Artistët vazhdojnë protestën e tyre kundër shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar. Artistët kërkojnë mbrojtjen e ndërtesës së Teatrit dhe moszbatimin e ligjit që i hap rrugë ndërtimit me PPP të teatrit dhe të kullave përreth tij. Aktorët e quajnë ligjin që parashikon dhënien e tokës publike ku ndodhet teatri një kompanie private, një skemë të pastër klienteliste antikushtetuese.
“Nuk jemi vetëm kemi parë që qytetarët shtohen nga dita në ditë edhe më shumë. Sepse kanë parë që ne nuk jemi të dhunshëm, kanë parë që jemi për vlerat e trashëgimisë. Qeverisë i ka humbur karta morale. Kanë humbur, nuk kanë çfarë të thonë. Jam i bindur se do t’ia dalim, ne nuk tërhiqemi deri në fund” tha në hapjen e protestës së sotme regjisori Budina.
Protesta për Teatrin do të mbahet mend si ndër më të gjatat që janë zhvilluar në vend. Tubimet e para nisën që në muajin shkurt kur u bë publik projekti i ri i qeverisë. Pothuaj se prej 4 muajsh aktorët kanë protestuar në mënyrë periodike si dhe kanë zhvilluar takime me gjithë autoritet e vendit. Kanë bërë një sërë letrash publike dhe peticione për qeverinë, por në vend të përgjigjeve kanë marrë vetëm konfirmimin se godina do të prishet. Me mjeshtëri, mazhoranca ka arritur që të përçajë një pjesë të artistëve dhe t’i etiketojë protestuesit si njerëz që duan të ruajnë disa gërmadha dhe janë kundër zhvillimit. Kjo skemë vetëm sa ka rritur tensionet dhe paralajmëron përplasje të reja. Qeveria shpreson se duke sulmuar një pjesë të artistëve dhe duke i përçarë numri i atyre që mbrojnë teatrin do pakësohet.