Kryeprokurori raporton në Kuvend/ Çela tregon krimet më të shpeshta në Shqipëri

Hënë, 11 May 2020 14:10

Kryeprokurori Olsjan Çela ka raportuar për herë të parë në Komisionin e Ligjeve, për gjendjen e kriminalitetit në vend në vitin 2019.

Gjatë fjalës së tij Çela tha se gjatë vitit 2019 janë regjistruar 44 289 procedime penale.

Çela u shpreh se gjatë viti 2019 niveli i kriminalitetit në Shkodër është ulur.

Në Shkodër janë kryer një seri vrasjesh të bujshme, disa prej të cilave janë zbardhur, ndërsa një pjesë janë në shqyrtim.

Prokurori i Përgjithshëm thekson se në vijim të punës së Prokurorisë mbetet prioritet lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në vitin 2019, numri i përgjithshëm i miratuar i prokurorëve ishte 336. Shpërndarja 1 e tyre në prokurori sipas niveleve ka qenë, 291 prokurorë në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë, 28 prokurorë në prokuroritë pranë gjykatave të apelit dhe 17 prokurorë në Prokurorinë e Përgjithshme. Ndërkohë, për shkak të vakancave numri faktik i prokurorëve ka qenë 309.

RAPORTI PËRMBLEDHËS

I raportit vjetor të Prokurorit të Përgjithshëm ‘Mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2019’

Prokuroria ka ushtruar kompetencat e saj bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara me ligj, Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale, Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur dhe ligje të tjera në fuqi, si dhe Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, rekomandimet e Këshillit të Ministrave, rekomandimet e Komisionit Evropian dhe Komitetit Moneyval të KiE-së për vitin 2019, prioriteteve kyçe të shtetit shqiptar në kuadër të procesit të integrimit dhe strategjinë afatmesme të prokurorisë 2018-2020.

I. Treguesit kryesorë

Gjatë vitit 2019, organi i prokurorisë në hetimet paraprake ka trajtuar 59888[1]materiale kallëzimi, që përbën një rritje prej 3,73 % në krahasim me vitin 2018. Janë ndjekur gjithsej 44289 procedime penale, që përbëjnë një rritje prej 3,45 % në krahasim me vitin 2018, nga të cilat 30748 janë procedime penale të regjistruara, me një ulje prej 2,10 % në krahasim me vitin 2018 dhe 584 procedime penale të rifilluara, që tregon rritje prej 20,16 % në krahasim me vitin 2018. Janë mbartur nga viti 2018, 12957 procedime penale me një rritje prej 18,66 % krahasuar me procedimet e mbartura nga viti 2017. Është vendosur mosfillimi i procedimit për 15599 referime dhe kallëzime penale, me një rritje prej 4,55 % në krahasim me vitin 2018.

Edhe në vitin 2019 numrin më të madh të procedimeve e ka regjistruar Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë me 31,31 % të numrit total të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi. Prokuroritë e tjera me shifrat më të larta janë: -Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës ka regjistruar 9,18 % të numrit total të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi, -Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan ka regjistruar 8,31 % të numrit total të procedimeve të regjistruara, -Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë ka regjistruar 6,77 % të numrit total të procedimeve të regjistruara, -Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier ka regjistruar 5,63 % të procedimeve të regjistruara, -Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër ka regjistruar 5,44 % të numrit total të procedimeve të regjistruara dhe -Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë ka regjistruar 4,58 % të procedimeve penale të regjistruara në shkallë vendi.

Përqindja më e ulët e kriminalitetit për 100.000 banorë edhe në vitin 2019 e ka qarku Dibër, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku Vlorë. Sa i përket tendencës, vërehet se rritjen më të lartë për vitin 2019 e ka qarku Gjirokastër me 15,39 %, ndërsa në qarkun Shkodër vërehet ulje e koefiçentit të kriminalitetit me 20,61 %.

Sa i përket raportit të ndarjes së veprave penale[2] (krimeve dhe kundërvajtjeve), bazuar në statistikat e vitit 2019, rezulton se 83 % e procedimeve penale i përkasin krimeve dhe 17 % i përkasin kundërvajtjeve penale.

Sa i përket raportit të grupveprave sipas strukturës së Kodit Penal me numrin total të procedimeve, ndër grup veprat penale me numrin më të lartë të procedimeve të regjistruara nga ana e prokurorisë, evidentohet se vjedhja e pasurisë përbën numrin më të lartë të procedimeve penale të regjistruara, me 31,50 % të numrit të përgjithshëm të procedimeve penale të regjistruara në prokurori për vitin 2019, por me një ulje rreth 9 % krahasuar me vitin 2018.Veprat penale kundër rendit dhe sigurisë publike që përbëjnë 23,85 % të numrit të përgjithshëm të procedimeve penale të regjistruara, kanë ulje rreth 3 % krahasuar me vitin 2018; -veprat penale që cënojnë regjimin juridik të tokës me 6 %, por kanë një rritje prej 28 % të numrit të procedimeve të regjistruara në krahasim me vitin 2018;-veprat penale kundër sekretit dhe kufijve me rreth 5 % dhe kanë një rritje prej 21 %; -veprat penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes me 4 % dhe kanë një ulje prej 8 % në krahasim me vitin 2018;-po me 4 % rezulton pesha edhe për veprat penale kundër shkatërrimit të pronës dhe falsifikimit të dokumenteve; si dhe-veprat/krimet kundër shëndetit të kryera me dashje dhe  krimet kundër veprimtarisë shtetëroretë kryera nga punonjësit shtetërorë ose në shërbim publik, përbëjnë rreth 3 % të numrit total të procedimeve të regjistruara në prokurori gjatë vitit 2019.

-Gjatë vitit 2019 nga prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë është ngritur dhe përfaqësuar akuza në gjykatë në emër të shtetit për 10422 procedime penale (ulje prej 11,69 % në krahasim me vitin 2018) me 12189 të pandehur (ulje prej 9,13 % në krahasim me vitin 2018). Gjithashtu, janë paraqitur në gjykatë 12288 kërkesa për caktimin e masave të sigurimit personal.

-Prokuroritë pranë gjykatave të apelit kanë përfaqësuar akuza në emër të shtetit shqiptar për 2583 ankime për çështje themeli (ulje prej 46,04 % në krahasim me vitin 2018) dhe 2221 ankime për masat e sigurimit personal (ulje prej 5,61 % në krahasim me vitin 2018).

-Në vitin 2019 në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parëështë urdhëruar ekzekutimi i 10973 vendimeve gjyqësore penale të formës së prerë, prej të cilëve janë ekzekutuar 7021 vendime penale dhe kanë mbetur pa u ekzekutuar 3952 vendime. Numri i vendimeve sipas llojit të tyre të mbetura pa ekzekutuar është 6 dënime me burgim të përjetshëm, 553 vendime me burgim, 1584 vendime për dënimin me gjobë, 42 dënime plotësuese dhe 1767 dënime alternative.

II. Eficenca

-Gjatë vitit 2019 janë përfunduar 28180 çështje që përbën ulje prej 7,49 % të çështjeve  të përfunduara krahasuar me vitin 2018, prej të cilave: 36,89 % janë dërguar për gjykim, 20,66 % janë pushuar, 35,80 % janë pezulluar dhe 6,65 % janë transferuar në prokuroritë kompetente.

-Janë dërguar dhe përfaqësuar në gjykatën e shkallës së parë 10396[3] çështje me akuzë ndaj 12158 të pandehurve. Krahasimisht me vitin 2018 rezulton një ulje prej 11,8% e numrit të çështjeve të dërguara në gjykatë dhe 9,29 % e numrit të të pandehurve dërguar në gjykatë. Sipas llojeve të gjykimeve të posaçmegjendja kërkesave dhe zgjidhjeve në gjykatat paraqitet, si më poshtë:

Janë dërguar 740 kërkesa për miratim urdhri penal, me 761 të pandehur ose krahasuar me vitin 2018 me rritje 25,2 % të kërkesave dhe rritje 22,9 % të pandehurve, ndërsa nga gjykata është vendosur refuzimi i miratimit të urdhrit penal  në 20 raste ose krahasuar me vitin 2018 me ulje 53,4 % të rasteve që është vendosur nga gjykata refuzimi i miratimit të urdhrit penal;

Janë dërguar 734 kërkesa për miratim marrëveshje fajësie, me 745 të pandehur ose krahasuar me vitin 2018 me rritje 28,7 % të kërkesave dhe rritje 19,9 % të pandehurve, ndërkohë nga gjykata është vendosur refuzimi i miratimit të marrëveshjes në 43 raste ose krahasuar me vitin 2018 me ulje 13,1 % të rasteve që është vendosur nga gjykata refuzimi i miratimit të marrëveshjes;

Është kërkuar gjykimi i drejtpërdrejtë për 220 çështje me 232 të pandehur.

Gjatë vitit 2019, ështe vendosur pushimi i5823 çështjeve ose me ulje 12,53 % e çështjeve tëpushuara krahasuar me vitin 2018. Nga të dhënat rezulton se për 214 çështje gjykata ka vendosur kthimin e akteve dhe vazhdimin e hetimeve ose me rritje 26.6 % krahasuar me vitin 2018, ndërsa në 12 çështje ka vendosur kthimin e akteve dhe urdhërimin e formulimit të akuzës, shifër e njëjtë me vitin 2018.

Gjatë vitit 2019, gjithashtu, është vendosur pezullimi i hetimeve për 10,088 çështje ose me ulje prej 7, 30 % e çështjeve të pezulluara në krahasim me vitin 2018.

-Në lidhje me vendimet e gjykatës, nga të dhënat statistikore në vitin 2019 rezulton se janë dënuar 8899 të pandehur dhe për 188 të pandehur është dhënë vendim për deklarimin të pafajshëm ose krahasuar me vitin 2018 me ulje 13,1 % e numrit të pandehur të dënuar dhe ulje 10,9 % e numrit të pandehurve të deklaruar të pafajshëm.

-Sipas të dhënave statistikore urdhrat për ekzekutim e dënimeve me burgim, gjobë e dënime plotësuese, zënë 41,66 % të totalit të urdhrave për ekzekutim të lëshuara nga prokurori, ndërsa urdhrat për ekzekutim të dënimeve alternative zënë 58,34 % të totalit të urdhrave për ekzekutim të lëshuara nga prokurori. Krahasuar me vitin 2018, urdhrat e ekzekutimit:-për dënimet me burgim të përjetshëm, me burgim, me gjobë dhe dënime plotësuese kanë pësuar një ulje prej 16,42%, ndërsa -për dënimet alternative kanë pësuar një ulje prej 15,58 %.

i)Efektiviteti i ndjekjes penale sipas grupveprave penale me tendencë në rritje ose në ulje.

Për veprat penale të korrupsionit, të dhënat statistikore të vitin 2019 evidentojnë  se raporti i çështjeve të dërguara në gjyq është në përqindje më të ulët se çështjet e pushuara, përkatësisht 34,52% e çështjeve janë dërguar gjygjit dhe 65,48 % e çështjeve janë pushuar. Ndërkohë, që gjatë kësaj periudhe vërehet edhe ulje prej 9,88 % e numrit të procedimeve të regjistruara, në krahasim me vitin 2018.

Lidhur me krimin e organizuar, të dhënat statistikore të vitit 2019, tregojnë se ndjekja penale ka qenë eficente, për faktin se çështjet  e dërguara në gjyq janë në përqindje shumë më të lartë se ato të pushuara, përkatësisht 86,67 % të dërguara në gjyq me 13,33 % të pushuara. Në këtë periudhë raportuese, çështjet e regjistruara paraqesin ulje prej 2,10 % krahasuar me vitin 2018.

Për veprat penale të trafiqeve të paligjshme, në vitin 2019, treguesi i efiktivitetit është relativisht i ulët, përkatësisht 47,46 % dërguar gjyqit dhe 52,54 % të pushuara. Ndërkohë nga të dhënat statistikore rezulton se në vitin 2019 ka një rritje prej 3,87 % të numrit të procedimeve të regjistruara për veprat penale të trafiqeve të paligjshme në krahasim me vitin 2018.

Sa i përket veprave penale lidhur me narkotikët, edhe pse në vitin 2019 ka një rritje prej 2,96 % të numrit të procedimeve të regjistruara për këtë grup veprash penale në krahasim me vitin 2018, ndjekja penale ka rezultuar efektive, për faktin se 62,45 % e çështjeve janë dërguar gjyqit dhe 37,55 % e çështjeve janëpushuar.

Efektiviteti i ndjekjes penale për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit në vitet 2015 – 2019 evidenton tregues të ulët të raportit të çështjeve penale të dërguara në gjyq krahasuar me çështjet e pushuara, raport i cili varjon nga 10% deri 20% e çështjeve të dërguara gjyqit me 80% deri 90% e çështjeve të pushuara. Ndërkohë, në vitin 2019 kjo tendencë është shoqëruar dhe me uljen 12,27 % të procedimeve të regjistruara për veprat penale që lidhen me pastrimin e produkteve të veprës penale, krahasuar me vitin 2018.

Në vitin 2019 për ‘Krime kundër jetës të kryera me dashje’ ndjekja penale ka qenë efiçente për faktin se janë dërguar për gjykim 81,68 % të çështjeve dhe janë  pushuar 18,32 % çështjeve, e cila ka ndikuar dhe nëulje prej 17,14 % të numrit të procedimeve të regjistruara, krahasuar me vitin 2018.

Efektiviteti i ndjekjes penale ka qenë i lartë edhe lidhur me dhunën në familje, për faktin se 84,33% e çështjeve janëdërguar gjyqit dhe 15,67% e çështjeve janë pushuar. Në të njëjtën periudhë raportuese, çështjet e regjistruara paraqesin rritje prej 24,39 % krahasuar me vitin 2018. Për veprën penale të parashikuar nga neni 130/a të Kodit Penal ‘Dhuna në familje’, në vitin 2019 vërehet ulje prej 5,71 % e procedimeve të regjistruara në krahasim me vitin 2018, por vlerësojmë se duhet bërë më shumë në aspektin parandalues të saj, duke nisur që me edukimin e shoqërisë në moshë të hershme, ndërgjegjësimin e grupeve vulnerabël për të drejtat e tyre, si dhe lehtësimin e aksesit në institucionet ligjzbatuese dhe në drejtësi. 

Lidhur me veprën penale ‘Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor’, treguesi i efiktivitetit është relativisht i ulët, përkatësisht 40,27 % e çështjeve janëdërguar gjyqit dhe 59,73 % e çështjeve janë pushuar. Në këto tregues ka ndikuar dhe fakti se për këtëvepër penale, për shkak të pasojave të rënda që sjellë,shpesh procedohet me regjistrimin e procedimit pa pritur rezultatet e akteve të ekspertimit autoteknik dhe/ose mjekoligjor. Nga ana tjetër të dhënat statistikore në vitin 2019, evidentojnë tendencë në rritje prej 5,57 % të procedimeve të regjistruara për këtë vepër në krahasim me vitin 2018.

ii)Lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, trafiqeve e krimeve të tjera të rënda, edhe për vitin 2019 kanë qenë prioritete të aktivitetit tonë institucional. Për arritjen e rezultateve ndaj tyre, objektiv i rëndësishëm i yni ka qenë forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional me autoritetet vendase dhe të huaja, si në nivel operacional, ashtu dhe nëpërmjet përgjigjes në kohë e në mënyrë efikase lidhur me trajtimin e letërkërkesave të autoriteteve të huaja.

iii)Lufta kundër korrupsionit

Sipas të dhënave statistikore për vitin 2019 rezulton se, përqindjen më të lartë në procedimet e regjistruara për veprat penale të korrupsionit e zë neni 259 i Kodit Penal ‘Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike’, e konkretisht 33,5 % të totalit të procedimeve për korrupsion, ndërsa në procedimet e dërguara për gjykim për këtë vepër është rritur 29,4 % numri i personave, krahasuar me vitin 2018.

Në procedimet e dërguara për gjykim, për veprën penale ‘Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike’ që parashikon neni 245/1 i Kodit Penal është rritur 29,6 % numri i personave të dërguar për gjykim krahasuar me vitin 2018, ndërsa për veprën penale ‘Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë’ që parashikon neni 245 i Kodit Penal, është rritur 4 herë numri i personave të dërguar për gjykim krahasuar me vitin 2018.

iv)Lufta kundër krimit të organizuar

Gjatë vitit 2019, në zbatim të kërkesave dhe procedurave ligjore, janë kryer hetime proaktive me përdorim të mjeteve të posaçme të hetimit, në kuadrin e 309 procedimeve për veprat penale kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme përfshi dhe veprat penale kundër narkotikëve, pastrimit të parave dhe krimeve të rënda të tjera të lidhura me to, ose me rritje 23.6 përqind krahasuar me vitin 2018. Ky proces i ka shërbyer, si parandalimit dhe/ose ndërprerjes së mëtejshme të veprimtarisë kriminale, ashtu dhe goditjes/finalizimit me arrestimin në flagrancë apo ndalimin e 420 personave të përfshirë në kryerjen e këtyre veprave penale, prej të cilave 216 persona/autor të dyshuar i përkasin kompetencës së Prokurorisë për Krime të Rënda dhe 204 persona/autor të dyshuar në kompetencë të prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm.

-Referuar treguesve statistikorë, për veprën penale ‘Grupi i strukturuar kriminal’, që parashikon neni 333/a i Kodit Penal dhe vepra penale të tjera të kryera në kuadrin e grupit të strukturuar, në vitin 2019 rezulton se janë regjistruar 51 procedime penale, prej të cilëve 13 procedime me 126 të pandehur janë dërguar në gjykatë, ose krahasuar me vitin 2018 me rritje 24.4 % të numrit të procedimeve të regjistruara dhe me rritje 116 % të numrit të procedimeve dhe mbi 300 % të numrit të personave të dërguar për gjykim për këtë vepër.

-Ndësa, në kuadrin e luftës kundër terrorizmit, për veprat penale ‘Financimi i terrorizmit’, ‘Vepra me qëllime terroriste’ dhe ‘Stërvitja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste’ të parashikuar nga nenet 230/a, 230 e 232 të Kodit Penal janë regjistruar 10 procedime penale ose krahasuar me vitin 2018 me rritje rreth 1,5 herë të numrit të procedimeve të regjistruara për këto vepra penale.

v)Sa i përket zbatimit të ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 ‘Për parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë’ në vitin 2019, Prokuroria për Krime të Rënda ka paraqitur në gjykatë 4 (katër) kërkesa për konfiskim të cilat janë në proces gjykimi, si dhe janë pranuar nga gjykata 9 (nëntë) kërkesa të prokurorisë për sekuestrim pasurie, ose krahasur me vitit 2018 me rritje 28 % të kërkesave të pranuara nga gjykata për sekuestrime pasurore. Përsa më sipër konsiderojmë se ka rritje të masave e treguesve statistikorë të hetimeve pasurore dhe pasurive të sekuestruara me vendime gjyqësore, si me anë të sekuestrove preventive në zbatim të Kodit të Procedurës Penale, ashtu dhe të sekuestrimeve të pasurive në zbatim të ligjit nr.10192/2009 ‘antimafia’, si dhe ka rritje të treguesve të bashkëpunimit në marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në këtë fushë.

iv) Dekriminalizimi

Në ushtrim të funksionit të rëndësishëm ligjor lidhur me verifikimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike, gjatë vitit 2019, Prokuroria e Përgjithshme ka regjistruar 204 praktika/kërkesa për verifikim, ka përfunduar 163 kërkesa  për 15 subjekte të përfshirë në ligjin nr. 138/2015 ‘Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione Publike’ dhe  për 148 subjekte që nuk përfshihen në këtë ligj, si dhe kanë mbetur në proçes verifikimi 41subjekte/kërkesa mbartur për vitin 2020.

Gjatë vitit 2019, në vendimmarrjen e kërkesave për verifikim të subjekteve, rezulton se:

Për pozicionin ‘Zyrtarët e Lartë’ janë dhënë 131 vendime, nga të cilat rezultojnë 2 praktika me përfundimin ‘Përfshihet’: -1 (një) sipas nenit 3/ç dhe -1 (një) sipas nenit 2/1/a dhe 3/ç;

Për pozicionin ‘Nivel i Ekzekutiv’ janë dhënë 38 vendime, nga të cilat 6 praktika me përfundimin ‘Përfshihet’: -1 (një) me nenin 2/1/ç, -1 (një) me nenin 2/b, -1 (një) me nenin 2/1/a/ç,  -2 (dy) me nenin 3/ç dhe -1 (një) me nenin 2/1/ç dhe 3/ç;

Për pozicionin ‘Nivel Drejtues’ janë dhënë 20 vendime, nga të cilat 6 praktika me përfundimin ‘Përfshihet’: -3 me nenin 2/1/ç, -2 me nenin 3/ç dhe -1 me nenin 2/1/b dhe 3/ç;

Për pozicionin ‘Nivel i Mesëm’ janë dhënë 17 vendime, nga të cilat rezultojnë 3 (tre) praktika me përfundimin ‘Përfshihet’:  -2  (dy) me nenin 2/1/ç, dhe -1 (një) me nenin 3/ç;

III. Zbatimi i rekomandimeve prioritare

Prokurori i Përgjithshëm në zbatim të rekomandimeve dhe problematikave të konstatuara, ka nxjerrë udhëzimet e përgjithshme (trajtuar në raportin vjetor), ka mbikëqyrur zbatimin e tyre dhe është kujdesur për ushtrimin e kompetencave kushtetuese e ligjore në prokurori  me anë tëinformacioneve të kërkuara nga drejtuesit e prokurorive lidhur me masat e marra në zbatim të kompetencave ligjore të tyre, si për nxjerrjen e udhëzimeve të përgjithshme për të lehtësuar zbatimin e udhëzimeve të Prokurorit të Përgjithshëm, ashtu dhe për nxjerrjen e udhëzimeve jo të detyrueshme për prokurorët për çështje konkrete, me synim, që të garantojnë pavarësinë e prokurorit në ushtrimin e funksioneve dhe të sigurojnë efiçencën, ligjshmërinë e transparencën në veprimtarinë e prokurorive që drejtojnë.

-Përveç sa më sipër, prokuroria, si organ kushtetues dhe subjekt i rëndësishëm i sistemit të drejtësisë penale, është angazhuar në bashkëpunimin veçanërisht me Kuvendin, Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Brendshme në dhënien e kontributit të saj në iniciativat ligjore për përmirësimin e drejtësisë penale, hartimin e dokumenteve strategjikë kombëtarë dhe raportimeve periodike për përmbushjen e prioriteteve e rekomandimeve të Komisionit Europian për Shqipërinë në kuadër të procesit integrues të vendit.

Si konkluzion,referuar numrit, llojeve, shtrirjes teritoriale, intensitetit dhe formave të kriminalitetit e masave të tjera të analizuara mësipër dhe në mënyrë më të hollësishme në raport, organi i prokurorisëka përmbushur detyrat kushtetuese e ligjore dhe ka zbatuar rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë, rekomandimet e Këshillit të Ministrave, rekomandimet e Komisionit Evropian, prioritetet kyçe të shtetit shqiptar në kuadër të procesit të integrimit dhe strategjinë afatmesme të prokurorisë 2018-2020, në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit dhe kundër fenomeneve kriminale tradicionale, krimit ekonomik dhe krimeve të tjera, duke ndihmuar e kontribuar në forcimin e rendit dhe të sigurisë publike, duke siguruar një procedim të drejtë dhe duke garantuar liritë personale, të drejtat dhe interesat e ligjshme të shtetasve dhe subjekteve të procedimit penal.

 

[1] Tek kjo shifër e materialeve të trajtuara përfshihen: procedimet e mbartura nga viti 2018; procedimet e reja të regjistruara gjatë vitit 2019 për veprat penale të parashikuara në Kodin Penal dhe Kodin Penal Ushtarak; procedimet e rifilluara gjatë vitit 2019; si dhe vendimet e mosfillimit të procedimeve të marra gjatë vitit 2019.

[2] Neni 1 pika 2 e Kodit Penal.

[3] 26 çështje me akuzë ndaj 31 të pandehurve bazuar në Kodin Penal Ushtarak

 
  
Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...