Qeveria “dorëzohet” në muajin e dytë të zbatimit të taksës së reformuar të ndërtesës duke deklaruar se viti 2018 do të shërbejë si fazë tranzitore dhe zbatimi i plotë nis nga 1 janari 2019. Bashkitë konfirmojnë se kuadri ligjor është i qartë, por ajo që mungon është baza e plotë e të dhënave. Informacioni, në shumicën e bashkive, është i cunguar, i pasaktë ose i parifreskuar. Hipotekat, nga ana tjetër, janë nën “ethet” e Vetting-ut dhe nuk po u përgjigjen dot kërkesave që kanë bashkitë. Drejtoria e sapokrijuar e Taksës së Pronës dhe Pasurisë nënvizon se vetëm në fund të 2020 do të kemi një Kadastër Fiskale e cila do të jetë baza e parë e saktë e të dhënave. Fermerët dhe eksportuesit, nga ana tjetër, ngrenë shqetësimin për faturat që mund të shkojnë në mijëra euro, duke nënvizuar se duhet të ishte menduar një diferencim, përderisa një i tillë u bë për hotelet me 5 yje status special.
Më pak se dy muaj nga hyrja në fuqi e taksës së re të pronës, qeveria ka bërë një hap pas nga vendosmëria e saj për ta zbatuar me çdo kusht, duke lënë vitin 2018 si një fazë tranzitore. Ministri për Financat dhe Ekonominë Arben Ahmetaj u shpreh vetëm pak ditë më parë se zbatimi korrekt pa asnjë tolerancë për taksën e re do të nisë nga 1 janari 2019, duke u lënë kështu kohë Bashkive që të rregullojnë problematikat që kanë hasur. Ai do të nënvizonte se tashmë Financat u kanë dërguar të gjitha njësive vendore tabelat e sakta si dhe po i asistojnë në çdo hallkë por kjo tolerancë nuk do të jetë përtej 2018-ës.
“Përsa i përket taksës së pronës jemi shumë të qartë. Metodologjia është e kristaltë, deri në detaje, janë gati mbi 900 tabela të shpërndara zyrtarisht në të gjitha bashkitë e vendit dhe punonjësit e Ministrisë së Financave, të Departamentit të Taksës së Pronës, (e kadastrës fiskale) praktikisht janë duke ndihmuar njësitë vendore në të gjithë vendin. Do ju iapim më shumë mundësi tatimpaguesve të dinë sa dhe për çfarë janë duke paguar. Do t’i japim më shumë mundësi qeverisjes vendore që të ketë një kontroll më të mirë mbi territorin, të ketë mbledhje taksash më transparente dhe jo “aforfe” .
Periudha 2018 është një periudhë tranzitore që iu lejon njësive vendore të përgatiten më mirë, në mënyrë që në 1 janar të 2019-ës të gjitha njësitë vendore të aplikojnë taksën e pronës në bazë të vlerës. 1 janari është limiti i fundit. Viti 2018 është përdorur si periudhë tranzitore, edhe me kërkesë të vetë njësive vendore, për t`u përgatitur dhe për ta provuar metodologjinë në një periudhë tranzitore prej 6 deri në 9 muaj” tha Ahmetaj.
Çfarë nuk funksionoi
Aktualisht qeveria ka miratuar kuadrin e nevojshëm ligjor në funksion të një reformimi total të taksës së ndërtesës, si dhe ka ngritur një drejtori të dedikuar që do të ndërtojë atë që njihet si Kadastra Fiskale. Nisja e befte e zbatimit të takës së re të ndërtesës në vitin 2018 i gjeti bashkitë të papërgatitura. Shumica e tyre raportojnë se e kanë kuptuar metodologjinë, një pjesë kanë grupe teknike të posaçme, por problemi është tek baza e të dhënave.
Bashkitë duhet ta mbledhin taksën e re mbi bazën e tyre ekzistuese të të dhënave, e cila ose nuk është e plotë, ose nuk është e rifreskuar ose paraqet probleme me saktësinë e të dhënave kur vjen puna tek sipërfaqja. Pikërisht kjo ka qenë edhe arsyeja pse qeveria “u dorëzua” duke e lënë vitin 2018 si fazë tranzitore, çka nënkupton që Bashkitë do të zbatojnë me formulën e re sipas mundësive që kanë, duke punuar paralelisht për zgjidhjen e ngërçeve në terren në mënyrë që vitin e ardhshëm të mos ketë surpriza. Por cilat janë problemet që u shfaqën në muajin e dytë të hyrjes në fuqi të taksës së re të ndërtesës dhe që bënë qeverinë të reflektonte për një afat të ri?“Monitor” u interesua pranë disa prej bashkive në vend për të marrë përshtypjet e tyre të para mbi procesin dhe sfidat me të cilat ato po hasin në terren.
Regjistrat e vendorëve me probleme, Vetting-u frenon reformën
Me ligj, të gjithë Bashkitë duhet të nisin të arkëtojnë me vlerën e re të taksës së ndërtesës prill-dhjetorin dhe me vlerën e vjetër janar-marsin 2018.
Shumica e atyre me të cilët “Monitor” kontaktoi konfirmuan se e kanë një bazë të dhënash mbi ndërtesat në territorin e tyre, por problemi qëndron tek rifreskimi periodik, i cili duhet të bëhet në bazë të shkëmbimit të informacionit me agjenci të tjera.
Ata pohojnë se për bizneset, baza e të dhënave është disi më e saktë, kurse për individët është më problematike. Me ligj, bashkitë mund të marrin informacion pranë disa institucioneve duke nisur që nga Zyrat Rajonale të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP), që janë më të rëndësishmet, por këto të fundit nuk po përballojnë dot fluksin e ri të punës që ju vjen nga Vetting-u.
Aktualisht Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme janë të përfshira në procesin që lidhet me verifikimin e pasurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Një pjesë e mirë e bashkive na konfirmuan se kanë kërkuar informacion përmes shkresave zyrtare pranë ZRPP, por që kjo deri më tani ka qenë pa rezultat. E njëjta kërkesë është bërë edhe pranë Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit, Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale.
Me futjen në grupin e ndërtesave që do ta paguajnë taksën edhe të atyre që janë në proces legalizimi, baza zgjerohet dukshëm, por për bashkitë kjo do të dojë kohën e vet për të finalizuar plotësisht regjistrin. Bashkitë shprehen gjithashtu se ka një ngërç që lidhet me rifreskimin e informacionit nga transaksionet në tregun e lirë të pasurive të paluajtshme. Çdo proces i tillë kalon përmes noterëve dhe bashkitë këtë nuk mund ta aksesojnë. Noterët raportojnë vetëm pranë ZRPP dhe kjo e fundit duhet që, çdo tre muaj, të transferojë ndryshimet tek bashkitë, por sot problemi kyç nuk është rifreskimi periodik, por baza e parë mbi të cilën do të punohet.
Vetëdeklarimi si alternativë, grupe pune për verifikim
Nga bashkitë e kontaktuara, vetëm një pjesë e tyre raportuan për grup pune të ngritur në institucion dhe të dedikuar për procesin e taksës së ndërtesës. Disa prej tyre e kanë të pamundur që të ngrenë grupe të veçanta pasi nuk kanë kapacitetet njerëzore apo logjistikën e nevojshme. Bashkia e Vlorës dhe e Korçës konfirmuan se aktualisht kanë grupe të dedikuara për verifikimin, ndërsa Bashkia e Vorës duket se ka gjetur një zgjidhje alternative për një grup, i cili do të funksionojë kërkesë pas kërkese duke qenë se mundësitë e bashkisë janë të kufizuara. Problemi kryesor në gjithë këtë aspekt është çështja e saktësisë së sipërfaqes që do të taksohet për çdo ndërtesë, qoftë ky apartament banimi, qoftë njësi shërbimi apo çdo kategori tjetër.
Për çdo rast, ligji ka specifikuar se do të ketë mundësi për vetëdeklarim, korrigjim, ankim e një seri procedurash të tjera që sigurojnë në finale një të dhënë të saktë. Në këto kushte, ekspertë që ndjekin nga afër çështjet vendore thanë për “Monitor” se duhet të hartohet një formular unifikues në funksion të vetëdeklarimit. Ky formular duhet që të hartohet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe më pas t’ju shpërndahet të gjitha bashkive. Përmes kësaj krijohet edhe një standard për të gjitha. Në grupet e verifikimit duhet që minimalisht të ketë ekspertë nga urbanistika dhe taksat vendore ndërkohë që kjo mund të asistohet edhe nga administratori i njësisë administrative.
Ligji u jep vendorëve gjithë hapësirat e mundshme për ecurinë e procesit, por në këtë pikë, ajo që mbetet me pikëpyetje është në disa raste vullneti, që kur ka munguar, i ka lënë njësitë vendore me një bazë të dhënash problematike dhe në raste të tjera, kapacitetet njerëzore. Bashkitë e vogla nënvizojnë se nuk kanë mundësi që të dedikojnë grupe të veçanta që do të duhet të shkojnë në çdo njësi administrative dhe këtu nuk flasim për Tiranën, Durrësin ku aksesi është i thjeshtë, edhe pse volumi më i madh.
Nevoja për rivlerësim të taksës, në pak bashki
Bashkitë, edhe pse të njoftuara për Paketën Fiskale 2018, që kishte mes të tjerash edhe ndryshime tek taksa e ndërtesës, duket se nuk kanë qenë të vëmendshme duke dërguar kështu që në muajt e parë të vitit, kryesisht tek biznesi, faturën për pagesën e taksës vjetore me formulën e vjetër. Në kushtet kur tashmë kemi një formulë të re, ka lindur nevoja për një rivlerësim të taksës, duke bërë që faturat që i janë nisur biznesit për t’u paguar me taksën e vjetër të anulohen dhe të dërgohen faturat e reja me vlerën reale.
Kjo do të thotë që Bashkitë do të duhet të bëjnë një përllogaritje të re, duke përfshirë formulën e vjetër për 3 muajt e parë dhe formulën e re për 9 muajt e tjerë të vitit. Ky proces rivlerësimi është parë i nevojshëm, në mënyrë që taksimi të jetë i drejtë dhe sipas asaj që sanksionon kuadri ligjor, por ajo që shihet me rezerva është ndikimi që mund të ketë ky proces, te biznesi i cili merr dy fatura të ndryshme brenda pak muajsh, çka mund të ketë ndikim qoftë dhe minimal në disponibilitetin për ta paguar.
Procesi i mbledhjes mbetet i paunifikuar
Qeveria do të deklaronte fillimisht se taksa e ndërtesës do të mblidhej përmes një agjenti që do të caktohej me vendim të veçantë. Në finale, vendimi për një agjent të vetëm që mbulon gjithë territorin dhe ku u përfol se do të ishte OSHEE nuk kaloi. Duke mos kaluar këtë hallkë, Bashkitë u gjendën para faktit se sërish duhet të mendonin vetë për mënyrën sesi do të procedonin. Konkretisht sot sistemi nuk është i unifikuar. Disa Bashki si Tirana, Korça, Shkodra po e mbledhin këtë taksë përmes ndërmarrjeve të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe kjo nuk është diçka e re. Kjo alternativë ka kohë që funksionon si e tillë.
Ndërkohë që preferenca e bashkive është ta mbledhin taksën përmes një agjenti, një pjesë ende vijojnë ta bëjnë këtë proces të vetme, kjo pasi për bashki të vogla, mbledhja përmes një agjenti rezulton e “shtrenjtë”. Gjasat janë që modelet e ndryshme të mbledhjes të mbeten, të tilla deri në momentin që do të kemi një bazë të parë të Kadastrës Fiskale, çka mund të ndezë dritën e gjelbër për miratimin e vendimit “unifikues” të agjentit. Nga Nertila Maho/Monitor