Policia fsheh të vërtetën për shoferin e Fatmir Xhafajt

Diel, 01 July 2018 11:24

Policia e Shtetit, Shërbimi për Çështjet e Brendëshme dhe Ankesat i Ministrisë së Brendshme dhe Prokuroria kanë bërë të shtunën një njoftim të përbashkët për vdekjen, shkaktuar nga armë zjarri, të shoferit të Ministrit të Brendshëm, i cila shprehet se dyshohet për një vetëvrasje. Por njoftimi, i botuar vetëm në faqen e Policisë së Shtetit, në vend të sqarojë, ka ngjallur shumë dyshime, për shkak të formës dhe përmbajtjes të pazakontë të tij.

Njoftimi është të paktën i pazakontë pasi është bërë në emër të prokurorisë, e cila, zakonisht, bën deklarata vetëm për të njoftuar hapje apo përfundim hetimesh, por jo për të komentuar të dhëna paraprake dhe rrethanore, apo për të dhënë mendime që nuk mbështeten mbi vendime formale hetimore, si në këtë rast. Nga ana tjetër, po në mënyrë të pazakontë, deklarata që jep pista hetim0re është bërë në mënyrë të përbashkët nga Policia e Shtetit, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat i Ministrisë së Brendshme (SHÇBA) dhe Prokuroria. Hetimet kryhen nga prokuroria, që është jo vetëm autoriteti që përcakton dhe drejton hetimet, por dhe i vetmi autoritet që mund të ngrejë dyshime dhe hipoteza hetimore. Ndaj është e paqartë se pse Prokuroria ka zgjedhur që të koordinohet me Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme për të bërë deklaratë të përbashkët me to, ndërkohë që Garda, pjesë e Ministrisë së Brendshme, kishte bërë një njoftim të mëparshëm për të njoftuar ngjarjen.

Gjasat janë, që në fakt njoftimi të jetë hartuar nga Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme, por për të rritur besueshmërinë ato kanë futur edhe emrin e prokurorisë në njoftim. Në njoftim, Policia dhe Ministria janë ngutur të japin menjëherë, brenda pak orësh, një dyshim të vetëm zyrtar për shkakun e vdekjes, edhe pse është e vështirë që në një kohë kaq të shkurtër të jenë kryer hetime të mirëfillta dhe përpunuar hipoteza hetimore, përtej këqyrjes sipërfaqësore të vendit të ngjarjes.

Siç është bërë e njohur, në vendin e ngjarjes ka patur qitje të disa plumbave—burime të ndryshme mediatike flasin se janë gjetur të paktën gjashtë gëzhoja, ndërsa prokuroria shprehet për tre gëzhoja. Kjo do të thotë se qitja nga arma ka shkaktuar zhurmë që duhet të ishte dëgjuar si brenda territorit të Gardës ashtu edhe tek kalimtarët dhe banorët pranë Gardës.

Por si njoftimi i Prokurorisë, edhe ai i mëparshmi i  Gardës, e shmangin krejtësisht këtë moment dhe shprehen vetëm se “u gjet trupi i pajetë”, pa folur për rrethana si dhe nga kush u gjet “trupi i pajetë”. Kjo do të thotë se, ose një detaj i rëndësishëm nuk bëhet publik, ose qitja ka ndodhur me armë të pajisur me silenciator ndaj dhe ajo nuk është ndjerë.

Por mbasi “harron” këtë informacion të rëndësishëm, njoftimi i Prokurorisë jep detaje në dukje të sforcuara. Kështu njoftimi thekson se garazhi ku ishte parkuar makina brenda së cilës u gjet trupi i pajetë “u gjet i mbyllur nga brenda.” Nuk ka ndonjë informacion mbi llojin e derës së garazhit—garazhet e zakonshme kanë derë elektrike dhe për këta lloje garazhesh koncepti i mbylljes nga brenda është i pakuptimtë, ndërsa që garazhi të ketë derë mekanike që hapet dhe mbyllet medorë, pra që mund të mbyllet me shul nga brenda duket si i panatyrshëm—por ky detaj i vendosur në njoftim nënkupton se viktima e ka mbyllur vetë garazhin dhe prej atje nuk ka dalë njeri pas mbylljes.

Pastaj njoftimi jep një tjetër detaj tejet teknik se në kokën e viktimës ka plagë të shkaktuar nga plumb apo plumba që janë qitur “me drejtim nga e djathta në të majtë”: “[N]ë kokën e viktimës ka plagë tejshpuese të shkaktuar nga armë zjarri, me qitje me drejtim nga e djathta në të majtë.” Ky detaj, pas atij të mësipërmit, përforcon përfundimin e vetëvrasjes—një njeri tipik me dorë kryesore të djathtën, natyrshëm do ta qëllonte veten duke e mbajtur armën në dorën e djathtë, sikurse njoftimi pohon më poshtë, dhe vendosur atë në anën e djathtë të kokës për të bërë qitjen.

Më tej, pasi jep një fakt, i cili mund të çojë në hipotezën e një vrasjeje të mundshme, se në vendngjarje u gjetën të paktën tre gëzhoja, njoftimi menjëherë përfshin një detaj për ta bërë këtë fakt të përputhshëm me variantin e vetëvrasjes, duke theksuar se arma ka qenë në pozicionin “qitje me breshëri”: “Në vendngjarje u gjetën 3 gëzhoja të qitura nga arma automatike tip ‘MP5’, e cila ishte në dorën e djathtë të viktimës, me levën e ndërrimit të llojit të zjarrit, në pozicionin ‘qitje breshëri’.”

Sidoqoftë, ky pohim bie ndesh me përvojën e kriminalistikës dëshmon se është gati e pamundur që një person të arrijë të mbajë gishtin në këmbëz pasi plumbi i parë prek kokën, për të qëlluar më shumë se njëherë. Pas këtyre treguesve rrethanorë që nënkuptojnë vetëvrasje—pa dhënë ndonjë fakt apo informacion tjetër hetimor qoftë edhe rrethanor, përfshi informacionin e rëndësishëm se sa plumba kanë depërtuar trupin dhe ku janë gjetur plumbat që nuk janë gjetur në trup—njoftimi i Prokurorisë dhe Policisë natyrshëm vazhdon me pohimin se “dyshohet se viktima është vetëvrarë, me armën e shërbimit”.

Në fund të tij, njoftimi bëhet joprofesional pasi i referohet viktimës si “i ndjeri”, një term krejtësisht jo teknik që nuk është përdorur ndonjëherë në njoftimet e prokurorisë. Prokuroria, gjithashtu merr përsipër të japë një informacion që është e vështirë ta ketë verifikuar kaq shpejt, se “i ndjeri… nuk ka qenë asnjëherë subjekt procedimi, pezullimi apo mase tjetër disiplinore.”

Ky njoftim i dyshimtë, i ardhur pas një sërë informacionesh kontradiktore të botuara në media—përfshi pretendimin se viktima është gjetur në orën 06:00 dhe jo në 9:30 siç është raportuar zyrtarisht dhe se në vendngjarje janë gjetur gjashtë dhe jo tre gëzhoja siç është raportuar zyrtarisht—rrit dyshimet mbi të vërtetën e vdekjes së ish-shoferit të Ministrit të Brendshëm. /exit.al/

Modifikuar më Diel, 01 July 2018 22:03
Login to post comments

Lajmet e fundit

Paditet kryebashkiaku i Nju Jorkut/ Hetimi federal dhe dyshimet për financimin e fushatës

Globi

Paditet kryebashkiaku i Nju Jorkut/ Hetimi federal dhe dyshimet për financimin e fushatës

    Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Eric Adams është paditur për të paktën një akuzë penale dhe është vënë nën hetim federal. Adams do t'i dorëzohet autoriteteve në fillim të javës së ardhshme...

Kraja: Degradim i shtetit ligjor! Korrupsioni i Ramës dihet nga ndërkombëtarët, por ata shpeshherë e mbyllin një sy

Politikë

Kraja: Degradim i shtetit ligjor! Korrupsioni i Ramës dihet nga ndërkombëtarët, por ata shpeshherë e mbyllin një sy

    I ftuar në edicionin e pasdites në SYRI TV me moderatorin Edvin Parruca për të folur për shpërqëndrimin që po i bën Rama shqiptarëve me 'Shtetin Bektashi', mes skandaleve që...

Xhuljan Guçe: Qytetarët e Korçës nuk pranojnë më premtime “pe leshi”

Politikë

Xhuljan Guçe: Qytetarët e Korçës nuk pranojnë më premtime “pe leshi”

Nga Xhuljan Guçe: Në një deklaratë të fundit, drejtuesi i Partisë Socialiste në Korçë, z. Niko Peleshi, njoftoi se partia e tij synon të sigurojë 6 mandate në këtë qark, duke...