Një penallti e humbur nga Lionel Messi e detyron Argjentinën të pajtohet me barazimin 1-1 ndaj Islandës në ndeshjen e parë të “çelstëve” në Kupën e Botës, “Rusi 2018”.
Argjentina kaloi në avantazh pas 19 minutash lojë me anë të Sergio Aguero. Sulmuesi i Manchester City shënoi me një goditje të shkëlqyer me të majtën, pas topit të marrë nga Marcos Rojo.
Avantazhi i ekipit të Jorge Sampaoli zgjati vetëm katër minuta pasi Alfred Finnbogason barazoi për Islandën.
Kur u mbush një orë lojë, Lionel Messi fitoi një 11-metërsh, por goditja e numrit 10-të u prit nga Hannes Halldorsson. Kjo ishte penalltia e katërt e humbur nga Messi në shtatë ekzekutimet e fundit, në nivel klubesh dhe përfaqësuesesh.
Argjentina e dominoi ndeshjen në minutat e fundit, por me një shpirt të madh gare, sakrificë, pritjet e Halldorsson dhe shumë fat, Islanda mori pikën e parë në ndeshjen e parë në një Kupë të Botës.