A2, filiali ekskluziv i lajmeve të CNN në Shqipëri, ka hyrë në fazën e fundit të rekrutimit të stafit, konfirmuan të mërkurën drejtuesit e televizionit. Një sërë rolesh kyç në A2 janë plotësuar nga disa prej profesionistëve më të mirë të medias në vend.
Procesi i punësimit, tashmë në javët e tij të fundit, është konceptuar dhe zbatuar në bashkëpunim të ngushtë me CNN. “Jemi vërtet të lumtur që përpjekjet tona kanë rezultuar në mbushjen e radhëve të partnerit tonë ekskluziv A2 me gazetarë shqiptarë dhe profesionistë të tjerë të jashtëzakonshëm të medias,” tha Roland Nikolaou, Drejtor i CNN International Commercial për Partneritet për Europën, Lindjen e Mesme dhe Afrikën. “Kemi besim të plotë që brenda një kohe të shkurtër, A2 do të ketë skuadrën më të mirë në Shqipëri.”
Televizioni A2 është parashikuar t’i fillojë transmetimet në fund të vitit 2018 për të ofruar 24 orë lajme nga vendi dhe bota, për audiencat shqipfolëse në Shqipëri dhe Ballkan.
Kanali i ri i lajmeve është aktualisht në procesin e instalimit të një game të gjerë zgjidhjesh multimediale të teknologjisë së fundit, pas një marrëveshjeje me Avid, lider i programeve dhe platformave për industrinë e medias dhe kinematografisë.
Sipas Andri Kasnecit, CEO i A2, çdo investim, zhvillim dhe procedurë në formimin e televizionit të ri tregon për rëndësinë dhe seriozitetin e projektit në përputhje me standardet e CNN. “Kjo pasqyrohet edhe në procesin e rekrutimit të stafit, ku partnerët tanë dhe konsulentët e CNN patën një rol udhëheqës në identifikimin dhe përzgjedhjen e kolegëve tanë të ardhshëm,” tha z. Kasneci.
Një mbështetje shtesë ndaj ekipit shqiptar të A2 janë dhe trajnimet e programuara brenda vitit 2018, në selinë e CNN në Atlanta, SHBA, në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Shqipëri, me ekspertë ndërkombëtarë dhe rajonalë.
Për pozicionet e hapura, profesionistët me përvojë si dhe të rinjtë e talentuar ftohen të regjistrohen sa më shpejt në platformën e aplikimit (www.a2news.com/careers).
Televizioni i ri tashmë po hyn në një prej fazave përfundimtare para nisjes së transmetimit, duke pajisur zyrën dhe studiot qendrore në ABA Business Center në Tiranë me infrastrukturën e nevojshme moderne.
Rreth A2
Televizioni i lajmeve A2 është një partneritet ekskluziv mes Cable News Network (CNN) dhe kompanisë shqiptare Gener 2. Filiali ekskluziv i CNN, A2, do t’i ketë zyrat qendrore në Tiranë me njësi mbështetëse të prodhimit të lajmeve të shpërndara në qytete të tjera. Televizioni A2 do të prodhojë kryesisht lajme lokale për audiencat shqipfolëse, dhe gjithashtu, do të bashkëpunojë ngushtë me rrjetin e CNN për shkëmbimin e përmbajtjes.