Dy shtetas shqiptarë, një burrë e një grua, me moshë përkatësisht 43 dhe 37 vjeç, janë arrestuar në afërsi të Kosturit. Ata akuzohen për transport droge me qëllim trafikimin.
Makina me të cilën po udhëtonin nga kufiri për në brendësi të territorit grek, u ndalua për kontroll nga njësia policore e Mesopotamisë. Policia gjeti 31,9 kg kanabis, të fshehur në vende të posaçme në rezervuarin e gazit, si dhe në derën e portobagazhit.
Policia sekuestroi automjetin, 2.300 euro, 20.000 lekë, 3 celularë si dhe dy karta sim. Pasditen e të shtunës, të arrestuarit u dërguan në prokurorinë e Kosturit, ku iu komunikua mbajtja në paraburgim.