Të martën dhe të mërkurën është ditë zie, në shenjë nderimi dhe respekti në kujtim të shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, i cili u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 88-vjeçare. Ai ndërroi jetë nga shkaqe natyrale.
Këshilli i Ministrave miratoi pasditen e djeshme dy ditë zie në nder të shkrimtarit me famë botërore. Flamujt në institucionet shtetërore dhe publike do të ulen në gjysmështizë.
Sakaq, nesër do të mbahen homazhe publike dhe ceremoni shtetërore te Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit në Tiranë, nga ora 9:00 deri në orën 11:00 dhe nga ora 11:30 deri në 12:30. Ndërkohë në orën 13:00 të së mërkurës çdo veprimtari do të ndërpritet dhe do të mbahet një minutë heshtje në nder të kolosit të letrave shqipe.
Kadare konsiderohet si një nga kolosët e letërsisë shqiptare. Autor i dhjetëra romaneve, poezive dhe eseve, ai është ndoshta ndër shqiptarët më të njohur në botë, me veprat e tij të përkthyera në mbi 40 gjuhë të ndryshme e të botuara anembanë.
Kadare ka qenë disa herë me radhë kandidat për çmimin "Nobel" për letërsinë, ndërkohë që janë të shumta vlerësimet prestigjioze ndërkombëtare për veprën e tij, si "International Booker Man Prize", "Prince of Asturias Award", "Jerusalem Prize", "Neustadt International Prize", "Nonino", "Park Kyong-ni".