Vera është stina e bostanit, perime e cila nuk mungon nga tryezat e familjeve shqiptare. Mesatarisht një shqiptar ka konsumuar 93 kg bostan për frymë gjatë 2017-s.
Në vitin 2017 prodhimi i bostanoreve ishte rreth 296 mijë ton, duke shënuar një rritje me 19 mijë ton krahasuar me 2016 raporton Instat.
Qarku me prodhimin më të lartë të bostanit është Fieri, ku sipas të dhënave të publikuara nga Instat në vjetarin statistikor të bujqësisë, në Fier gjatë 2017-s u prodhuan 151 mijë e 272 tonë bostanë. Qarku i Fierit përgjigjet për më shumë se gjysmën e prodhimit kombëtarë të bostanëve në vend.
Tirana është qarku i dytë që pason Fierin për prodhim, me 32 mijë tonë të prodhuar gjatë 2017-s, ndjekur nga Shkodra me 26 mijë tonë, Durrësi me 23 mijë tonë, Elbasani dhe Lesha me mbi 15 mijë tonë, Vlora dhe Berati me mbi 10 mijë tonë (shiko grafikun).
Ekpsortet e bostanorëve kanë qenë në rritje në 2017-n (shiko grafikun). Sipas të dhënave u eksportuan 33 mijë e 344 tonë bostanë jashtë me një vlerë prej 5.2 miliardë dollarë. Vendi që ka sasinë më të madhe të eksportuar të bostanëve nga shqipëria në 2017-n është Serbia, me një vlerë prej 1.7 milionë dollarë, në vend të dytë është Ccekia me 1.3 milionë dollarë. Më pas renditen vendet e rajonit si Bosnja 751 mijë dollarë, Kroacia me 359 dollarë dhe Maqedonia me 312 mijë dollarë.
Gjatë 2017-s, gjithashtu bostanët u eksportuan edhe ne Lituani me një vlerë eksportesh prej 241 mijë dollarë, Malin e Zi me 238 mijë dollarë dhe në vend të fundit për sa i përket vlerës së eksportëve të bostanëve nga Shqipërië, Austria me vetëm 95 mijë dollarë.
Importet e bostanëve në Shqipëri kanë qenë më të ulëta. Sipas të dhënave të Doganës, gjatë 2017-s janë importuar në Shqipër rreth 22 tonë bostanë me një vlerë prej 28 mijë dollarësh. Në krahasim me një vit më parë sasia e importuar e bostanëve është ulur me 4 tonë. /Monitor