Në fshatrat Polenë, Dersnik dhe Voskop të Korcës, fermerët i lanë mollët të kalben në pemë!
"70 % e fermerëve thonë se djersa dhe mundi i gjithë vitit ka vajtur dëm" informon gazetarja e Ora News Lediona Dervishaj.
Në Polenë, kultivuesit e mollës thonë se kjo situatë nuk u kishte ndodhur më parë.
"Jemi në pikë të hallit. Asgjë nuk shkon dhe nuk dimë si do të verë filli" thotë një fermer
Çmimi sipas tyre i papërfillshëm për mollën, nuk ia vlente as për ta vjelur nga pema.
Ndaj një pjesë e mirë e prodhimit u kalb.
Edhe ajo pjesë e prodhimit që është vjelur, fermerët thonë se nuk po shitet. Tregtarët u japin çmim qesharak, sipas tyre, ndërkohë që në tregjet e qyteteve të tjera i njejti produkt kushton disa herë më shumë
"Molla shitet përsëri me cmim të lartë dhe fitimin e marrin tregtarët" thotë një fermer
Për vite me radhë, fermerët e zonës u orientuan drejt frutikulturës. Mbollën me dhjetra hektarë tokë me mollë, por tashmë kanë nisur ti presin.
Fermerët e cilësojnë një vit ters, ku sipas pretendimeve nuk kanë nxjerrë as kostot, ndërsa fajësojnë strukturat e shtetit për mungesën e politikave për mbështetjen e prodhimit vendas.