë Tiranë); Shkelje e pastër e ligjit për menaxhimin Financiar e Ministrit të Financave.

7. Pikërisht, sapo Bashkia Tiranë (dhe jo të gjitha Bashkitë e Qarkut) ka dhënë dakordësinë e saj, për sa i përket rolit të saj në këtë projekt koncesionar, në mbledhjen e datës 12.04.2017 Komisioni i Dhënies me Koncesion të kësaj procedure ka evidentuar këtë fakt, duke i hapur rrugën procedurës së tenderit.

Edhe ky element provon qartazi se sa thelbësore ka qenë dakordësia e Bashkisë Tiranë për vijimin e projektit, thënë ndryshe Erion Veliaj, me firmën e tij të paligjshme ka ndryshuar fatin e koncesisonit të inceneratorit të Tiranës”.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...