Kompanitë që riciklojnë qeset plastike do të kenë në dispozicion disa muaj kohë, për të përshtatur teknologjinë e prodhimit të qeseve, që tashmë lejohet të përdoren nga subjektet tregtuese apo konsumatorët. Këtë e ka bërë të ditur ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi teksa ishte bashkë me ministren e Sipërmarrjes Sonila Qato gjatë një takimi me kompanitë e riciklimit. Klosi tha se në zbatim të ligjit për qeset plastike është në proces hartimi i udhëzimit të ministrit për saktësimin e zbatimit të tij për disa elementë si procesi i biodegradimit, riciklimit apo pjesëve të qeseve. Klosi deklaroi në tryezën e mbajtur më përfaqësues të biznesit të plastikës, se do të jenë pjesë e hartimit të këtij udhëzimi, duke iu kërkuar bashkëpunim edhe për këtë proces.
” Ajo që nuk negociohet është ndalimi njëherë e përgjithmonë i përdorimit të plastikës së pariciklueshme në vend”-deklaroi ministri Klosi. Biznesit iu la një muaj kohë në dispozicion për adaptimin e teknologjive, për të ndaluar prodhimin e qeseve të hodha njëpërdorimshme që do më shumë se treqind vite të vetëshkatërrohet. ”Një vend si Shqipëria me përparësi turizmin nuk mund të vijojë më të ndotet nga plastika”- tha Klosi në takimin me ricikluesit duke përmendur edhe masat ndëshkuese në ligj, nga një milion deri në 1.5 milion lekë të reja për këdo që vijon të hedhë në përdorim këtë product. Klosi kërkoi bashkëpunimin e të gjithëve për të denoncuar mungesën e kontrolleve nga ana e inspektoriateve në zona të caktuara, bashkëpunimin e pushtetit vendor, prodhuesve dhe qytetarëve. “Vetëm duke u bërë bashkë në interesin e lartë të eliminimit të qeseve, do të arrijmë reduktimin e shpejtë të këtij ndotësi”- deklaroi Klosi. Ministrja Qato vlerësoi procesin e diskutimit të vijueshëm me komunitetin e biznesit, duke shtuar se detajimi i ligjit do t’i vijë në ndihmë biznesit për të mos lënë shtigje interpretimi në terren nga inspektoriatet, tatimet dhe doganat.