Policia e Dibrës ka bërë me dije ditën e sotme se ka zbardhur ngjarjen e ndodhur një ditë më parë, ku gjatë grabitjes së një banese mbeti i plagosur një person.
Blutë e Dibrës, në njoftimin e shpërndarë për mediat, bëjnë me dije se kanë vënë në pranga Gaetano Hasi, 35 vjeç, banues në fshatin Brest i Poshtëm/Kastriot, Dibër.
Po ashtu, siç sqaron policia, në pranga është vënë edhe Ilir Shini, 31 vjeç, banues në fshatin Brest i Epërm/Kastriot, Dibër.
Arrestimi i tyre është bërë, pasi një ditë më parë, në bashkëpunim me njëri –tjetrin, rreth orës 03.30, të maskuar dhe nën kërcënimin e armës kanë vjedhur banesën e A.S, 53 vjeç, banues në fshatin Brezhdan, ku gjatë grabitjes ka mbetur i plagosur me armë zjarri E.S, 35 vjeç.
Në vijim të veprimeve të kryera për dokumentimin me prova ligjore të ngjarjes, shërbimet e policisë gjatë kontrollit të kryer në banesën e Gaetano Hasi kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
Një armë zjarri automatik model 56, 506 copë fishek, 1 krehër, 1 jelek antiplumb, si dhe disa veshje që dyshohen se janë përdorur nga autorët gjatë grabitjes.
Në bashkëpunim me Prokurorinë Dibër vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të rasteve të tjera të vjedhjeve ku dyshohet se këta shtetas janë autorë.
Për këtë ngjarje, blutë e Dibrës sqarojnë se materialet hetimore do ti referohen Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Dibër për hetime të mëtejshme.
/55News.al/