Një 44 vjeçar me emrin Fatjon Veseli, është arrestuar nga policia e Tiranë, pasi akuzohet se shpërndante kokainë në zonat më të frekuentuara të Tiranës.
Policia ka shpallur në kërkim edhe dy bashkëpunëtorët e tij, ndërsa ka sekuestruar “Kokainë”, motor e aparat celular.
Ky shtetas në bashkëpunim me shtetas të tjerë shpërndante lëndë narkotike të llojit “Kokainë” në formë dozash në bazë klientele, në zonën e “Ish- Bllokut”, “Komunës së Parisit” dhe “Tiranës së Re”.
Njoftimi i policisë:
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë në kuadër të Operacionit Policor të koduar “The Weekend Surprise”, arrestoi në kushtet e flagrancës shtetasin :
– Fatjon Veseli, 44 vjeç, banues në Tiranë (i dënuar më parë për “Drejtim automjeti në gjendje të dehur”).
Shërbimet e Policisë ishin në ndjekje të shtetasit të lartpërmendur pasi dispononin informacion se ky shtetas në bashkëpunim me shtetas të tjerë shpërndante lëndë narkotike të llojit “Kokainë” në formë dozash në bazë klientele, në zonën e “Ish- Bllokut”, “Komunës së Parisit” dhe “Tiranës së Re”. Ky shtetas është konstatuar nga Shërbimet e Policisë në zonën e Liqenit Artificial dhe gjatë kontrollit fizik të ushtruar, brenda çantës së tij të krahut i është gjetur një qese me lëndë të dyshuar narkotike të llojit “Kokainë”.
Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi është gjetur një motorr pa targa, i cili pas verifikimeve të kryera rezultoi i vjedhur.
U sekuestruan në cilësinë e provës materiale :
– 201 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit “Kokainë”
– motorr
– aparat celular
Janë shpallur në kërkim dhe dy bashkëpunëtorët e shtetasit të arrestuar, ku për arsye hetimore nuk bëjmë të ditur të dhëna të tjera.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, parashikuar nga neni 283/1 i Kodit Penal.