Qytetarët shqiptarë do të paguajnë një faturë të çmendur prej 337 milionë eurosh për ndërtimin e një rruge me gjatësi vetëm 20 kilometra. Bëhet fjalë për rrugën Thumanë-Kashar, e cila do të ndërtohet me konçesion sipas programit 1 miliardë euro.
Syri.net zbardh dokumentat zyrtarë të projektit, që janë përgatitur nga Ministria e Infrastrukturës. Sipas shpalljes së kontratës, vlera e parashikuar e projektit në bazë të studimit të fizibilitetit është përllogaritur 245 milionë euro.
Por, qeveria do të pranojë edhe nëse fatura shkon 337.5 milionë euro. “Vlera e parashikuar në modelin financiar nuk duhet të përllogaritet nga ofertuesit më e lartë se 337.5 milionë euro” thuhet në dokumentin zyrtar.
Kjo do të thotë se qeveria do të pranojë që për 13 vitet e ardhshme të paguajë deri në 337.5 milionë euro tek kompania private për ndërtimin e rrugës me gjatësi 20 kilometra. Saktësisht rreth 17 milionë euro për çdo kilometër, në një rrugë e cila nuk parashikohet të ketë as tunel as ndonjë vepër të madhe arti dhe që shtrihet e gjitha në terren fushor.
Për krahasim, autostrada Tiranë-Elbasan një rrugë 31 kilometër e gjatë, e cila përfshin dhe një tunel 2.5 kilometër ka kushtuar 340 milionë euro. Nga këto 50 milionë euro janë shtuar në dy vitet e fundit. Por pavarësisht kësaj sërish kostoja e autorstradës Tiranë-Elbasan është më pak se 11 milionë euro për kilometër, ose 60 për qind më e ulët se sa fatura që pritet të shkojë Thumanë-Kashar.
Qytetarët shqiptarë do të paguajnë shumë shtrenjtë për konçesionet e programit 1 miliardë euro të shpallur nga qeveria. Ky program parashikon ndërtimin e 5 akseve të mëdha kombëtare, nga kompani private, të cilat më vonë do të paguhen me këste nga qeveria. Por kjo formulë duket se do të sjellë një faturë të kripur për taksapaguesit, të cilët do të paguajnë nga taksat e tyre, bizneset fituese të përzgjedhur nga qeveria.
Të gjitha veprat e programit 1 miliardë euro të PPP-vë kanë kosto disa herë më të larta nga projektet e ngjashme. Programi, të cilin qeveria e trumbetoi si një model të suksesshëm, në fakt do të vendosë një barrë të rëndë mbi qytetarët, të cilët do të paguajnë kostot e çmendura të koncesioneve me ofertë të pakërkuar. Kjo ka qenë dhe një nga arsyet kryesore se pse Fondi Monetar Ndërkombëtar i kërkoi publikisht qeverisë të pezullojë menjëherë programin 1 miliardë euro të konçesioneve.