“Jam përdorues droge, por nuk merrem me shitjen e saj. Me miqtë e mi konsumoj drogë kur gjej”- ka thënë Stresi në polici”.
Sipas tij, kokainën e kishin sjellë disa djem për ta konsumuar. “Dua të lirohem se nuk kam bërë asnjë shkelje”- ka thënë më tej Stresi.
Arrestimi
Reperi i njohur Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit Stresi, është arrestuar dje bashkë me shokun e tij, pasi sipas Policisë së Tiranës u gjet duke konsumuar kokainë.
Stresi u shoqërua bashkë me 4 persona të tjerë në orët e vona të mbrëmjes së të enjtes nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”. Burime zyrtare të Policisë thanë dje se gjatë kontrollit të kryer në një lokal bastesh sportive, në rrugën “Ali Pashë Gucia”, 5 të rinjtë u kapën duke konsumuar lëndë narkotike, të llojit kokainë.
Pas përfundimit të veprimeve procedurale, oficerët e Antidrogës kryen arrestimin e Arkimed Lushajt, 30 vjeç, dhe shokut të tij Kujtim Përshpalaj, 34 vjeç. Ndërsa u proceduan në gjendje të lirë tre shtetasit e tjerë me inicialet A.V., 30 vjeç, J.B., 28 vjeç dhe L.P., 31 vjeç.
“Procedimi ndaj shtetasve të lartpërmendur është kryer pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga ana e shërbimeve të Forcës së Posaçme ‘Shqiponja’, në një lokal bastesh sportive në rrugën ‘Ali Pashë Gucia’, janë kapur në kushtet e flagrancës duke konsumuar lëndë narkotike brenda në lokal”, tha zyrtarisht Policia.
Mësohet se në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një qese ambalazhi, brenda të cilës kishte një sasi pluhuri me ngjyrë të bardhë e dyshuar e llojit kokainë, një pjatë porcelani, ku sipër saj kishte një sasi pluhuri me ngjyrë bardhë dhe dy karta karburanti. Policia tha se 5 të rinjtë akuzohen për “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike në formën e mbajtjes”, “Përshtatje e lokalit për përdorim droge” dhe “Moskallëzim krimi”.