Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djehsme në Gjirokastër.
Një person ka mbërritur në spitalin e këtij qyteti pa shenja jete.
Viktima është një 60-vjeçar i quajtur Andrea Xhavara.
"Rreth orës 20:30 njoftohemi se në Spitalin Rajonal Gjirokastër ka mbërritur pa shenja jete shtetasi A. Xh., rreth 60 vjeç, banues në fshatin Labovë e Zhapës.(Ngjarja ka ndodhur në rrethana ende të paqarta)" - njofton policia.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se ai ka mbetur i vdekur i goditur me sende të forta në një konflikt pronësie, konkretisht për një vijë uji.
Ndërkohë, mësohet se personi tjetër i përfshirë në konflikt është Jano Koleta, i cili dyshohet të jetë edhe autori i krimit.
Burime nga policia konfirmojnë se autori i vrasjes 67 vjeçari Koleta është kapur teksa ishte fshehur në një shpellë në zonën lindore të Labovës.
Policët e kanë gjetur autorin e vrasjes të mbytur në lot dhe duke i rënë kokës me grushte.
Pasi është kapur 67 vjeçari është izoluar në Komisariatin e Policisë në Gjirokastër pasi është shoqëruar nga forca të shumta policie.
Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.