Grupi hetimor që po punon për zbardhjen e vrasjes së ish-policit Arben Bilali, ka në dorë prova të rëndësishme që mund të çojnë drejt identifikimit të autorëve.
Në makinën e përdorur për krimin janë gjetur dy armë zjarri automatike të modifikuara dhe dy maska, që dyshohet se janë përdorur nga autorët. Aktualisht, këto prova po analizohen në Laboratorin e Kriminalistikës për gjurmë gishtash dhe profile gjenetike, në mënyrë që të krahasohen fillimisht në sistemin e të dhënave të Policisë Kriminale.
Automjeti tip “Mercedez Benz SLS”, me ngjyrë blu të errët, u gjet në afërsi të Mjull Bathores. Pas verifikimeve rezultoi se bëhej fjalë për të njëjtën makinë, me targat AA 757 RV, të vjedhur dy vite më parë nga një “Fiat Punto” në Vlorë, që ishte përdorur në krim. Nga verifikimi i numrit të shasisë së këtij automjeti rezultoi se ishte vjedhur pak kohë më parë në Kosovë.
Nga këqyrja në brendësinë e saj, ekspertët kanë fiksuar prova të rëndësishme që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes. Por më të rëndësishmet janë armët që u gjetën në makinë, dy automatikë, armë me të cilën dyshohet të jetë kryer vrasja. Ish-polici Arben Bilali dyshohet të jetë vrarë për hakmarrje. Në dosjen e Prokurorisë renditen të gjitha indiciet, provat dhe dëshmitë që e kanë çuar grupin hetimor drejt kësaj piste.