Shqipëria me të treja rajonet e saj (veri, qendër, jug) renditet më e varfra në Europë sipas një krahasimi që bëri Eurostat për të ardhurat për frymë sipas Paritetit të Fuqisë Blerëse në vitin 2017. Të dhënat bëhen të ditur në Librin Vjetor të Eurostat, të publikuar së fundmi.
Por nga të gjitha rajonet e Europës Shqipëria renditet e fundit, pasi konsumi i saj për frymë nuk është as sa një e treta e mesatares së BE-së. Ndërsa Rajoni i veriut në Shqipëri renditet si rajoni më i varfër në Europë. Veriu ka të ardhura sa 22.7% e mesatares europiane. Kjo do të thotë që qytetarët e veriut duhet të jetojnë me një të pestën e të ardhurave në raport me një europian mesatar. Për çdo 100 euro që fiton një europian, ata marrin vetëm 22.7 euro.
Jugu i Shqipërisa ka të ardhura sa 28.25 e mesatares europiane. Më mirë paraqitet situata në qendër, ku ky tregues ngjitet në gati 32.8% të mesatares europiane. Mali i Zi ka të ardhura sa 38.7% e mesatares europiane, maqedonia sa 34.7%.
Diferenca të mëdha ka dhe Serbia. Në zonën e Beogradit, të ardhurat janë sa 62.5% e mesatares europiane, ndërsa në Jug ka zona ku ky tregues është rreth 24%.
Diferencat në Europë
Krahasimi i Eurostat me bazë rajonet pohon se edhe brenda një vendi të zhvilluar si Gjermania ka rajone që shpenzojnë më pak se mesatarja e BE për frymë sikur ka edhe të tjera që shpenzojnë shumë me tepër se mesatarja.
Shembulli tipik për pasurinë e krijuar është Londra, ku në një rajon të saj të ardhurat për frymë ishin 5.8 herë më të larta se ato të mesatares së BE-së., ndërsa në të pesë Rajonet e Londrës PBB-ja për frymë ishte mbi 2 herë më e madhe se mesatarja e BE-së.
Luksemburgu (një rajon i vetëm në këtë nivel detajesh) që ka një industri bankare dhe financiare të konsiderueshme kishte PBB për banorë 2.45 herë më e lartë se mesatarja e BE-28. Kjo është e lidhur dhe me numrin e ulët të popullsisë.
Gjithashtu ndër më të pasurit në Europë renditet një rajon i Irlandës ku shpenzimet për frymë ishin 2.6 herë më të larta se, mesatarja e BE-së për shkak të zhvillimit të farmaceutikës dhe teknologjisë së informacionit.
Ndërsa në Çeki vihet re pabarazia me e lartë ndërmjet qyteteve. Teksa Praga renditet e shtata në Europë për nivelin e lartë të ardhurave për frymë, qytete të tjera të Zapadne Slovensko kishin të ardhurat për frymë sa 68.6% e mesatares se BE-së.
Në krahun tjetër, Gjermania ka rajone më të pasura se kryeqyteti. Së paku 19 rajone në Gjermani kanë të ardhura më të larta për frymë se banorët e Berlinit.
Rajonet ‘më të varfra’ të BE-së janë të shtrira kryesisht në Lindje dhe në Mesdhe. Këto vende ndahen në dy grupe të dallueshme: Me popullsi të rrallë, rurale dhe rajone që karakterizohen nga popullata në plakje dhe emigracioni neto; ose rajone post-industriale, që kanë mbetur të braktisura.
Në hartën më poshtë ku bën pjesë edhe Shqipëria rajonet më të varfra në BE janë treguar me ngjyrë të purpurt. Këto rajone shtrihen nga Letonia në në Veri, përmes pjesëve lindore të BE-së, poshtë në Greqia dhe Italia e Jugut dhe shtrihet në të gjithë zonën mesdhetare./MONITOR