Koronavirusi/ Udhëzimi i BSH për kreditë: 7 hapat që do të ndiqen nga bankat

Diel, 05 Prill 2020 09:08

Banka e Shqipërisë u ka nisur bankave të nivelit të dytë një udhëzim sipas të cilit bankat do të realizojnë procesin e ristrukturimit të kredive pa penalitete nëpërmjet 7 hapave…

Banka e Shqipërisë u ka nisur bankave një udhëzim me 7 hapa se si do të kryhet procesi i ristrukturimit të kredisë. Ky udhëzim erdhi në mbështetje të urdhrit të përbashkët të datës 17 mars të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, dhe Kryeministrit Edi Rama, për shtyrjen e afatit të pagimit të kësteve të kredisë për biznese dhe individë, të cilët do të hasin vështirësi në këtë periudhë si pasojë e COVID-19.

 

Kryetari i Shoqatës së Bankave, Spiro Brumbulli, tha se procesi i ristrukturimit ka filluar. Ai u shpreh se bankat, aktualisht po grumbullojnë kërkesat nga individë dhe biznese. Shoqata e Bankave tha se kërkesat janë në zbatim të vendimit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, datë 12 mars dhe të urdhrit të përbashkët të Kryeministrit.

 
 

Zoti Brumbulli tha se bankat po ndjekin me kujdes situatën. Vendimi i Bankës së Shqipërisë nuk bën dallim. Të gjithë kredimarrësit kanë të drejtë të kërkojnë shtyrje të kësteve mars, prill dhe maj. Por bëhet fjalë për miratim vetëm për ata kredimarrës që realisht janë të prekur nga COVID-19 për aftësinë paguese.

 

Brumbulli tha se, me daljen edhe të instruksioneve nga Banka e Shqipërisë në zbatim të vendimit të Këshillit Mbikëqyrës, bankat janë të detyruara të hartojnë procedurat e brendshme. Janë përgatitur formularët për aplikim, të cilat gjenden në faqen e internetit të bankës përkatëse, ose sipas udhëzimeve të personelit të bankës në degë. Nga pikëpamja rregullative, procesi konsiderohet i përfunduar dhe tani është zbatimi i tij.

Sipas tij, çdo kredimarrës që për shkak të COVID 19 është prekur në të ardhurat e veta, ka të drejtë të aplikojë dhe të tregojë arsyen. Kryetari i Shoqatës së Bankave thotë se, Kredimarrësi duhet të bisedojë me bankën për të rënë dakord se kur do t’i paguajë këto këste pa penalitete. Pra, nuk ka asnjë penalitet për kredimarrësin. Këto tre këste, ai mund t’i zgjedhë t’i paguajë brenda maturitetit të mbetur të kredisë ose tre muaj më vonë nga data e maturimit të kredisë. Është lehtësi në ngarkesën financiare të kredimarrësit.

Masat për riskedulimin e kësteve të kredisë hyjnë në fuqi në datën 13 mars 2020 dhe zgjasin deri në datën 31 maj 2020. Ato parashikojnë që, gjatë kësaj periudhe, ata kredimarrës individë dhe biznese, gjendja financiare e të cilëve përkeqësohet nga situata aktuale, mund të përfitojnë një shtyrje, deri në 3 muaj, të pagesave të kësteve të kredive të tyre, të marra nga institucionet financiare të licencuara nga Banka e Shqipërisë: banka, jobanka dhe shoqëri kursim-krediti.

Udhëzimi i BSH për ristrukturimin e kredive, 7 hapat që duhet të ndiqen

Banka e Shqipërisë u ka dërguar bankave një udhëzim sipas të cilit ato do të realizojnë procesin e ristrukturimit të kredive pa penalitete nëpërmjet 7 hapave si më poshtë:

-Së pari, me qëllim administrimin sa më të mirë të procesit, subjektet duhet të hartojnë procedura të brendshme për këtë qëllim, të miratuara sipas kuadrit të brendshëm rregullativ, të cilat duhet të jenë transparente dhe të përcjella qartësisht dhe me kujdes te të gjitha funksionet dhe njësitë e bankës të përfshira në këtë proces.

–Së dyti, siç dhe urdhri parasheh, shtyrja kësteve të kredive rekomandohet të kryhet kryesisht nëpërmjet kërkesave specifike për këtë qëllim, të adresuara nga kredimarrësit pranë bankave, në mënyrë që të jenë lehtësisht të dokumentueshme, të verifikueshme nga autoriteti, operacionalisht sa më të procesueshme, si dhe të mundësojnë ruajtjen e shëndetit, si për punonjësit e subjekteve ashtu edhe për klientët në kushtet e krijuara. Mënyrat më efikase rekomandohen të jenë kërkesat e adresuara elektronike, të tilla si rrugë postare elektronike apo platformave dixhitale nëse do të jetë e mundur.

–Së treti, për sa lidhet me shtyrjen e pagesave të kësteve, një proces i rëndësishëm është vlerësimi i kërkesave të paraqitura nga klientët. Vlerësimi përfshin të gjithë spektrin e klientëve huamarrës, individë dhe biznese.

Në rastin e klientëve individë, kriteret që do të merren në konsideratë janë kryesisht vonesa në marrjen e pagës, reduktim i masës së pagës, një kombinim i të dyjave, papunësi e përkohshme, si dhe zgjidhja e kontratës së punësimit, apo çdo kriter tjetër që subjektet e vlerësojnë të arsyeshme.

Materializimi i kritereve duhet të dokumentohet dhe është subjekt verifikimi nga ana e subjektit. Kriteret e mësipërme rekomandohen të zbatohen si për klientët që janë të punësuar në institucione shtetërore/publike, ashtu edhe ata të punësuar në biznese private, pa dallime. Në rastin e klientëve biznese, mbetet në gjykimin e subjekteve kredituese, bazuar në informacionin që këto të fundit disponojnë, gjendjen financiare, llojin e biznesit etj.

–Së katërti, rekomandojmë që subjektet të fokusohen në rastet e adresuara nëpërmjet një kërkese të vlefshme, si dhe të tregojnë kujdes në trajtimin e të gjitha ekspozimeve problematike para hyrjes në fuqi të urdhrit.

–Së pesti, bankat duhet të llogarisin interesat e rregullta të kredive për periudhën e shtyrë, por nuk duhet të llogarisin penalitete për vonesat për të njëjtën periudhë. Në këtë kontekst, madhësia e këstit që do të paguhet nuk duhet të jetë më i madh se madhësia e këstit të mëparshëm, përveç rastit kur në marrëveshje me klientin maturimi i kredisë nuk ndryshon

–Së gjashti, rekomandojmë që paralelisht me procesimin e kërkesave për rastet që plotësojnë kriteret, si dhe ndjekjen operacionale të rasteve të pranuara nga ana e bankave, subjektet duhet të veprojnë gradualisht edhe për dokumentimin e marrëveshjeve të arritura, me qëllim shmangien e rrezikut ligjor dhe operacional.

–Së shtati, rekomandojmë që subjektet të dallojnë me një kod të veçantë të gjitha kreditë e miratuara me shtyrje të këstit, me qëllim raportimin e brendshëm dhe monitorimin e tyre në veçanti, por edhe raportimin në Bankën e Shqipërisë, sipas kërkesave në të ardhmen.

Riskedulimi i kësteve vlen deri në 31 maj

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi shtimin e një dispozite të përkohshme në rregulloret e administrimit të rrezikut të kredisë për bankat dhe të administrimit të rrezikut në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka dhe të shoqërive të kursim-kreditit, e cila synon t’u krijojë lehtësi këtyre subjekteve, që në rastet e paaftësisë paguese e kredimarrësve gjatë periudhës tremujore, këto institucione të mos jenë subjekt i zbatimit të kërkesave të këtyre rregulloreve që lidhen me klasifikimin dhe krijimin e fondeve për provigjione.

Ky vendim mori në konsideratë faktin se nisur nga situata e krijuar, ngadalësimi i aktivitetit të njësive ekonomike apo pamundësia e lëvizjes së individëve, mund të përcjellë pasoja edhe në aftësinë paguese të tyre, duke krijuar vështirësi për shlyerjen e detyrimeve sidomos gjatë periudhës vijuese 3-mujore, kur pritet që shpërndarja e virusit të arrijë pikun e vet.

Në këtë mënyrë, do të jetë e mundur që bankat dhe institucionet e tjera financiare të sipërpërmendura të akomodojnë nevojat e klientëve për një riskedulim të kësteve të kredisë, duke mos i ngarkuar ata me penalitete apo me përkeqësim të statusit të kredimarrësit, duke qenë se mospagimi i kredisë ka ardhur si pasojë e kushteve të vështira të këtyre ditëve jashtë kontrollit të tyre.

Masat për riskedulimin e kësteve të kredisë hynë në fuqi në datën 13 mars 2020 dhe zgjasin deri në datën 31 maj 2020. Ato parashikojnë që, gjatë kësaj periudhe, ata kredimarrës individë dhe biznese, gjendja financiare e të cilëve përkeqësohet nga situata aktuale, mund të përfitojnë një shtyrje, deri në 3 muaj, të pagesave të kësteve të kredive të tyre, të marra nga institucionet financiare të licencuara nga Banka e Shqipërisë: banka, jobanka dhe shoqëri kursim-krediti. Në këtë pikë, theksojmë se ky është një proces që bën të mundur vetëm riskedulimin e detyrimeve që këta kredimarrës kanë, por jo falje të tyre.

Për të bërë të mundur këtë nevojitet që, të gjithë ata kredimarrës, biznese dhe individë, të cilët preken ekonomikisht dhe financiarisht nga kjo situatë, dhe që dëshirojnë të përfitojnë nga kjo lehtësi e ofruar, të kontaktojnë me institucionin financiar (bankë, jobankë, shoqëri kursim-krediti) me të cilin kanë marrëdhënien e kreditimit dhe të informojnë këta të fundit mbi këtë kërkesë.

Më pas, do të jetë institucioni financiar (banka, jobanka, shoqëria e kursim-kredititi) i cili, në bashkëpunim me kredimarrësin, do të vlerësojë kërkesën dhe, bazuar në specifikat e rastit, do të ofrojë edhe zgjidhjen përkatëse. Ndërkohë, kredimarrësit, aftësia paguese e të cilëve nuk preket apo dëmtohet nga kjo situatë, duhet të vijojnë normalisht shlyerjen e detyrimeve të tyre me këto institucione./Monitor/

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...