Detaje të reja kanë dalë në dritë nga skema që kishin ndërtuar mjekët në Spitalin Onkologjik në Tiranë.
Në kuadër të këtij hetimi, janë arritur të gjenden prova të rasteve të blerjes së ilaçeve me vlera të konsiderueshme për kimioterapi nga farmaci, të cilat këto medikamente i tregtonin pa pullën fiskale dhe me kod të prishur duke krijuar dyshimin në lidhje me autenticitetin e këtyre barnave. E përfshirë ka qenë dhe zv. Drejtoresha e QSUT, e ngarkuar me detyra për shërbimin onkologjik.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve hetimore, rezultoi se në Spitalin Onkologjik në QSUNT u instalua një Aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale dhe sidomos të sëmundjeve të kancerit të lëkurës.
Që të përdoret Kobalto-Terapia duhet të krijohet një bunker antiradioaktiv ose antiatomik në kushtet e miratuara dhe të prezantuara nga Agjensia Atomike e Vienës ose Agjencia Ndërkombëtare që thirret IEAHEA.
Hetimet zbuluan se ky bunker jo vetëm nuk u krijua, por aparatura u vendos jashtë kushteve teknike.
Që nga viti 2021 kur ky aparat ka mbërritur në Shqipëri dhe deri më sot, ai jo vetëm që nuk është shfrytëzuar, por është lënë në kushte të papërshtatshme duke u bërë burim rreziku ndaj vetë personelit mjekësor si pasojë e rrezatimeve të mundshme që emeton kjo pajisje.
Prokuroria njofton se gjatë këtij hetimi ka pasur përgjime telefonike, vëzhgime në terren, por edhe blerje të simuluara.
Në kuadër të tij u ekzekutuan masat e sigurisë:
1. Edmond Gashi (Mjek pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT), i akuzuar për veprën penale të ‘Shpërdorimit të detyrës’ me masën e sigurisë ‘Arrest shtëpie’.
2. Emiljano Lela (Koordinator pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT), i akuzuar për veprën penale të ‘Shpërdorimit të detyrës’ me masën e sigurisë ‘Detyrim Paraqitje’.
3. Alketa Ymeri (Pere) (Mjeke pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT) e akuzuar për veprën penale të ‘Shpërdorimit të detyrës’ me masën e sigurisë ‘Detyrim Paraqitje’.
4. Brikena Qirjazi (Zv/Drejtoreshë në QSUNT e ngarkuar me detyra për shërbimin onkologjik), e akuzuar për veprën penale të ‘Shpërdorimit të detyrës’ me masën e sigurisë ‘Detyrim Paraqitje’.
5. Halil Gashi, i akuzuar për ‘Fshehje të të ardhurave’ me masën e sigurisë ‘Detyrim Paraqitje’.
6. Florian Marku, administrator i Flori Farma, i akuzuar për veprën penale te ‘Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabande’ dhe ‘Ruajtja ose depozitimi i mallrave që janë kontrabande’.
7. Është bërë sekuestrimi i klinikës mjekësore ‘Megis’ dhe i është komunikuar që nuk duhet të ushtrojë aktivitetin deri në një moment të dytë.