Policia e Vlorës ka bërë me dije ditën e sotme se ka vënë në pranga 3 persona, të cilët vinin nga qyteti Fierit dhe shpërndanin heroinë në Vlorë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se në Vlorë vinin shtetas prej qytetit të Fierit të cilët shpërndanin lëndë narkotike të llojit heroinë në Vlorë, kanë zhvilluar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Circle”.
Si rezultat janë kapur dhe arrestuar në flagrancë: Jetnor Xhelaj, 48 vjeç, lindur dhe banues në Visokë-Fier, Arjan Mejdani, 44 vjeç, lindur dhe banues në Ballsh-Fier, (iu sekuestruan në banesë 17 doza kanabis), Reni Hasanaj, 31 vjeç, lindur dhe banues në Ballsh-Fier.
Ata e ushtronin aktivitetin e tyre kriminal të shpërndarjes së heroinës kryesisht pranë poliklinikës në lagjen “Hajro Çakërri” Vlorë.
Në momentin e kapjes nga Policia, atyre u janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 420 doza heroinë, 2000 dollarë të falsifikuar, 25 tableta metadon, 1 peshore elektronike si dhe mjeti tip ''Audi'', me të cilin qarkullonin.
Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprat penale “Prodhim, shitja e narkotikëve” dhe “Falsifikimi i monedhave”.