Një 34 vjeçar është arrestuar nga policia e Elbasanit si dhe është shpallur në kërkim shoku i tij, pasi akuzohen për disa grabitje. Në kuadër të operacionit të koduar “Yamaha”, në pranga ka përfunduar Frederik Maranaku, 34 vjeç si dhe është shpallur në kërkim E.V., 29 vjeç.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjes së pronës, zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan, në sajë të një pune të mirëorganizuar u bë finalizimi me sukses i operacionit policor të koduar ”Yamaha”:
Nga veprimet hetimore të kryera nga ana e strukturave të Komisariatit të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, është arritur të dokumentohet me prova ligjore se shtetasi Frederik Maranaku në bashkëpunim me shtetasin E.V., në kohë dhe vende të ndryshme kanë kryer vjedhje të ndryshme në qytetin e Elbasanit si dyqane, motorra, bicikleta dhe konkretisht:
• Më datë 05.07.2018 në Lagjen “28 Nentori”, në katin e parë të një pallati, dyshohet se i kanë vjedhur kanjellat material alumini shtetasit G. Sh.
• Më datë 05.07.2018,dyshohet se kanë vjedhur biçikletën e tipit “Scott”, të shtetasit D.G, banues ne lagjen “ 28 Nentori”, Elbasan.
• Më datë 31.03.2018, në lagjen “Visarion Xhuvani”, dyshohet se kanë vjedhur biçikletën, me vlerë 30.000 lekë pronë e shtetases A.B.
• Më datë 04.02.2018 në lagjen “Dyli Haxhire”, dyshohet se i kanë vjedhur motomjetin tip “Yamaha”, shtetasit R.K.
• Më datë 17.02.2018, në lagjen “Brigada 17 Sulmuese”, dyshohet se kanë vjedhur me thyerje dyqanin me artikuj ushqimor të shtetasit A.S, ku kanë marrë steka me cigare të llojeve ndryshme.
• Më datë 26.02.2018, në lagjen “Haxhias”, dyshohet se kanë vjedhur një motoçikletë tip “PJAXHO”, pa targa në magazinën e shtetasit F.A.
• Më datë 27.02.2018, në lagjen “Haxhias”, dyshohet se kanë vjedhur me thyerje dyqanin (Byrektore) të shtetasit A.D , ku kanë marrë 10.000 lekë në sirtarin e dyqanit.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore në konsultë të plotë me Prokurorin, u bë ndalimi i shtetasit:
• Frederik Maranaku , 34 vjeç, banues në lagjen “28 Nentori”, Elbasan si dhe u shpall në kërkim autori i dytë i dyshuar shtetasi, E.V., 29 vjeç, banues në lagjen “Luigj Gurakuqi”, Elbasan.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprën penale të “Vjedhjes, të kryer në bashkëpunim”, të parashikuar nga neni 134/2 të Kodit Penal.