Kadare në studion e Eni Vasilit/ UET Press boton intervistat në 88-vjetorin e lindjes së shkrimtarit

Diel, 28 Janar 2024 20:27

“Letërsia është për mua një lloj jete paralele... Jeta sa ç’është mikja më e madhe e letërsisë, aq edhe armikja më e madhe e saj. Sepse ajo kur hyn në mënyrë të dhunshme në letërsi, kur e ka pjesën e vet më shumë se ç’duhet ta ketë, e dëmton letërsinë. Ashtu sikurse mungon, e dëmton letërsinë. Letërsia është një jetë paralele, sepse po të ishte pasqyrim i jetës, njerëzit s’do të kishin nevojë për të.”

Shkrimtari Ismail Kadare ka preferuar të flasë më pak, e të shkruajë më shumë. Ndoshta siç i përgjigjet gazetares Vasili, sjellë në pasazhin e mësipërm, në jetën e tij paralele të librave i ka dhënë të gjitha përgjigjet, i ka shoshitur të gjitha polemikat e i ka zbërthyer të gjithë skenarët. “Orët e krijimit të mirëfilltë për të ishin të shenjta dhe të pacenueshme nga asgjë”, shkruan bashkëshortja Helena Kadare në parathënie.

E pranishme në  promovimin e mbajtur në ambientet e UET, nën praninë e miqve dhe dashamirësve të çiftit Kadare, të gazetares dhe shtëpisë botuese, bashkëshortja e shkrimtarit tha se ka qenë gjithmonë shoqëruesja e tij nëpër intervista, për “këmbë të mbarë”, siç ai preferonte ta quante me të qeshur. E po ashtu e ka shoqëruar edhe gjatë këtyre 4 intervistave të realizura me gazetaren Eni Vasilin në studiot e disa televizioneve, për të cilën tha se e ka intervistuar me një lehtësi të jashtëzakonshme.

“Ka gjetur çelësin, se për çfarë ka ai kënaqësi të flasë. Pa bërë shumë përpjekje ka arritur të zbulojë mjaltin e mjaltit të kosheres dhe për këtë e përgëzoj. Duke e lexuar librin më impresionoi puna që ka bërë, e cila vazhdon të mbijetojë, t’i shërbejë njerëzve të kohës sonë, ndoshta edhe atyre që do të vijnë”, tha Zonja Kadare.

Por siç rrëfeu gazetarja Eni Vasili, ka qenë një punë e mundimshme, sidomos faza parapërgatitore e intervistimit, e gjendur shpesh në dilemën e ndërtimit të pyetjeve, mosrënies në përsëritje, përpjekjes për të sjelljë diçka të re për publikun dhe audiencën e saj. “Ajo pamje e tij prej gjirokastriti të mençur, pak i rëndë, më bëntë të ndjehesha vulnerabël”, u shpreh gazetarja, duke rrëfyer se frika u tret gjatë intervistës së parë, e cila shkoi shumë mirë, pavarësisht pyetjeve delikate.

“Kadare, shumë hapur, shumë thjesht, ndryshe nga sa e prisja, më tregoi çdo gjë që e pyeta”, theksoi Vasili. Ajo intervistë u bë fillesa e një bashkëpunimi të gjatë profesional, të takimeve të tjera dhe ngritjes së kauzave të fituara, shoqëruar me një miqësi të ngushtë.

Përveç librit, moderatorja zbuloi se për të festuar 20 vjetorin e programit të saj “Open”, në bashkëpunim me UET Press, do të sjellë edhe disa botime të tjera, si dhe një ekspozitë fotografike.

“Bashkë me UET Press menduam që një kontribut që mund të japë ky program në jetën publike dhe që i shërben opinionit, janë disa botime, të cilat janë të mbyllura në arkivat e televizionit, arkivat personale. Duam t’iu japim jetë ngjarjeve, t’iu japim jetë personazheve për të pasur akses të gjithë.”

Kryeredaktorja e shtëpisë botuese UET Press, Suadela Balliu, vuri në dukje se ky libër, i cili vjen në vigjilje të ditëlindjes së 88-të të shkrimtarit, përkon edhe me dhënien e Çmimit Kadare, një nga ngjarjet më të rëndësishme të letërsisë shqipe, e cila mori bekimin e shkrimtarit 10 vjet më parë.

“Në këtë libër nuk do të gjeni autorë, studiues, kritikë që flasin mbi veprën apo shkrimtarin, (ka me qindra botime të këtij lloji sot në botë), por do të gjeni Ismail Kadarenë, që me gojën e tij u përgjigjet edhe pyetjeve më  delikate apo të parehatshme”, u shpreh ajo, duke shtuar se Eni Vasili është ndoshta gazetarja që e ka intervistuar më shumë Kadarenë në Shqipëri.

“Janë katër intervista të gjata televizive prej vitit 2008 e deri më 2017-n, ku shkrimtari ka folur për gjithçka që lidhet me veprën, emrin e tij, çështjen shqiptare, marrëdhëniet me regjimin dhe përmes përgjigjeve ka qartësuar e ka davaritur gjysmë të vërtetat apo të pavërtetat që qarkullojnë mbi të, si përshembull vizita e vetme në shtëpinë e diktatorit Hoxha”, theksoi Balliu.

Më tej, ajo e sugjeroi librin jo vetëm për studiuesit e Kadaresë, por edhe për studentët e Komunikimit, me profil Gazetarinë, ku mund të kuptojnë më mirë procesin e intervistimit, ndërtimin e pyetjeve dhe ngritjen e narrativës së bisedës duke hyrë në psikologjinë  e personazhit.

Studiuesi i letërsisë, Ermir Nika zbuloi se ka punuar mbi 11 vite për krijimtarinë e Kadaresë, kryesisht për prozën romanore dhe frymën e modernitetit që shkrimtari solli në letrat shqipe. Ai u shpreh më tej se Kadare ka sjellë një model në letërsinë botërore, që përfaqëson letërsinë shqipe dhe europiane.

“Kadare ka dhënë intervista shumë herë dhe nuk përsëritet asnjëherë. Nëse i bëhet pyetje e njëjtë, ai e plotëson në spektrin e rrëfimit. Nuk e ka parë asnjëherë veten të vetmuar në habitatin e letërsisë shqipe. Ka një kontribut të madh në ringritjen e disa figurave, si Lasgush Poradeci, Zef Zorba, Frederik Rreshpja, Martin Camaj”, u shpreh Nika.

Pedagogu i UET e rekomandoi librin për punime doktorale. “Duhet të fusim një koncept tjetër për mënyrën se si duhet të komunikojmë proceset krijuese të një autori. Kur autori lë dëshmi, kjo është një ndihmë shumë e madhe për brezat që vijnë, për të qenë sa më pranë të së vërtetës”, tha ai, duke uruar gazetaren që mori guximin për të sjellë sërish në fokus dhe vëmendje Kadarenë, për të cilin gjithmonë ka reagime.

Reagime që nuk e shqetësojnë aq shkrimtarin, sepse sipas tij, si elozhet ashtu edhe kritikat janë të paevitueshme.

“Shkrimtari, arti, artisti, filozofi shkruajnë për “popullin tjëtër” që do të vijë, kështu natyrshëm vepra e tyre krijon keqkuptime... Nganjëherë do ta duan më shumë, nganjëherë më pak, nganjëherë do të bëjnë sikur s’e duan dhe e duan, nganjëherë do të bezdisen prej tij, “na ngatërron punë thonë”, ose do të vijë ndonjë tjetër e do të thotë, “jo, ky është ai që duhet të jetë tamam’.”

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...