Policia italiane ka kryer një tjetër mega-operacion antidrogë ndërkombëtar, duke arrestuar gjithsej 37 persona, ndërsa disa të tjerë janë shpallur në kërkim.
Ky grup kriminal i shpërndarë në Itali, Shqipëri, Gjermani e Zvicër kishte nën kontroll tregun e shitjes së drogës në territorin e provincës së Bolzanos. Plot 25 anëtarë të organizatës janë arrestuar sot, kurse 22 u vunë nën pranga brenda territorit kombëtar italian në Trentino Alto Adige, në Venento e Puglia ndërsa për 3 anëtarë të bandës janë arrestuar me urdhër arrestimit ndërkombëtar në Shqipëri, Turqi e Hungari, raportojnë mediat italiane.
Ndër 25 anëtarët e grupit kriminal të arrestuar gjatë fazës finale të operacionit Besa, 20 janë shtetas shqiptarë, 1 kosovar, 2 italianë, 1 tunizian e 1 shtetas i Maqedonisë së Veriut. “Operacioni mori emrin “Besa 2018’ pasi në mars të 2018 u arrestuan 12 trafikantë, 8 shqiptarë e 2 tunizianë , 1 italianë e 1 zviceran kurse u zbulua se të dyshuarit kishin lidhje me njëri tjetrin sipas një kodi zakonor që në Shqipëri quhet besa”, shkruhet më tej në mediat e vendit fqinj.
Droga kryesisht e tipit marijuanë, hashash e kokainë trafikohej nga Shqipëria e kalonte për në Gjermani , në Zvicër e më pas në Itali. Gjatë operacionit u sekuestruan edhe 20 mijë euro.