Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka çuar në gjykatë Bashkinë e Tiranës, për çështjen e ngritjes së çmimit të ujit.
KSHH ka paditur Komisionerin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe të Drejtën e Informimit se propozimi për rritjen e çmimit të ujit është bërë pa konsultim publik, ashtu siç e kërkon kuadri ligjor.
Enti Rregullator i Sektorit të Furnizimit me Ujë miratoi tarifat e reja për Bashkinë e Tiranës, vetëm pak muaj më parë sipas të cilave çmimi i ujit për konsumatorët u rrit 44 %. Sipas tabelave të vendimit, familjarët që jetojnë në Tiranë nga 1 janari 2018 paguajnë 65 lekë/m3 nga 45 lekë/m3 që ishte më herët, instituçionet publike paguajnë 140 lekë/m3, ndërsa ato private 155 lekë/m3.
Përveç kësaj, rritja është justifikuar me nevojën për të bërë investime, ndërkohë që deri tani Bashkia e Tiranës nuk ka lëvizur asgjë në sistemin e ujësjellësit.
Mënyra sesi u bë kjo rritje çmimi ka bërë që Komuniteti Shqiptar i Helsinkit të çojë çështjen në Gjykatën Administrative të Apelit.
“Detyrimin e palës së paditur, Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, të ndryshojë Vendimin nr. 93 dt. 11.10.20 7, mbi deklarimin e moskompetencës lidhur me Ankesën nr. 1103 Prot., dt. 11.08.2017, të Komitetit Shqiptar të Helsinkit kundër organit publik, Bashkisë Tiranë me objekt “Ankim lidhur me çenimin e se drejtës për njoftimin dhe konsultimin publik për propozimin për rritjen e çmimit te ujit dhe miratimin e tij nga Këshilli Bashkiak i Tiranës dhe propozimin organit publik përgjegjës, Bashkisë Tiranë, të marrë masat administrative ndaj personit/personave përgjegjës, sipas legjislaçionit për shërbimin çivil në fuqi, për shkak se Vendimi për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm nuk është njoftuar dhe konsultuar sipas ligjit” thuhet në objektin e padisë.
Palë të treta në çështje janë Enti Rregullator i Ujit, Këshilli Bashkiak i Tiranës dhe Avokatura e Shtetit.