Bizneset i kanë borxh tatimeve një shumë prej 107.7 miliardë lekë, ose rreth 880 milionë euro, sipas të dhënave të tatimeve të raportura në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) për buxhetin faktik 2018.
Kompanitë me status aktiv kanë 43% të borxhit në total vendi, ndërsa 57% janë subjekte që nuk kanë më aktivitet.
Drejtoresha e tatimeve Delina Ibrahimaj sqaroi së fundmi se si do të mblidhen këto detyrime. “Ato janë borxhe që nuk janë krijuar muaj për muaj, por kanë dalë në pah si rezultat i kontrolleve tatimore. Në momentin që borxhi është shumë i lartë dhe është gjetur nga kontrolli, administrata tatimore ka marrë masa shtrënguese deri në konfiskimin e aseteve.
Është vështirë të kryhen gjithë proceset e ankandit për të marrë mbrapsht para dhe për të mbyllur borxhin tatimor. Pra, për të gjithë ato subjekte, të cilat janë me borxh të lartë, të cilat shfrytëzojnë pasuri natyrore, janë marrë masat e konfiskimit të aseteve të tyre aty ku ka pasur asete për të konfiskuar.
Nga ana jonë, ne kemi marrë të gjitha masat shtrënguese për të mbledhur borxhin e keq, por ka dhe disa limitime. Aty ku nuk ka asete, ne kemi marrë masa për bllokimin e llogarive, si për subjektet dhe për administratorët e subjekteve, aty ku ka asete, kemi barra siguruese” – sqaruan Tatimet.
Të dhëna të tjera të tatimeve bëjnë të ditur se debitori më i madh është rafineria e naftës ARMO, dhe kompanitë e lidhura prej saj, me një total prej 126 milionë euro, ose sa 14% e borxhit tatimor që kanë të gjitha bizneset. Debitori i dytë më i madh është Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), me një borxh prej 6.2 miliardë lekësh./Monitor