Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, priti dje ish-anëtarin e Gjykatës Europiane të Auditit dhe ish Drejtor i Përgjithshëm i Gjykatës Austriake të Auditimit, Hurbert Weber. Gjatë këtij takimi dy krerët diskutuan mbi forcimin e mëtejshëm të kontrollit të lartë të shtetit në Shqipëri. Sipas Rucit, Ligji i ri për Kontrollin e Lartë të Shtetit, miratuar në vitin 2014, ofron më shumë garanci për zbatimin e standardeve ndërkombëtare të auditimit, si edhe për bashkëpunimin efektiv me Kuvendin.
Kreu i kuvendit deklaroi se institucioni që ai drejton po jep të gjithë mbështetjen e vet që Kontrolli i Lartë i Shtetit të bëhet gardian i ligjshmërisë, ndershmërisë dhe eficiencës së qeverisjes. Nga ana e tij Weber, falënderoi Kryetarin e Kuvendit për pritjen dhe e informoi atë mbi bashkëpunimin e ngushtë me Kontrollin e Lartë të Shtetit të Shqipërisë. Ai vlerësoi bashkëpunimin midis Kuvendit dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke e konsideruar këtë bashkëpunim mjaft të dobishëm për plotësimin e misionit të KLSh-së.