Marco Marrone është këshilltar dhe bashkëpunëtor i Silvio Berlusconit, nga koha kur ky i fundit ka qenë kryeministër në Itali. I mbërritur në Tiranë për një takim me kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, Marrone tha në një intervistë për A2 CNN, se mendon që është pikërisht Berisha njeriu i duhur për të drejtuar sërish vendin dhe heq paralele mes dy veteranëve të politikës.
Atëherë, dua ta nis me një mirëseardhje në Shqipëri, në Tiranë. Cila është përshtypja juaj?
Kam ardhur për herë të parë kur isha këshilltar i ministrit Roko Butilione, në vitin 2013. Më pas u ktheva përsëri se lidhëm kontakte shumë të mira me sipërmarrës shqiptarë të pranishëm në Itali. Më pas u riktheva përsëri pas zgjedhjeve italiane, për t’i prezantuar presidentit Berisha një vlerësim që ai e pranoi me shumë kënaqësi, të një universiteti ndërkombëtar që donte ta vlerësonte me titullin ‘Honoris Causa’.
E kam njohur kur isha militant i ri në partinë e Berluskonit, në vitin 2005. Në atë kohë pritej të zgjidhej kryeministër dhe e takova në një mbrëmje gala të organizuar nga kryeministri italian në atë kohë në Romë.
Ju me siguri jeni informuar për gjithçka ka ndodhur gjatë këtyre viteve me Partinë Demokratike, çfarë mendoni për këtë, sidomos për vitin e fundit?
Unë shoh drejt të ardhmes, pa u kthyer shumë në të shkuarën, shpresoj dhe pres në një fitore edhe më të madhe të presidentit Sali Berisha, për të rritur më shumë këtë komb që meriton vetëm më të mirën. Për sa kohë që më e mira quhet Sali Berisha, më e mira duhet të rikthehet.
Shpesh në Shqipëri analistët politikë janë kritikë. Këtu i referohem moshës së zotit Berisha. Shumë e gjykojnë kur thonë se koha e tij ka mbaruar. Por ndoshta zoti Berluskoni ka dhënë një shembull, i referohem edhe moshës, por edhe ritmit të jetës. A është mjaftueshëm kaq për të siguruar zgjedhjet se mosha nuk duhet paragjykuar, por duhet vlerësuar.
Ka një proverb të vjetër italian që thotë: i vjetri duhet të hidhet ndërsa antikja duhet lënë mënjanë. Si njerëz antikë, si presidenti Berisha apo presidenti Berlusconi, janë njerëz të ditur, të mençur, njerëz që mund të bëjnë vetëm mirë me jetën që kanë pasur, e për ta sjellë më pas edhe në politikë. Mendoni vetëm që Berlusconi ka mbushur 86 vjeç nëntorin e shkuar, por ai çfarë bën, ndërron, kthen mbrapsht numrat, ndaj themi se mbushi 68 vjeç. Edhe presidenti Berisha është 78, por është shumë i ri. Dje e pashë në një formë të shkëlqyeshme, në një formë perfekte.
Berisha si Berluskoni po tregon se nuk mund ta ketë më mazhorancën absolute të zgjedhjeve. Si mundet Berisha ta transformojë elektoratin djathtas për të arritur te fitorja e zgjedhjeve. A mund ta bëjë këtë vetëm, apo duhet të tërhiqet dhe të krijojë një koalicion të madh, por pa qenë vetë lide kryesor.
Unë kujtoj koalicionin e vitit 2005 të Berishës, ai vetë e kujtoi në takimin tonë, që e solli në pushtet. Tha se kishte kopjuar metodologjinë e Berluskonit për koalicionet. Ne përdorim një slogan që duhet të përdoret nga të gjithë: Të bashkuar fitojmë. Në një koalicion duhet të bësh bashkë mendje që nuk mendojnë njësoj. Ne këtë herë u prezantuam si koalicion i qendrës së djathtë me katër sigla partish. Këto katër sigla arritën një mazhorancë shumë të fortë.
Ndaj zoti Berisha po mendon të bëjë bashkë një koalicion të gjerë të qendrës së djathtë, për t’i dhënë një mundësi zgjedhësve ndryshe nga sa është tani, që nga jashtë më duhet ta them, është totalisht e dështuar.
Kjo nuk do thotë se Berisha do ia dalë i vetëm...
Ne si analistë mendojmë se nuk ekziston më fitorja absolute e një partie të vetme se ajo epokë ka perënduar. Është e pamendueshme sot të jesh fitues me një parti.
Nuk duhet të harrojmë se lideri i PD është shpallur non-grata nga SHBA dhe Britania. Me Italinë dhe kryeministren e re Meloni si do jenë raportet? A do jetë ky një problem për ju? A do e kushtëzojë raportin me qeverinë e re?
Mund të përgjigjem vetëm në një mënyrë, duke rikthyer në vëmendje një letër shumë të bukur që është shpërndarë edhe në media pas zyrtarizimit të fitores nga Meloni. Ajo i përgjigjet liderit të PD, Berisha, duke e falënderuar për urimet dhe komplimentet dhe duke shprehur dëshirën edhe për një bashkëpunim edhe më të fortë. Është e qartë që nuk mund t’u pëlqejmë të gjithëve, aq më tepër kur njerëzit nuk pranojnë fitore të tilla në demokracinë më absolute. Ne nuk jemi ata që përjashtojmë bashkëpunime qoftë në nivel ndërkombëtar, qoftë në nivel kombëtar.
Do ketë një ftesë për të?
Kjo është po aq e sigurt sa sot është e enjte.
Kur Meloni fitoi zgjedhjet, edhe në Shqipëri duket sikur ndryshoi atmosfera, sidomos shpirtërore. U duk se rilindi shpresa se edhe këtu do vijë shpejt ndryshimi. Që demokratët do fitojnë zgjedhjet, kjo mbetet për t’u parë. A mendoni se rezultati në Itali mund të transformohet edhe në vende të tjera, edhe në Shqipëri?
Unë besoj fort se propozimi aktual, sepse dua të flas aktualitetin e një propozimi politik, që është e drejtpërdrejtë nga drejtuesi juaj i Këshillit të Ministrave, nuk është një propozim që gëzon konsensus të gjerë. Sepse në lidhje me komunitetin ndërkombëtar politik, disa deklarata të bëra së fundmi, duke përfshirë edhe ish-ministrin tonë të Jashtëm, nuk ishin as të lumtura dhe as të bukura, duke prekur disa plagë të hapura të muajve të fundit, kur pandemia sapo ka kaluar. Këta personazhe janë shprehur tashmë me dështimin total politik, sidomos kur bëhet fjalë për kërkesat reale të popullit të tyre.