Instituti i Mjekësisë Ligjore ka përfunduar ekspertimin mjeko-ligjor për 42-vjeçarin Egli Proga, i cili u rrah për vdekje më 10 gusht në një lokal në Pogradec.
Në akt-ekspertim përshkruhen dëmtimet e konstatuara në trupin e viktimës, në ballë, në hundë, vesh, në faqe, në supin e majtë, të cilat sipas ekspertëve janë shkaktuar me mjet të fortë mprehës dhe nga goditja me grushte.
Sipas aktit të ekspertimit, shkaku i vdekjes së 42-vjeçarit është: "Hemorragji në cipën e trurit dhe hemorragji e indit trunor".
"Në mostrën e gjakut të viktimës u zbulua prani e alkoolit etilik në vlerën mesatare 2.82 g/ L", thuhet më tej në akt-ekspertim.
Akt-ekspertimi mjeko-ligjor i është dërguar Prokurorisë së Korçës, e cila po vijon hetimet për vrasjen e Egli Progës.
Policia arrestoi si autor të vrasjes Denis Meçen, me akuzën e vrasjes me dashje dhe procedoi për moskallëzim krimi Voltan Shkulakun, Leonidha Guçen dhe Arjan Manellarin.
Por Prokuroria e Korçës, në seancën për caktimin e masës së sigurisë, lehtësoi akuzën për Denis Meçen nga vrasje me dashje, në vrasje nga pakujdesia, çfarë solli përplasje mes policisë dhe Prokurorisë së Korçës.