Operacion policor i koduar “Pizza Porosi” nga Seksioni kundër Narkotikëve në bashkëpunim me Seksionin e Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, ka çuar në pranga tre persona, të cilët shpërndanin lëndë narkotike të llojit Kokainë.
Siç bëhet me dije në pranga nga policia e Tiranës janë vënë Gersi Çeça, 28 vjeç, Renaldo Dalipi, 25 vjeç dhe Albian Avdo, 27 vjeç, të tre banues në Tiranë.
Ata, bashkëpunim me njëri-tjetrin shpërndanin lëndë narkotike të llojit Kokainë në zona të ndryshme të Tiranës dhe për të shmangur kontrollet e Policisë shpërndarjen e lëndës narkotike e kryenin me motorin e picerisë ku punonin.
Nga Seksioni kundër Narkotikëve është organizuar puna për kapjen e tyre në flagrancë dhe më datë 11.07.2018, Renaldo Dalipi është konstatuar duke lëvizur në rrugën “Gani Domi” me mjetin tip “Audi” dhe gjatë kontrollit të ushtruar në mjet nga shërbimet e Policisë i është gjetur një qese me lëndë narkotike e dyshuar e llojit Kokainë. Gjithashtu është ushtruar kontroll në picerinë ku të tre këta shtetas punonin ku dhe u bë ndalimi i dy bashkëpunëtorëve të tjerë Gersi Çeça dhe Albian Avdo.
Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale :
200 gramë lëndë narkotike e dyshuar e llojit Kokainë
Automjet tip “Audi”
Motori i Picerisë
Tre aparate celular
Fishekë
Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municioneve”.