Diplomaci penale

E Enjte, 14 June 2018 13:06

Nga Carloalberto Rossi

Për mbi tre vjet jemi mësuar të dëgjojmë dy ambasadorët e klasit të parë, Donald Lu dhe Romana Vlahutin, në rolin e marrë me vullnet të lirë të punonjësve të propagandës së qeverisë shqiptare, të japin mendime të rënda, të shpallin vendime në emër të popullit shqiptar, të interpretojnë ligjet shqiptare, të lëshojnë thënie të mençura aq edhe kërcënime, të tregojnë se cilët “peshq” duhet të kapeshin, të falsifikojnë raporte zyrtare, të japin vendime gjyqësore, të përndjekin gjykatës dhe prokurorë, të shoqërohen me tregtarë nafte.

Rreth tyre, trupi diplomatik evropian bënte me zell detyrën e tij, duke lavdëruar në kor qeverinë për përparimet e supozuara në rrugën drejt Europës, dhe duke nënvizuar gjithmonë nevojën e pakundërshtueshme të reformës në drejtësi. Në fund të korit, një hap para rreshtit, ambasadori italian, i ndrojtur dhe duke bëlbëzuar, ka lëshuar dy-tre herë ndonjë deklaratë të përgjithshme mbështetjeje për qeverinë si reagim për reformën në drejtësi. Asnjë gjë për të rënë në sy, vetëm një kuisje sa për të treguar se ekziston.

Vetëm një herë, në mënyrë të çuditshme, doli nga grupi dhe vizitoi, pa bërë deklaratë, tendën e famshme në të cilën Basha predikonte më kot nevojën për të rithemeluar republikën shqiptare, duke larguar nga parlamenti banditët dhe të dyshuarit dhe duke krijuar një sistem zgjedhor të besueshëm.

Diplomacia bëhet edhe duke heshtur, dhe ajo prania e tij në çadër, e papritur, e heshtur, ngjalli refleksione dhe komente, por mbi të gjitha i tha të paktën gjysmës së vendit se Italia, fqinji i madh dhe vëllazëror, dinte të dëgjonte dhe të kushtonte vëmendje, pa u bërë pjesë e lojës së ekipeve lokale.

Përpara kësaj, kishte folur vetëm një herë, dhe për një çështje të nxehtë, atë të aparatit përgjues IMSI Catcher, e futur në Shqipëri në mënyrë të fshehtë nga funksionarë të dyshimtë të policisë italiane. Pohimi i tij për mediat, haptasi i rremë, se makina djallëzore kishte qënë gjithmonë në duar të italianëve (pra aparati nuk mund të ishte përdorur dot për përgjime, por vetëm për trajnim dhe praktikë), shërbeu për të groposur të vërtetën, për ta mbyllur çështjen politikisht, dhe mbi të gjitha , edhe një herë, për të shpëtuar Tahirin dhe me të, qeverinë Rama.

Nëse thjesht do të kishte heshtur, mund ta kishte patur në dorë të gjithë qeverinë shqiptare, por foli, dhe mori të gjithë përgjegjësinë e futjes për qëllime kriminale dhe të mbajtjes në duar të paqarta të pajisjes, dhe kështu përfundoi vetë nën kërcënimin shqiptar, së bashku me qeverinë italiane të kohës, të cilën ai përfaqësonte në Shqipëri. Nëse ishte zgjedhje e tij apo e të tjerëve, kjo nuk dihet dhe nuk do merret vesh ndonjëherë.

Tani, ndërsa Shqipëria po fundoset nën një reformë të dështuar të drejtësisë, e kërkuar aq shumë nga një burokraci e caktuar ndërkombëtare—Italia nuk ka luajtur asnjë rol në këtë reformë përveç se ka patur ndonjë ekspert të heshtur dhe në minorancë përballë ekspertëve më së shumti gjermanë dhe kroatë, ekspertë të paaftë të parandalonin paralizën e parashikueshme institucionale të shkaktuar nga moskrijimi i organeve të reja dhe mosekzistenca e atyre të mëparshme, duke e dorëzuar kështu çdo gjë në duart e shumicës socialiste të Ramës, të cilën tashmë nuk e kufizon më as Kushtetuta, sepse Gjykata Kushtetuese është shpërbërë—pra, tani që gjëma u bë dhe, ndërsa, në Romë ende nuk ka filluar nga puna një qeveri e re e dalë nga një shumicë e re, Ambasadori Cutillio, për të dytën herë që kur ka ardhur në Shqipëri, është hedhur, ka folur dhe ka shpallur vendimin.

Ndoshta shkaku është ndrojtja, e cila e ka detyruar të marrë shumë vrull, ose ndoshta e di se po gënjen në mënyrë të pacipë dhe kjo e bën të ndihet në siklet, ose ndoshta e di që po thotë gjëra që nuk përputhem me qendrimin e Romës, ose të paktën me atë pjesë të Romës që po merr në dorë drejtimin e qeverisë, por rezultati është se deklaratat e tij, në kontekstin e një mungese shumë vjeçare në skenë, tingëllojnë të dyshimta, dukshëm keqinformuese dhe tërësisht të pajustifikueshme.

Nuk qëlloi as në shenjë, të paktën.

Ai thotë se nuk i rezulton e vërtetë se reforma në drejtësi ka krijuar kapje të sistemit të drejtësisë nga shumica socialiste, dhe për të konsoliduar efektin në të njejtën kohë ankohet për mos funskionimin e Gjykatës Kushtetuese—kjo e fundit tregon në mënyrë të pashmangshme pikërisht atë që ai përgënjeshtron thatësisht—por këtë ai e konsideron një kosto të pashmangshme për t’u paguar kur kryen një reformë “të paprecedentë në Evropë”.

I pakënaqur nga kjo, ai kalon në mbrojtje të hapur të Saimir Tahirit, duke shpjeguar se procesi në Katania nuk ka lidhje me ministrin, por më pas mbrohet duke thënë se di vetëm ato që dinë të gjithë në Shqipëri, përfshi gazetarët. Një gjysëm e vërtete, sepse gazetarët e vëmendshëm e dinë mirë që përveç procesit të Habilajve, në Katania po vazhdon edhe një hetim ndaj Tahirit, gjë e pranuar edhe nga vetë ish-ministri pak javë më parë në televizion.

Më pas ai shpjegon se është normale që për vëllain narkotrafikant të dënuar të Ministrit të Brendshëm Xhafaj nuk ka pasur kërkesë për ekstradim, duke argumentuar se, për dënime të lehta, shteti italian nuk kërkon kurrë ekstradim, duke “harruar” kështu shumë që kanë ndodhur dhe vazhdojnë të ketë me shumë të dënuar shqiptarë në Itali, e mbi të gjitha duke pranuar se vëllai i ministrit nuk është shpallur asnjëherë në kërkim as në Itali, pra se ai mund të qendrojë qetësisht në mes të Piazza Navona-s, të pijë kafe, i sigurt se nuk do të ekstradohet.

Në fund, shpjegon se qeveria e re italiane nuk do të sjellë ndryshime në politikën e jashtme, gjë që sipas tij garantohet nga emri i Minsitrit të Jashtëm të ri, por kjo tezë është përgënjeshtruar në mënyrë fantastike pak ditë më parë në daljet e para publike të Kryeministrit Conte dhe të Ministrit të ri të Brendshëm Salvini.

Të gjitha komentet private të shqiptarëve, më shumë miq të Italisë, pavarësisht nga anësitë politike, janë tronditëse—ata besonin, falë një sjellje diplomatike të ndërtuar për më shumë se çerek shekulli, se diplomacia italiane dinte të qendronte jashtë baltës shqiptare, ashtu sikurse kishte bërë gjithmonë, dhe ishte e aftë të kuptonte situatën shqiptare, duke imponuar në fund disa zgjedhje të pranueshme dhe të dobishme për vetë Shqipërinë.

Por të gjithë kanë lexuar në fjalët e Cutillios një anëshmëri të qartë pro qeverisë Rama dhe dy ministrave të tij të brendshëm, qartësisht të lidhur me narkotrafikun.

Një gjë e padëgjuar, njësoj sikur të kishte çmontuar 25 vjet diplomaci italiane në vend.

Duke parë situatën e politikës së Romës, me një qeveri të re dhe shumë të ndryshme, por ende në ngjizje, është e lehtë të marrësh me mend se bëhet fjalë për një zgjedhje private të ambasadorit, për një favor direkt, për një bashkëpunim personal, për një dobësi të një njeriu të papërshtatshëm për detyrën që mban, por gjërat shumë të diskutueshme që kanë ndodhur gjatë viteve të fundit në kronikën shqiptare lënë të hapur një skenar akoma më shqetësues.

Si mund të mos të merret parasysh edhe mbështetja e pakushtëzuar e dhënë deri më tani ndaj këtyre ministrave narkotrafikantë nga gati të gjitha insititucionet italiane; si mund të mos të merret parasysh mbështetja e heshtur e misioneve të policisë italiane ndaj këtyre ministrave duke fshehur në mënyrë këmbëngulëse ekzistencën e problemit të narkotrafikut, si mund të mos të merret parasysh historia e një narkotrafikanti, vëlla me ministrin e Brendshëm shqiptar që lirohet nga burgu, dëbohet, i dënuar dhe asnjëherë i shpallur në kërkim nga policia italiane; si mund të mos merret parasysh bashkëpunimi i policisë italiane në furnizimin, në dëm të prokurorisë, të instrumentave të paligjshëm të përgjimit të policisë së Tahirit, pjesa më e madhe e së cilës tani është në arrati sepse është shpallur në kërkim nga prokuroria shqiptare; si mund të mos merret parasysh heshtja e stërgjatë mbi ministrin Tahiri, kushurinjtë e të cilit ishin në mënyrë të pamohushme narkotrafikantë të njohur, të hetuar dhe të përgjuar prej vitesh nga autoritetet hetimore italiane; si mund të mos merret parasysh heshtja italiane mbi arrestimin e Dritan Zaganit, fajtor se shënjestroi kushërinjtë e ministrit, i akuzuar se në të shkuarën i kishte kaluar informacion për ta një kolegu italian të Guardia di Finanza, edhe ai publikisht dhe padrejtësisht u akuzua nga vetë Rama si bashkëpunëtor i narkotrafikut; dhe si mund të mos merret parasysh kontratat misterioze të koncesioneve shqiptaro- italiane në sektorin e mbetjeve, dhe anomalitë e shumta dhe mungesën e kriminalëve të njohur shqiptarë në listat e Interpolit?

Dhe në fund, si mundet të mos kuptosh se sforcimet e reformës në drejtësi të imponuara nga qeveria Rama me votat e shumicës, dhe më shkelje të njëpasnjëshme të frymës dhe gërmës të reformës kushtetuese po e tërheqin Shqipërinë drejt një të ardhme diametralisht të kundërt me të ardhmen e shumë reklamuar evropiane!

Një e ardhme, për Shqipërinë e Edi Ramës dhe Alberto Cutillios, më shumë si një sulltanat otoman se sa principatë e ndriçuar, është që sot realitet në një vend pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa asnjë kundrapeshë institucionale.

E si mund të mos kuptosh se fluksi i madh i parave kriminale, tashmë, po vret çdo sipërmarrje normale dhe se ai sulltanati otoman, ku autoriteti i vetëm është vullneti i një shefi të llastuar, do të kthehet shpejt në një territor ku duke paguar mund të bëhet çdo gjë, mund të bëhet tregti, mund të bëhet kontabandë, mund të vidhet, mund të fshihet çdo gjë, çdo armë, çdo person, ndërsa publikisht deklarohet vullneti për të garantuar kufij të sigurt?

Nëse duke vazhduar kështu, disa diplomatëve italianë—si shumë funksionarë të tjerë të turpëruar të qeverisë italiane, kampionë sa të mbylljes së syve aq edhe të propagandës servile ndaj një çështje që nuk duhet të jetë e tyrja—së shpejti mund t’u vishet një krim shumë i famshëm në Itali, “bashkëpunim në një organizatë kriminale të jashtme”, duke qënë se nuk është e lehtë të gjesh provat për një evidentim të drejtpërdrejtë të “anëtarësimit me pagesë në një fuqi të huaj.”

Modifikuar më E Enjte, 14 June 2018 13:09
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...