Shkarkimet nga administrata shtetërore kanë krijuar një kosto mjaft të rëndë për buxhetin e shtetit. Vetëm për periudhën 2016-2019 barra financiare llogaritet 1mld e 146 mln lekë. Peshën kryesore të borxhit e mbajnë Ministria e Shëndetësisë, Financave dhe Ekonomisë si dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.
Shkarkimet nga administrata gjatë ndërrimit të pushtetve janë kthyer në një gangrenë për buxhetin e shtetit në Shqipëri, i cili është detyruar të bëjë pagesa të majme për pushimet nga puna.
Punonjësit e larguar padrejtësisht kanë hedhur në gjyq shtetin duke fituar të drejtën për shpërblim. Pas një kërkese për informacion pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, televizioni "Ora Neës" ka mësuar se detyrimet arrijnë në 1 mld e 146 milion lekë vetëm për periudhën korrik-shtator 2019.
Ndërkohë që të shkarkuarit që përllogariten në këtë borxh janë të periudhës 2016-2019 që korrespondon me manadin e dytë të qeverisë Rama si dhe me zgjedhjet vendore ku të gjitha bashkitë kaluan nën drejtimin e maxhorancës.
Ndërkohë sipas ministrive largimet më të shumta nga administrata dhe si rrjedhojë edhe detyrimet rezultuan që t'i ketë ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me 437 mln lekë e ndjekur nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë me 391 mln lekë si dhe ministria e Turizmit dhe Mjedisit me 204 mln lekë.
Po ashtu me borxhe të konsiderueshme rezultojnë edhe ministria e drejtësisë,ministra e brendshme si dhe e Energjisë dhe Infrastrukturës. Nga të dhënat rezulton se koston më të madhe e mbajnë ministritë të cilat në mandatin e dytë të qeverisë Rama u shkrinë duke u bashkuar edhe administratat përkatëse.
Për të zgjidhur këtë problematikë, e cila përsëritet sa herë ndryshon pushteti politik, ekspertët kërkojnë që titullarët që firmosin largimin e punonjësve të mbajnë përgjegjësi për çdo punonjës.Sipas tyre drejtuesit qoftë ky dhe Ministër duhet të detyrohet të dëmshpërblejë kur ndërmerr veprime të paligjshme.