Britania e Madhe do të investojë 10 milionë paund për nxitjen e aftësive digjitale dhe perspektivave të punësimit për të rinjtë në Ballkanin Perëndimor. 1 milion paund shtesë për adresimin e trashëgimisë të së kaluarës.
Sipas Ministrisë së Jashtme të Britanisë së Madhe, përmes këtij financimi Këshilli Britanik do të mundësojë trajnime për fëmijët në mbi 4500 shkolla. Duke siguruar qasje në arsimin digjital, ky financim do të ndihmojë në nxitjen e brezit të ardhshëm të inovatorëve dhe sipërmarrësve, si në Ballkanin Perëndimor ashtu edhe në Britaninë e Madhe.
Ndërsa, lidhur me fondin shtesë për çështjet e vështira të trashëgimisë të së kaluarës, përfshihen gjetja dhe identifikimi i 12 000 viktimave ende të zhdukur nga konfliktet e viteve 1990.
Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, i cili do të prezantojë iniciativën e Britanisë në ditën e parë të Samitit të Ballkanit Perëndimor në Londër tha se financimi demonstron angazhimin e vazhdueshëm të Britanisë së Madhe për rajonin.
“Ky financim i ri demonstron angazhimin e përhershëm të Britanisë së Madhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe se tregon dëshirën tonë për të ndihmuar rajonin të kapërcejë disa nga kapitujt më të vështirë në historinë e tyre dhe të hapë rrugën për një të ardhme më të begatë.”
Samiti i Ballkanit Perëndimor në Londër është Samiti i pestë i Procesit të Berlinit, i cili ka nisur punimet ditën e sotme dhe do të zhvillohet deri më 10 korrik.