Këto toka në fshatin Hoxharë të Fierit nuk prodhojnë më.
Fermerët kanë zgjedhur të mos i mbjellin pasi nuk marrin mbrapsht as mundin dhe as prodhimin e dëshiruar. Shkak janë bërë përmbytjet e vitit 2015 dhe 2017, që i kanë kthyer ato në joproduktive.
Fermer: Nuk japin prodhim. U përmbytën dy herë rresht.
Në Hoxharë banorët jetojnë përmes të ardhurave nga bujqësia dhe blegtoria. Me dëmtimin e tokave edhe jetesa e tyre është bërë e vështirë. Ndër vite, ata thonë se nuk kanë marrë dëmshpërblim për tokat e përmbytura apo asistencë nga qeveria.
Fermer: Në 2015 na erdhën vlerësimet. Asnjëri nuk mori. Ata që kishin njohje me kryetarin e bashkisë i mori të gjitha.
Rreth 80% e tokave në këtë fshat janë cilësuar të kategorisë së 7, që do të thotë se prodhojnë shumë pak, ndërsa përmbytjet e fundit kanë përkeqësuar gjendjen e tyre. Në kushte të tilla, fermerët apelojnë shtetin që të mos u marr taksën e tokës, për aq kohë sa ato mbeten djerrë.