Vjeshta për maturantët do të nisë me 27 gusht me provimin e Gjuhës së Huaj. Janë rreth 4 mijë maturantë që nuk mundën të kalonin në qershor dhe deri në datën 6 shtator do të kenë mundësi të përsërisin provimet.
Në datën 1 shtator do të nisin regjistrimet në Universitet. Por jo të gjithë maturantët janë në pritje të pranimeve nga institucionet e arsimit të lartë.
Rreth 4 mijë prej tyre do të duhet të përsërisin provimet pasi në qershor rezultuan mbetës.
Vjeshta për maturantët mbetës nis më 27 gusht me provimin e Gjuhës së Huaj, pasuar nga ai i Gjuhës Shqipe për 30 gusht, në datën 3 shtator ata do t`i nënshtrohen testit të Matematikës dhe në datën 6 shtator Provimit me Zgjedhje.
Procesi do të jetë po i njëjtë dhe shkalla e vështirësisë po ashtu. Provimi do të zgjasë 2 orë e gjysmë dhe do të përbëhet nga 32 pyetje, nga të cilat rreth 20 me alternativë.
I vetmi ndryshim do të jetë vendi ku do të zhvillohet provimi. Më të pakët në numër, maturantët mund të grumbullohen në të njëjtin mjedis, por gjithmonë brenda qytetit të tyre.
Ata që do të kalojnë provimet dhe do ta kenë mesataren mbi 6.5 mund të aplikojnë për në Universitet në raundin e dytë.
Ndërkohë ditën e martë dekanët e katër fakulteteve të Universitetit të Tiranës do të mbajnë një konferencë për shtyp lidhur me pranimet në këtë institucion.