Aktori i humorit Fadil Hasa ndërroi jetë ditën e sotme në moshën 78 vjeçare. Miku i tij Muharrem Hoxha, i përlotur ka treguar për Balkanweb si e mori vesh lajmin për humbjen e mikut të tij.
“Ai ishte babai im që më mësoi skenën. Sot në 11 e kishim lënë të takoheshim. Do shkoja në shtëpinë e tij. Kam shkuar këto ditë në shtëpinë e tij dhe ishte mirë, kemi qeshur, kemi bërë humor si zakonisht. Sot do shkoja në 11 sërish për vizitë. Por më mori vajza e tij në telefon dhe më dha lajmin e zi, të ndarjes nga jeta. 30 vjet më parë ai humbi gruan dhe iu përkushtua tërësisht vajzave të tij dhe nipërve e mbesave. Iu përkushtua shumë familjes pas humbjes së parakohshme të gruas, duke u bërë edhe nënë edhe babë”, u shpreh aktori Hoxha.
Hoxha bën me dije se nesër në orën 10:00 do të zhvillohen homazhet në teatrin “Aleksandër Moisiu”.