Përmes një konference ndërkombëtare, “Zbardhja e krimeve të komunizmit në epokën dixhitale” është publikuar sot në Tiranë një arkivë online për viktimat e komunizmit, kujto.al.
Mëse 50 mijë viktima të komunizmit do të ketë një profil në këtë platformë me informacionin zyrtar për vuajtjen e tyre. Fondacioni Kujto ka ngritur një staf i cili pret nga të gjithë të interesuarit që të plotësojnë me informacionin vuajtjen e të afërmve të tyre.
Të ftuar në Fax News studiuesi Erald Kapri dhe deputeti çek Pavel Zacek thanë se arkiva online do të shërbejë që dosjet e personave që kanë vuajtur burgun në komunizëm të jenë me dëshmi sa më të plota. Në këtë mënyrë çdo shqiptar ka mundësi që të shohë në kohë reale për çdo emër që është i interesuar.
Kapri u shpreh se çdokush që ka një informacion të besueshëm, mund të plotësojë dosjet që gjenden online, teksa deputeti Zacek u shpreh se kjo eksperiencë që është praktikuar më herët në Çeki ka qenë shumë efektive. “Kujto.al është e para iniciativë e këtij lloji në Shqipëri. Rreth 50 mijë viktima të komunizmit kanë një profil të krijuar nga informacioni zyrtar. Por falë teknologjisë, historia e çdo viktime dhe familje që ka vuajtur në diktaturë do të plotësohet çdo ditë.
Tashmë për të kaluarën dhe vuajtjen e shqiptarëve në diktaturë, nuk do të angazhohen vetëm studiuesit apo institucione, por i gjithë publiku i cili ka platformën për të dërguar çdo rrëfim, dokument, fotografi, fakt apo ngjarje që ajo të tregohet e mësohet nga të gjithë”, tha studiesi Erald Kapri në hapjen e konferencës ndërkombëtare. ‘’Dosjet të hapen në mënyrë të plotë, në Çeki ka 30 milionë dosje online. Me një kërkim të thjeshtë mund të gjesh gjithçka për emrat. Në fillim ky proces u prit me një lloj frike dhe pasigurie, po tashmë kemi përparuar ndjeshëm. Është shumë e rëndësishme që të hapen dosjet e oficerëve për të kuptuar sesi funksiononte sistemi nga brenda. Edhe heroi ynë kombëtar e ka një dosje online”, u shpreh Zacek.
Lidhur me atë që ndodhi në Çeki me bashkëpunëtorët e regjimit, ose ndryshe ‘’spiunët” deputeti u shpreh: Në Çeki nuk kemi qenë shumë të suksesshëm me dënimet për këta persona, ndryshe nga ajo që ka ndodhur në Gjermani dhe në Poloni. Faxnews