Reforma e fiskalizimit, njoftuar nëpërmjet një nisme ligjore të nxjerrë për konsultim, synon të zbatojë një sistem të ri monitorimi të qarkullimit dhe faturës online. Në thelb, qëndron lufta për uljen e nivelit të ekonomisë informale. Kjo do të reflektohet më pas në efekt zinxhir tek rritja e nivelit të të ardhurave që arkëtohen në buxhetin e shtetit. Teksa ky hap cilësohet pozitiv në shumicën e aspekteve që përfaqëson, ku armët kundër informalitetit janë sofistikuar, duke kaluar tek teknologjia, pikëpyetjet që shtrohen lidhen me kostot që sjell kjo nismë. Po kështu edhe sfidën që shtron para për ta bërë të kuptueshme në mesin e biznesit
Nga 1 janari 2020, të gjithë transaksionet midis bizneseve dhe konsumatorit, do të raportohen në kohë reale pranë Administratës Tatimore përmes një sistemi të ri pajisjesh fiskale. Reforma e fiskalizimit, siç është quajtur nga përfaqësuesit e qeverisë, synon që në një fazë të dytë që nis nga 1 janari 2021, të mundësojë që edhe gjithë transaksionet ndërmjet biznesit me njëri-tjetrin dhe ndërmjet biznesit dhe organeve publike të bëhen në bazë të faturës elektronike.
Ministria e Financave ka nxjerrë për konsultim draftin që synon përmes fiskalizimit uljen e informalitetit me një sërë efektesh zinxhir në ekonomi, nga përdorimi i asaj që nënvizohet si faturë elektronike.
Që nga prezantimi në fazën e parë të draftit e në vijim, theksi nga institucionet e përfshira direkt në reformë, siç është Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është vënë te fakti që nuk do të kemi më kupon tatimor, ky koncept do të ezaurohet për t’i lënë vend vetëm konceptimit të faturës, e cila do të vijë në formën e faturës së printuar nga një printer fiskal dhe që shoqëron mallin ose si e-faturë që nënkupton një faturë të lëshuar, dërguar dhe pranuar në format elektronik, që lejon përpunimin e saj automatik dhe elektronik.
Reforma e fiskalizimit, çfarë synon
Njoftimi i reformës së fiskalizimit, në të njëjtën kohë me fushatën e anti-nformalitetit, si dhe një sërë nismash ligjore të lidhura me kërkesat e Moneyval në kundër të luftës kundër pastrimit të parave, nuk është i rastësishëm. Autoritetet pranuan se kjo është pjesë e një plani më të madh sesa një fushatë e radhës, duke nënvizuar se është parakusht i hapjes së negociatave me Bashkimin Europian që të bëhen përpjekje serioze për formalizimin e ekonomisë. Ekonomia gri e vlerësuar nga Banka Botërore shpesh është cilësuar mbi nivelin 40%, një tregues që e vërteton fare thjesht edhe aksioni antiinformalitet i Tatimeve, shkruan ‘monitor’.
Konkretisht nga 1933 biznese të kontrolluara në muajin korrik, të paktën 41% e tyre rezultojnë me shkelje të ndryshme, që në mënyrë të drejtpërdrejtë prek konkurrencën në treg, të ardhurat në arkën e shtetit e kështu me radhë. Të paktën shtatë janë synimet e reformës së fiskalizimit, të deklaruara deri më tani në daljen e ministres së Financave, Anila Denaj, në ditën e nxjerrjes për konsultim të draftit “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”.
Së pari, synohet ulja e nivelit të ekonomisë informale, së dyti përmirësimi në mbledhjen e të ardhurave, së treti identifikimi më i lehtë i evazionit, së katërti bërja e auditimit të taksave me kosto eficente, së pesti ulja e nivelit të korrupsionit në administratë, së gjashti ofrimi i më shumë shërbimeve publike për qytetarët dhe biznesin, së shtati pozicionimi i Shqipërisë më afër standardeve të Bashkimit Europian.
Më pak inspektorë në terren, më shumë përpunim të dhënash
Ministria e Financave ka deklaruar se fiskalizimi synon që mbi të gjitha të orientojë kontrollet aty ku paraqitet saktësisht risku. Kjo parashikohet që të arrihet përmes përpunimit më të mirë të të dhënave që merren në kohë reale nga sistemi online. Vetëm për këtë pjesë parashikohet që të ketë një “Intelligence Unit” (Njësi Inteligjence), e cila do të marrë trajnimet e nevojshme për të përpunuar bazën e të dhënave.
Burime zyrtare pranë Financave u shprehën se Njësia e Inteligjencës pranë Tatimeve ekziston ashtu sikurse ka edhe bazë të dhënash. Ajo që sot mungon është përpunimi i tyre, çka orienton drejt kontrolleve në terren që e kanë më të saktë objektivin e riskut.
Ndër të tjera, Ministria e Financave synon që ky ekip inteligjence të trajnohet nga britanikët në një ofertë që është bërë prej tyre për disa trajnime falas. “Monitoruesit dhe inspektorët tatimorë nuk do të duhet më të fokusohen tek taksapaguesit e ndershëm, por tek ata që përbëjnë risk për evazion”, deklaroi ministrja e Financave, Anila Denaj në daljen e saj të pak ditëve më parë.
Fiskalizimi do të ketë kosto, një pjesë e kasave do të ndryshojë
Reforma e fiskalizimit padyshim që është një nismë pozitive në ekonominë shqiptare, duke tentuar që për herë të parë të kombinojë një sërë “armësh” në luftën ndaj informalitetit. “Qëllimi kryesor i këtij projekti është të luftojë evazionin fiskal nëpërmjet një legjislacioni të shëndetshëm, pajisjeve teknologjike dhe informacionit të përfituar në kohë reale për çdo transaksion të kryer në vend”, nënvizon Ministria e Financave. Në këtë rast theksi, në mënyrë të veçantë, është vënë te teknologjia duke u ndalur në një sistem të ri monitorimi, kalimi te fatura elektronike, raportimi në kohë reale i transaksioneve.
Të gjitha këto do të kenë nevojë për pajisje të përshtatshme harduer dhe softuer që, sikurse është sqaruar nga Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, do të shihen hap pas hapi. Të dyja këto institucione kanë pranuar se një pjesë e kasave fiskale, që aktualisht përdoren nga biznesi, mund të përshtaten me sistemin e ri fiskal të Tatimeve, duke bërë modifikimet e nevojshme, ndërkohë që një pjesë tjetër, që nuk përballon sistemin e ri, do të duhet të zëvendësohen.
Burime pranë Ministrisë së Financave deklaruan se bizneset që duan të zëvendësojnë kasën me një të re që përballon sistemin, mund ta bëjnë atë pa problem dhe mbështetja do të ofrohet nga katër kompanitë e licencuara të kasave fiskale në treg. Blerja e një kase ka kosto 360 euro, ndërkohë që mirëmbajtja e saj vjetore kushton 60 euro. Duke marrë të mirëqenë një rezistencë të biznesit për të zëvendësuar kasat ekzistuese, kjo edhe për shkak të precedentëve, ku biznesi është detyruar t’i zëvendësojë ato edhe në 2015, Ministria e Financave ka vendosur të shohë nga afër zgjidhje më ekonomike.
“Për të gjithë ata që nuk do të duan të përdorin një kasë ekziston mundësia e kompjuterit dhe telefonave celularë. Ne do të negociojmë me kompanitë e prodhimit të softuerëve që të krijojnë një të tillë për sistemin e ri fiskal i cili do t’i vihet në dispozicion biznesit. Këto kompani do të mund të licencohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve me miratimin edhe të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe synimi është që të kemi një treg të hapur. Përmes protokollit që do t’ju japin ne, ata do të krijojnë këtë softuer dhe do t’ua ofrojnë biznesit.
Ideja është që duke hapur tregun dhe duke pasur sa më shumë kompani në treg, ne të arrijmë në një çmim tavan mes 60 dhe 80 euro pagesë në vit për softe. Ai do të mund të shkarkohet si aplikacion në një smartphone dhe fatura të printohet nëpërmjet një printeri fiskal. E njëjta gjë vlen edhe për kompjuterin. Pra biznesi nuk do ta ketë të nevojshme që të blejë një kasë nga e para, por të përdorë këtë zgjidhje teknologjike që ne do të ofrojmë”, sqaruan burimet pranë Ministrisë së Financave.
Pra kostoja e softit do të jetë e njëjtë me koston që sot paguan një biznes për mirëmbajtën periodike të kasës gjatë një viti. Detyrimin për t’ju nënshtruar këtij sistemi të ri fiskal nuk do ta kenë ambulantët, ndërkohë që për bizneset që nuk kanë mundësi ta përballojnë koston e softit nga Financat është lënë si opsion ofrimi falas, kurse suporti nëpërmjet AKSHI-t.
Të njëjtat burime thanë se sistemi do të jetë gati për testim brenda muajit gusht. Ndërkohë, projekti pilot me disa biznese do të nisë në muajin tetor. Nëntori dhe dhjetori do të jenë muaj intensivë ndërgjegjësimi dhe informimi nga administrata tatimore për të gjitha bizneset në vend për t’u përgatitur me sistemin e ri të kasave online me qëllim që regjimi i ri i kasave të nis pa problem në janar 2020.
Masat paralele, bizneset me llogari brenda 90 ditëve dhe me nënshkrim elektronik
Kuadri ligjor i Financave, gjatë këtij viti, ka pasur një fokus të veçantë sidomos te kërkesat e bëra nga Moneyval në kuadër të parandalimit të pastrimit të parave. Përpos disa akteve që përfshinin institucione të tilla si Bankën e Shqipërisë, Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, në sy do të binin edhe ndryshimet në ligjin “Për disa shtesa në Ligjin nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”.
Ndryshimet synonin që, për herë të parë, të orientonin edhe biznesin e vogël drejt bankës për të hapur llogari bankare. Kjo, përpos pjesës së parandalimit të pastrimit të parave, i shërben edhe reformës së njoftuar të fiskalizimit pasi projektligji i Financave vendos për herë të parë edhe një limit që duhet të ketë biznesi gjendje në arkë.
Por çfarë parashikonin ndryshimet ligjore që detyrojnë biznesin të ketë një llogari bankare? Tatimpaguesit e regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit/Administratës Tatimore janë të detyruar të hapin llogarinë bankare të biznesit të tyre, jo më vonë se 90 (nëntëdhjetë) ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji (data 26.07.2019) dhe ta deklarojnë atë në administratën tatimore. Ndërsa tatimpaguesit e regjistruar rishtas, janë të detyruar të hapin llogarinë bankare të biznesit/organizatës, jo më vonë se 20 (njëzet) ditë kalendarike nga e nesërmja e regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit/Administratën Tatimore dhe ta deklarojnë atë në Administratën Tatimore.
Me anë të Ligjit nr. 31/2019 “Për disa shtesa në Ligjin nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, është përcaktuar se, tatimpaguesit persona fizikë tregtarë, të regjistruar për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, tatimpaguesit persona juridikë, pavarësisht nga qarkullimi që realizojnë, si dhe organizatat jofitimprurëse të regjistruara në organin tatimor, janë të detyruar të kenë llogari bankare të biznesit/organizatës së regjistruar dhe ta deklarojnë atë në administratën tatimore.
Në rast të mospërmbushjes së detyrimit tatimor të sipërcituar, ligji parashikon sanksione për tatimpaguesit. Për secilën kategori, masa e gjobave është e ndryshme.
Kështu tatimpaguesit persona fizikë tregtarë, të regjistruar për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, me qarkullim deri në 8 milionë lekë, gjobë në masën 50 mijë lekë. Tatimpaguesit persona juridikë, pavarësisht nga qarkullimi, si dhe tatimpaguesit persona fizikë tregtarë, me qarkullim mbi 8 milionë lekë, gjobë në masën 100 mijë lekë dhe së treti organizatat jofitimprurëse, gjobë në masën 75 mijë lekë. Në rast se subjekti nuk ka llogari bankare për transaksionet që kryen edhe pas dënimit si më sipër, dënohet me dyfishin e gjobës së parë.
Një tjetër element që kërkohet në kuadër të fiskalizimit është edhe nënshkrimi elektronik. Këtë të fundit e lëshon Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, kundrejt një tarife 4000 lekë në vit dhe do të jetë kusht për çdo biznes. Deri më 1 janar 2020, të gjithë bizneset duke filluar nga xhiro zero duhet të kenë nënshkrimin elektronik të siguruar.
Projektligji për faturën online nga “a” tek “zh”
Gushti do të jetë muaji kur do të zënë vend konsultimet për projektligjin “Për faturën dhe sistemin e monitorimit”, një draft ky me të paktën 49 nene që sqarojnë nga fillimi në fund si do të funksionojë faturimi online. I njëjti qartëson rolet që do të kenë në këtë reformë institucionet publike të lidhura direkt me të si Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, rolin e institucioneve financiare për raportim në kohë reale të transaksioneve që kryhen siç janë bankat si dhe kërkesat që lindin karshi taksapaguesve. Por cilat janë në formë të përmbledhur risitë që sjell nisma e re e qeverisë për fiskalizimin.
Tatimpaguesit që duhet të lëshojnë faturë
Duke nënvizuar se nuk do të kemi më kupon tatimor, por vetëm faturë e cila do të ketë gjithë elementet e sigurisë dhe identifikimit (detajimi i saj arrin deri në mallrat që janë blerë dhe jo thjesht totali i shpenzuar), projektligji saktëson se cilët do të jenë tatimpaguesit që duhet ta lëshojnë atë. Ministria e Financave i ka grupuar në katër kategori këta tatimpagues ku, së pari, personat juridikë dhe fizikë, të cilët janë tatimpagues të tatimit mbi fitimin, në përputhje me ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”.
Së dyti, personat juridikë dhe fizikë, të cilët janë tatimpagues të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, në përputhje me ligjin “Për sistemin e taksave vendore”.
Së treti, personat juridikë dhe fizikë të cilët, pavarësisht nga forma e organizimit, përfshirë organizatat jofitimprurëse, fondacionet, njësitë e zbatimit të projekteve, organet publike qendrore e vendore, organizatat politike dhe institucionet e tjera të ngjashme me to, kur ushtrojnë veprimtari ekonomike, sipas kuptimit në ligjin “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë”. Së katërti, çdo person juridik, fizik, rezident ose jorezident, pavarësisht nga forma e organizimit, kur furnizon mallra ose kryen shërbime ndaj organeve publike.
Tatimpaguesit që nuk duhet të lëshojnë faturë
Edhe pse i konsideruar një revolucion në atë çka parashikon të sjellë fiskalizimi përmes faturës online, qeveria duket se është e ndërgjegjshme që jo të gjithë subjektet mund t’i nënshtrohen atij.
Për të saktësuar këtë pjesë në draftligj, është një nen i dedikuar që rendit të gjithë tatimpaguesit që nuk kanë detyrimin e lëshimit të faturës. Kështu, sipas draftligjit, fatura nuk lëshohet nga tatimpaguesi për llojet e veprimtarive dhe për furnizimin e mallrave dhe shërbimeve, si më poshtë:
a) prodhuesit bujqësorë, që operojnë sipas skemës së kompensimit të fermerit, në përputhje me ligjin për TVSH-në; b) shitja e biletave dhe kuponëve nga shoferi i mjetit të transportit në linjat e transportit urban, në përputhje me vendimet e njësive të vetëqeverisjes vendore; c) furnizimi i mallrave dhe shërbimeve nga persona fizikë të regjistruar në administratën tatimore si “ambulantë”; ç) individët në rastet kur japin me qira një ambient.
Si do të funksionojë lëshimi i faturës, rregullat që duhet të ndiqen
Fatura elektronike synon që të garantojë të gjithë elementet e sigurisë dhe identifikimit për të garantuar gjurmueshmërinë e produktit nga prodhuesi te konsumatori final, shoqëruar kjo në kohë reale me transaksionin që zë vend hallkë për hallkë. Sipas draftligjit të ri, fatura mund të lëshohet fizike dhe elektronike. “Shitësi lëshon faturë dhe blerësi duhet ta kërkojë atë në kohën e realizimit të furnizimit së mallit apo furnizimit të shërbimit. Fatura përgatitet nga shitësi në jo më pak se dy kopje, nga të cilat njërën e merr dhe e ruan blerësi, kurse tjetrën e mban dhe e ruan shitësi.
Përjashtimisht, nëse lëshohet një faturë elektronike, atëherë ajo konsiderohet origjinali, i cili është në dispozicion në sistemin elektronik të shitësit dhe të blerësit”, thuhet në draftligj. Nga ana tjetër, fatura mund të lëshohet edhe nga një palë e tretë e autorizuar për llogari të shitësit apo tatimpaguesit. Një tjetër element që sjell në vëmendje ligji ka të bëjë me detyrimin e tatimpaguesit për të lëshuar faturë edhe në rastin kur pranojnë mallra apo shërbime të furnizuara nga individë që nuk kanë cilësinë e tregtarit dhe nuk janë të regjistruar në administratën tatimore si tatimpagues, nga prodhuesit bujqësorë apo nga tatimpaguesit që nuk kanë seli në Shqipëri.
Për furnizimet në mënyrë të rregullt apo periodike që kryhen nga biznesi, draftligji nënvizon se “fatura mund të lëshohet në mënyrë periodike për disa furnizime mallrash ose shërbimesh, të cilat furnizohen në mënyrë të rregullt ose të vazhdueshme, të realizuara midis personit të tatueshëm dhe klientit të tij në të njëjtin muaj, në të cilin furnizimet janë kryer. Në këtë rast, fatura lëshohet jo më vonë se dita e fundit e muajit përkatës për të gjitha furnizimet e kryera gjatë muajit.
Informacioni përmban një faturë sipas konceptit të ri të fiskalizimit
Për herë të parë në kuadrin ligjor shqiptar përfshihet sqarimi i thelluar për atë që quhet e-faturë. Aktualisht, kjo lloj fature nuk lëshohet nga tatimpaguesit shqiptarë, ose mundësimi i saj në një format të ngjashëm, kryesisht për tatimpagues që kanë marrëdhënie biznesi me kompani të huaja kalon peripeci të gjata. Draft=ligji i ri për faturimin online dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit sqaron se çfarë elementesh do të përfshijë një faturë normale që lëshon biznesi.
Formati i faturës është një element që përcaktohet në formë të veçantë nga Ministria përgjegjëse, në këtë rast ajo e Financave dhe Ekonomisë, por parimisht në projektligj jepen disa elemente që duhet të mbahen parasysh. Kështu çdo faturë duhet të ketë titullin faturë tatimore, datën, vendin dhe kohën e lëshimit, numrin e faturës, numrin unik të identifikimit të shitësit, emrin tregtar dhe emrin dhe mbiemrin e shitësit, adresën, numrin unik të blerësit, kodin e operatorit, kodin e vendit të ushtrimit të aktivitetit, sasinë dhe përshkrimin e mallrave, vlerën totale që duhet të paguhet, si dhe një sërë aspektesh të tjera.
Çdo blerësi, person juridik, fizik, ose individ, i lind e drejta të mos kryejë transaksionin për vlerën e mallit ose shërbimit të ofruar, nëse shitësi nuk lëshon faturën me të gjitha të dhënat e detyrueshme të përcaktuara me këtë ligj. Ndërkohë, fatura që nuk është lëshuar ose për të cilën nuk është kryer procedura e fiskalizimit, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, nuk njihet si një dokument i vlefshëm për qëllime tatimore për një blerës që kryen aktivitet tregtar.
I njëjti draft paraqet edhe elementet që duhet të përfshijë fatura elektronike, e cila përmban, përveç elementeve që ka fatura fizike edhe të dhënat e përfituesit të pagesës, të dhënat e përfaqësuesit tatimor të shitësit, nëse ka, referencën e kontratës, të dhënat e dorëzimit. Drafti i jep një zgjidhje teknike edhe regjistrimit të pajisjes fiskale, e cila do të gjenerojë faturat dhe kjo e fundit do të ketë një numër unik, që i mundësohet nga administrata tatimore.
“Kodi i pajisjes elektronike të faturimit gjenerohet nga sistemi informatik i administratës tatimore në momentin e testimit të parë gjatë regjistrimit të pajisjes elektronike të faturimit, i cili duhet të kryhet jo më vonë se 24 orë përpara lëshimit të faturës nga ajo pajisje elektronike faturimi. Ndër elementet e tjera që duhet të përmbajë ky test hyrje, përcaktuar në udhëzimin e ministrit përgjegjës për Financat, përfshihet gjithashtu kodi i vendit të ushtrimit të veprimtarisë të biznesit ku do të përdoret pajisja elektronike e faturimit”, nënvizon draft ligji.
Sistemi i ri i faturës online, çfarë ndodh me tatimpaguesit aktualë dhe ata të rinj
Të gjithë tatimpaguesit aktivë në sistemin e Tatimeve nuk do të kenë nevojë të ndjekin ndonjë procedurë specifike për sistemin e ri të faturimit online.
Projektligji nënvizon se tatimpaguesit, të cilët në datën 31.12.2019, janë të regjistruar si tatimpagues aktivë në administratën tatimore dhe që janë subjekt i lëshimit të faturave, caktohen automatikisht në regjistrin e tatimpaguesve që mban administrata tatimore si tatimpagues që lëshojnë fatura.
Ndërkohë të gjithë tatimpaguesit e rinj që regjistrohen nga data 1.1.2020, të gjithë tatimpaguesit e rinj të cilët do të regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit, caktohen automatikisht si tatimpagues që lëshojnë faturë në regjistrin e tatimpaguesve që mban administrata tatimore.
“Për të gjithë tatimpaguesit e rinj të cilët regjistrohen tek administrata tatimore, pas datës 1.1.2020, regjistrimi i tyre në regjistrin e tatimpaguesve që lëshojnë faturë, bëhet automatikisht nga administrata tatimore ose në bazë të kërkesës së tatimpaguesit. Kërkesa bëhet në rrugë elektronike nëpërmjet platformës qendrore të faturave, apo në raste të veçanta, personalisht në drejtoritë rajonale, sipas vendit të regjistrimit, vendbanimit ose vendqëndrimit të rregullt, me fillimin e furnizimit të mallrave dhe shërbimeve mbi bazën e të cilit do të bëhen subjekt i lëshimit të faturave, në përputhje me këtë ligj, dhe jo më vonë se 24 orë përpara lëshimit të faturës së parë”,- sqarohet në draft.
Regjistrimi i prodhuesve dhe mirëmbajtësve të softuerëve
Risia e draftit është përfshirja e zgjidhjes alternative të faturimit përmes një softueri që instalohet në kompjuter apo smartphone. Thënë këtë, lind nevoja e regjistrimit të prodhuesve dhe mirëmbajtësve të softuerëve, një praktikë kjo që i ngjan pak a shumë asaj të kompanive të kasave që është aktive sot. Draftligji parashikon se përpara fillimit të ushtrimit të veprimtarisë së ofrimit të zgjidhjeve softuerike ose shërbimeve të mirëmbajtjes në territorin e Republikës së Shqipërisë, prodhuesit dhe mirëmbajtësit e zgjidhjeve softuerike duhet të regjistrohen në mënyrë elektronike në regjistrin e prodhuesve dhe mirëmbajtësve softuerikë të AKSHI-t duke përdorur platformën qendrore e faturave të kësaj të fundit.
Ky i fundit ka detyrimin që t’i certifikojë këta prodhues dhe mirëmbajtjes së bashku me administratën tatimore për zgjidhjen teknike, përpara fillimit të ushtrimit të veprimtarisë së ofrimit të kësaj zgjidhje softuerike ose shërbimeve të mirëmbajtjes në territorin e Republikës së Shqipërisë. Fakti që këto subjekte regjistrohen pranë AKSHI-t nuk përjashton detyrimin e këtyre të fundit që të regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit apo administratën tatimore të subjekteve, të cilët ushtrojnë veprimtari tregtare dhe jotregtare në përputhje me legjislacionin në fuqi, apo aktet nënligjore në zbatim të tij.
Pas regjistrimit AKSHI i jep në formë elektronike subjektit që prodhon softuerë certifikatën dhe kodin e regjistrimit të zgjidhjes softuerike. Kjo certifikatë ruhet në platformën qendrore të faturës, në llogarinë e përdoruesit të subjektit. “Tatimpaguesi që lëshon faturë dhe prodhuesi ose mirëmbajtësi i softuerit janë përgjegjës për funksionalitetin e zgjidhjes softuerike.
Për këtë qëllim, çdo prodhues dhe mirëmbajtës i softuerit që është regjistruar në regjistër, sipas pikës 1 të këtij neni, nëpërmjet platformës qendrore të faturave mund të verifikojë listën me emrin dhe numrin unik të identifikimit për të gjithë tatimpaguesit që lëshojnë fatura përmes zgjidhjes së tyre softuerike, ose që kanë dhënë informacion që ato të përdorin shërbimet e tyre të mirëmbajtjes”, thuhet në projektligj.
Fiskalizimi i biznesit të vogël, përmes faturave të thjeshta
Mundësia për kosto shtesë të lidhura me fiskalizimin nga njëra anë dhe mungesa e edukimit të nevojshëm për të kuptuar funksionimin e një sistemi që ka në bazë zgjidhje softuerike, në anën tjetër, ka bërë që Ministria e Financave të shohë hapësirat e fiskalizimit për biznesin e vogël. Kjo, në kuptimin e gjetjes së zgjidhjeve më pak të komplikuara.
Tatimpaguesit, që lëshojnë faturë, të cilët në përputhje me ligjin “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë”, konsiderohen subjekt të regjimit të bizneseve të vogla, të cilët, plotësojnë kriteret e përcaktuara me Vendim të Këshillit të Ministrave nuk kanë nevojë të instalojnë pajisje të veçanta elektronike të faturimit, as zgjidhje të veçantë softuerike për zbatimin e procedurës së fiskalizimit, as të paraqesin informacion në lidhje me mirëmbajtjen e zgjidhjes softuerike, por mund të përpilojnë fatura të thjeshta. Kjo lloj fature përfshin elemente të tjera të ndryshme nga ajo elektronike apo e përgjithshme. Këshilli i Ministrave, nga ana tjetër, mund të kufizojë me vendim sektorin e biznesit që do të përjashtohet nga detyrimi për faturë të thjeshtë.
Pagesa me para në dorë dhe pagesa pa para në dorë
Projektligji i Financave merr parasysh dy variante të pagesës në marrëdhënien e biznesit me konsumatorin apo të biznesit me biznesin, ajo me para në dorë dhe ajo pa para në dorë që kryhet me transaksione bankare. Për rastet kur fatura paguhet me para në dorë drafti sanksionon se Fatura duhet të printohet në letër me të gjitha të dhënat e nevojshme të faturës dhe t’i nënshtrohet procedurës së fiskalizimit, sipas këtij ligji, dhe t’i dorëzohet blerësit në momentin e furnizimit të mallrave ose shërbimeve.
“Përjashtimisht nga ky rast, nëse ofrohet një shërbim elektronik ose furnizimi i mallrave ose shërbimeve kontraktohet dhe paguhet nëpërmjet një aplikacioni celular, ose dyqani në internet apo të ngjashme, fatura nuk ka nevojë të printohet në letër, por mund t’i dërgohet blerësit ose marrësit të faturës, nëpërmjet postës elektronike (e-mail) ose si faturë elektronike”,- thuhet në draft.
Nga ana tjetër fatura, e cila lëshohet për furnizimin e mallrave dhe shërbimeve në transaksionet në të cilat shitësi dhe blerësi janë tatimpagues, të cilët janë subjekt të TVSH-së, ose të tatimit mbi fitimin, ose të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, në përputhje me ligjet e fushës, duhet të lëshohet, dërgohet dhe pranohet si faturë elektronike, nëse fatura është paguar ose do të paguhet pa para në dorë.
Fatura elektronike, duhet të ketë të gjitha të dhënat e nevojshme dhe të lëshohet, duke zbatuar procedurat e fiskalizimit të përcaktuara me këtë ligj, dhe duhet të jetë në përputhje me standardet europiane. Në rast të furnizimit të mallrave me transport, tatimpaguesi që lëshon faturë, detyrohet të lëshojë një faturë elektronike dhe të zbatojë procedurën e fiskalizimit menjëherë përpara kryerjes së transportit të mallrave, dhe të printojë në letër kodin QR me të dhënat e përcaktuara në udhëzimin e Ministrit përgjegjës për Financat, dhe t’ia dorëzojë atë transportuesit.
Transportuesi duhet ta ruajë këtë dokument gjatë tërë kohëzgjatjes së transportit të mallrave, nga nisja deri në destinacion, ose deri sa t’ia dorëzojë mallrat blerësit dhe, detyrohet me kërkesën e zyrtarëve të administratës tatimore, ta vendosë këtë dokument në dispozicion të tyre.
Limiti i arkës, biznesi i vogël 50 mijë lekë në ditë; i madhi, 800 mijë lekë
Për herë të parë draftligji “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit” vendos konceptimin e limit të arkës duke detyruar kështu biznesin që të respektojë kufijtë që i janë vendosur.
Kjo do të thotë se tatimpaguesi që lëshon faturë detyrohet që paratë që ka grumbulluar gjatë ditës mbi çfarëdo baze, që tejkalojnë nivelin e caktuar maksimal të arkës, t’i depozitojë në llogarinë bankare në të njëjtën ditë, dhe jo më vonë se ditën e ardhshme të punës.
Kur tatimpaguesi që lëshon faturë, të cilit i janë bllokuar llogaritë e biznesit për mospagim të detyrimeve, nuk mund të paguajë me para në dorë ose të mbajë para në arkë, por duhet që këto para t’i depozitojë menjëherë në llogarinë bankare për veprimtarinë e rregullt të biznesit, dhe jo më vonë se ditën e ardhshme të punës.
Parimisht, tatimpaguesi mund të mbajë para kesh (kartëmonedha dhe monedha), në fund të ditës së punës, deri në shumën maksimale të arkës. Shumën maksimale të parave kesh e përcakton tatimpaguesi që lëshon faturë, në mënyrë të pavarur, duke nxjerrë një akt të brendshëm, në përputhje me nevojat dhe kushtet e sigurisë, por kjo nuk mund të jetë më shumë se maksimumi që përcakton projektligji.
Por cilat janë limitet e arkës sipas tij? “Tatimpaguesi që lëshon faturë, mund të caktojë shumën maksimale të parave kesh në arkë, në mënyrën e mëposhtme: a) tatimpaguesit me qarkullim vjetor në vitin e kaluar deri në 2 milionë lekë deri në 50 000 lekë; b) tatimpaguesit me qarkullim vjetor mbi 2 milionë deri në 14 milionë lekë deri në 300 000 lekë; c) tatimpaguesit me qarkullim vjetor mbi 14 milionë lekë deri në 800 000 lekë” thuhet në projektligj.