Me qëllim për të siguruar një nivel të lartë të përmbushjes tatimore, Tatimet në Kosovë gjatë sezonit veror do të shtrihen edhe në organizimet festive, si dasma apo veprimtari të ngjashme.
“Si çdo vit tjetër ATK në sezonin e verës ka një plan të veçantë të aktiviteteve, i cili zhvillohet brenda dhe jashtë orarit të punës, kjo me qëllim të monitorimit sa më të mirë të veprimtarive rekreative, argëtuese-përfshirë organizimet nëpër hotele dhe restorantet, koncertet, dasmat si dhe veprimtari të ngjashme, të cilat në këtë sezon janë më të theksuara. Këto aktivitete ndërmerren në mënyrë që të sigurohen dëshmi të ndryshme, në lidhje me të ardhurat që realizohen nga ky sektor. Bazuar në dëshmitë që krijohen gjatë këtyre aktiviteteve, si dhe bazuar në faktet e tjera që gjenden në mënyra të ndryshme, ATK bën vlerësimin e obligimeve të këtij sektori”, thuhet në njoftim.
Vetëm gjatë muajve Janar-Qershor 2018 në sektorët e lartpërmendur janë realizuar 1,901 vizita, ku nga konstatimet e bërë janë lëshuar gjoba në vlerë 111,325 euro.
ATK është e fokusuar në tri çështjet kryesore: përmbushjen vullnetare, ofrimin e shërbimeve profesionale, si dhe trajtimin e barabartë të të gjithë tatimpaguesve.