Afrimi i dimrit dhe rënia e prodhimit masiv po favorizon fermerët e serave në Lushnje. Prej nëntorit ata kanë nisur të shesin me çmime të kënaqshme, por megjithatë ankohen se sezoni ishte dështim. Për ekspertët e bujqësisë, ky është një moment i artë për fermerët shqiptarë pasi në gjithë rajonin ka mungesë prodhimi.
Ditët e fundit të vjeshtës po favorizojnë fermerët e serave në Lushnje.
Çmimi i perimeve ka shënuar rritje gjatë muajit nëntor.
Këtë fundjavë, një kilogram domate tregtohet me 35-40 lekë, ndërsa trangulli me 50 lekë.
Rritje deri në 25 lekë kanë edhe perimet e tjera të serës.
"Abuzojnë tregtarët, e marrin me çmim të lirë këtu dhe shkon me çmim të lartë te konsumatori."
Por edhe pse kjo situatë po i favorizon, fermerët vijojnë të ankohen për mungesën e fitimit.
Disa e lidhin me humbjet e gjithë sezonit, ndërsa të tjerë me koston e lartë dhe mungesën e mbështetjes.
"Është nën kosto prapë."
Duke theksuar mungesën e prodhimit në vendet e rajonit, specialistët e bujqësisë thonë se të fituarit e kësaj situatë të krijuar janë ata fermerë që kanë respektuar kohën e mbjelljeve dhe daljes në treg të prodhimit të serave.
"Ky është momenti në të cilin, në rajon ne jemi pothuajse të vetmit që konkurojmë me produkte në sera.Krahasuar me 2018-2019, eksportët kanë arritur në 23.7% deri në këtë moment".
Gjatë gjithë sezonit të verës, por dhe muajve të parë të vjeshtës, fermerët e serave në të gjithë vendin u ankuan për mungesën e shitjeve.
Specialistët e argumentuan këtë situatë me mungesën e planifikimit të kulturave të mbjella në sera.