Ish-deputeti i PD, Gerti Bogdani, i cili u largua në mënyrë të parakohshme nga jeta një ditë më parë pas një arresti kardiak do të përcillet sot në banesën e fundit.
Kuvendi i Shqipërisë njoftoi një ditë më parë se seanca plenare që ishte planifikuar për të enjten do të shtyhet, pasi do të hapë dyert për homazhet në nderim të ish-deputetit.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike Gert Bogdani u nda nga jeta para kohe në moshën 44-vjeçare pas një arresti kardiak, ndërsa po zhvillonte një takim me disa miq të tij në një prej hoteleve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Në një reagim prekës në rrjete sociale, bashkëshortja e tij, aktivistja Edlira Çepani lajmëroi se ceremonia e lamtumirës do të zhvillohet nga ora 10:00 deri në 12:00 dhe varrimi do të bëhet më pas në varrezat e Sharrës.
“Homazhet dhe ceremonia e lamtumirës, do bëhen ditën e nesërme dt. 19 Shtator 2024, në Sallën e Seancave Plenare të Parlamentit të Shqipërisë, nga ora 10:00 deri në 12:00 dhe varrimi do të bëhet më pas në varrezat e Sharrës”, shkroi ajo.
Nga ana tjetër në nderim të figurës së ish-deputetit Gerti Bogdani, Partia Demokratike ka shpallur ditë zie këtë të enjte.
“Të gjitha aktivitetet e Partisë Demokratike në datat 18 dhe 19 shtator në të gjithë territorin do të anulohen”, njofton PD.
Në të gjitha selitë e Partisë Demokratike flamuri kombëtar dhe flamuri i PD do të ulen në gjysmështizë dhe në orën 12.00 do të mbahet një minutë heshtje në të gjitha selitë e Partisë Demokratike.