Pse modeli i sotëm i ekonomisë shqiptare nuk e ka rritur mirëqenien

E mërkurë, 07 February 2024 14:14

MONITOR

“Shkatërrimi krijues” është një term që filloi të përdoret në vitin 1942, kur inovacioni dhe industrializimi rritën prodhimin dhe produktivitetin, duke revolucionarizuar strukturën ekonomike, por duke shkatërruar njëkohësisht të vjetrën. 

 

Megjithëse mund të rezultojë në probleme të menjëhershme dhe humbje të vendeve të punës, shkatërrimi krijues është vlerësuar pozitivisht, pasi është një nxitës konstruktiv për rritjen dhe përparimin afatgjatë ekonomik. Inovacioni është një faktor kryesor në progresin ekonomik, që nxit shkatërrimin krijues.

Në fakt, bota që prej asaj kohe, ka kaluar cikle rritjeje, rënieje, krizash, por gjithnjë ka ecur përpara e nxitur nga inovacioni, risitë, teknologjia dhe mbi të gjitha, evoluimi i burimeve njerëzore. 

Sot, ekonomia globale po ndryshon me shpejtësi të jashtëzakonshme, e nxitur nga teknologjia dhe përparimet shkencore, që po sjellin nevojën për modele të reja zhvillimi.

Kontrasti është i dukshëm me rrugën që ka ndjekur e po ndjek ekonomia shqiptare. Pas kalimit nga ekonomia e centralizuar në atë të tregut, për tri dekada, avantazhi kryesor konkurrues i ekonomisë vendase ka qenë kostoja e lirë e fuqisë punëtore, që ka nxitur sektorë me vlerë të shtuar të ulët dhe paga minimale.

Tashmë, ky model nuk po funksionon më.

Emigrimi ka krijuar ngërç të vërtetë në tregun e punës. Të gjithë sektorët raportojnë se po vuajnë që të gjejnë punonjës dhe po detyrohen të rrisin pagat, në pjesën më të madhe pa e shoqëruar me përmirësim të produktivitetit, duke ndikuar në uljen e konkurrueshmërisë në raport me fqinjët.

Ky proces, duke qenë i sforcuar, nuk po shoqërohet me rritjen e produktivitetit, duke rrezikuar shumë falimente. Industria nuk po arrin të investojë në përmirësimin e teknologjisë, duke humbur përparësinë e kostos së lirë të fuqisë punëtore, pa krijuar avantazh tjetër. Shqipëria mbetet pas në teknologjinë e informacionit, i cili po zhvillohet kryesisht si shërbim për të tretët.

Turizmi është zhvillimi më pozitiv që i ka ndodhur ekonomisë në vitet e fundit, por sërish, siç u pa dhe nga shifrat e 2023, nuk arriti të sjellë vlerë të shtuar në ekonomi. Përveçse ka ndikim sezonal, nuk shihet të bëhen përpjekje për të ndërlidhur sektorët e tjerë, si industria e përpunimit të ushqimeve.

Për më tepër që ky sektor është mjaft i brishtë, si ndaj zhvillimeve të papritura, ashtu dhe ndaj një përkeqësimi të imazhit, në kushtet e një infrastrukture jo shumë funksionale dhe një rritjeje të shpejtë çmimesh në vendin që është marketuar si ndër më të lirët e Europës.

Ndërtimi ka qenë dhe vijon të jetë një motor i rëndësishëm i ecurisë së vendit. Të dhënat e Eurostat, që llogarisin shpenzimet nominale për ndërtimin, si përqindje ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), apo asaj që prodhon ekonomia në një vit, në 2022, për Shqipërinë ishin sa 18.8% e PBB-së, nga 11.3% që është mesatarja e Bashkimit Europian.

Në të kundërt, investimet për makineri e pajisje, që janë të domosdoshme për ecjen përpara të ndërmarrjeve, pasi ndikojnë pozitivisht në rritjen e produktivitetit, janë më të ulëtat në Europë.

Po sipas Eurostat, në vitin 2022, shpenzimet për makineri e pajisje ishin 4.1% e PBB-së në Shqipëri, e dyta më e ulëta në Europë. Në Serbi, ky tregues është 8.9% e PBB-së, në Mal të Zi, 7.9%, në Bosnjë-Hercegovinë, 9.5%, në Maqedoninë e Veriut, 7.5%.

Prej vitesh diskutohet nevoja e një modeli të ri ekonomik, të orientuar drejt novacionit, shfrytëzimit të avantazheve konkurruese, rritjes së njohurive e vlerës së shtuar.

Praktikisht, vitet e fundit, orientimi më i madh i investimeve është në ndërtim, një sektor i përkohshëm dhe pa vlerë të shtuar në ekonomi.

Ndërtimi dhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme kanë qenë kontribuuesit më të mëdhenj të rritjes ekonomike në tre vitet e fundit, duke ndikuar shpesh në gati 50% të saj. Të dy këta sektorë u nxitën nga bumi i lejeve të ndërtimit që u dhanë në kryeqytet pas vitit 2017 dhe kulmoi në 2022, duke rënë për herë të parë në vitin 2023.

Që modeli i sotëm nuk ka arritur të rrisë mirëqenien, këtë e vërtetoi dhe shifra e fundit e FMN-së për varfërinë, që ishte rritur në 25% në 2022, nga 22% vitin e mëparshëm.

Shkatërrimi po mbetet jokrijues për shkak të vonesës në novacion, por edhe të shkallës së ulët të njohurive – rezultat i shkatërrimit jokrijues në arsim. Kjo është pika më kryesore që do të mbajë peng zhvillimin, po qe se nuk ndodh ndonjë përmbysje që të kthehen disa shqiptarë të ditur, ose të vijnë disa emigrantë të ditur!

Pikërisht zhvillimet demografike, emigracioni dhe mungesa e fuqisë punëtore po kthehen në një problem sistemik të ekonomisë, që kërkojnë një zgjidhje të menjëhershme.

Vetëm një model ekonomik i qëndrueshëm, që ka në qendër kapitalin human, novacionin, shfrytëzimin e avantazheve konkurruese dhe rritjen e vlerës së shtuar do të mund të sillte në binarë ekonominë, sa nuk është shumë vonë.

Modifikuar më E mërkurë, 07 February 2024 14:25
Login to post comments

Lajmet e fundit

Toni Kroos njofton fundin e karrierës/ BILD: Po largohet lideri i kombëtares...

Sport

Toni Kroos njofton fundin e karrierës/ BILD: Po largohet lideri i kombëtares...

Nga Christian Falk, BILD   Ai ka qenë prej vitesh një nga yjet tanë më të mëdhenj aktivë të futbollit në mbarë botën. Por jo për shumë kohë...  Lideri i kombëtares Toni Kroos...

Fluksi i pushuesve nxit turizmin detar/ Sigurimi i Përgjegjësisë për mjetet lundruese, çka ju nevojitet për një lundrim të qetë

Sociale

Fluksi i pushuesve nxit turizmin detar/ Sigurimi i Përgjegjësisë për mjetet lundruese, çka ju nevojitet për një lundrim të qetë

Vrulli i turizmit gjatë viteve të fundit në Shqipëri ka nxitur zhvillimin e aktiviteteve të turizmit detar për qëllime çlodhëse dhe argëtuese.  Sipas Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit deri më tani...

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...